Trashëgimi

Nata e Pashkës - Nga Lefter Çipa

Atë natë, natën e Pashkës,

i thashë 'mos u mbaro' natës.

I thashë natës, qofsh e gjatë',

sa netët e vitit bashkë.

Gjithë ëngjëjt poshtë zbrisnin,

me gjuhën e tyre flisnin.

 

Unë dhe ti, moj mespërdredhur,

ç'natë Pashke kishim zgjedhur.

Ishte Pashkë e s'kish të fjetur,

kish të lozur dhe të qeshur.

Me trëndafili të veshur,

jashtë kishe, kishim mbetur.

 

Ty vërtet si Shën Mëria,

të kish hipur bukuria.

Unë, si kapedan i dukur,

bëja luftë duke të puthur.

Tek të puthja-pëlcit gjaku,

Për Pashkë çelte zambaku.

 

Këtej gaz e andej dritë,

Ti si një kryq i florinjtë,

mbi gjoks tim ishe lëshuar,

porsi pak ujë në duar.

Dhe të derdhte dufe shpirti,

ndizje çdo flakë qiriri.

 

Ja një frymë-erë e natës,

tundi kambanat e Pashkës.

Qielli sipër i zgjuar,

ne me kryqin tonë në duar.

Atij kryqi seç i'u falëm,

Sa trëndafilat u hapën.

 

"Princi i dashurisë", Botimet Naimi, Tirane