Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 22 shtator 2024

  • Published in Kanada

 

Muskoka - Ontario

 

-British Columbia, sipas studimeve para 45.000 vjetësh në ishullin Vancouver jetonin edhe mamuthë

-Alberta, një muze unikal kushtuar mullinjve me erë në Etzikom

-Saskatchewan, kryeministri Scott Moe refuzon azilkërkues nëse nuk merr kompensim federal

-Nova Scotia, në territorin e provincës do hapen katërmbëdhjetë klinika-farmaci të reja

-Newfoundland, zbulohet një paraardhës 570 milionë vjeçar i meduzave

-Québec, Mélanie Desautels dhe Philemon Kiptanui fitojnë Maratonën e Montrealit

 

British Columbia - Kandidatja për gradën PhD në arkeologji/paleontologji pranë Universitetit Simon Fraser, Laura Termes, ka zbuluar se mamuthët që kanë jetuar në ishullin Vancouver janë më të vjetër se sa mendohej. Më parë, kërkimet dëshmonin se kjo specie pat jetuar në këtë zone rreth 20,000 vjet më pare. Sipas studimit të Termes, publikuar gushtin e kaluar, konfirmohet me siguri se mamuthët kanë ekzistuar në Vancouver 30,000, 40,000 dhe madje 50,000 vjet më parë. Gjatë punës së saj kërkimore, ajo ka ekzaminuar 32 mostra fosile të mbledhura në ishull. Hulumtimi gjithashtu i mundësoi asaj të kuptonte më shumë se si ishte mjedisi në atë kohë, falë mostrave të dheut që mbulonin fosilet. “Ne zbuluam se ata jetonin në një zonë ligatinore, ku kishte shumë barëra dhe kërpudha, e ndoshta disa pisha dhe bredha”, ka pohuar për CBC Laura Termes, e cila synon të zgjerojë kërkimet e saj mbi fosilet edhe në zona të tjera të provincës.

Laura Termes

Alberta - Etzikom, një fshat me 51 banorë që ndodhet gati 100 kilometra në jug të Medicine Hat, Alberta, është vendndodhja e muzeut të vetëm të mullinjve me erë në Kanada. Thuhet se mullinjtë e erës dhe jo armët, ndihmuan për të kolonizuar Perëndimin. “Dhe është e vërtetë”, pohon për CBC anëtari i bordit të Muzeut Etzikom, Skyler Stromsmoe. Sipas tij, shumica e këtyre mullinjve me erë ishin funksionalë deri nga fundi i viteve 1800 dhe në fillim të viteve 1900. “Qindra vjet më parë, njerëzit përdornin dy gurë që të shtypnin grurin për të bërë miell, ndërsa më vonë, me fuqinë e erës u arrit të bëhej miell nga gruri”, shpjegon Stromsmoe. Në vitin 1990, shkolla e vjetër e fshatit, e cila datonte nga vitet 1950, u shndërrua në muze dhe, tre vjet më vonë, drejtuesit vendosën të ekspozonin atje një koleksion mullinjsh me erë, “një perlë e fshehur”, sipas Skyler Stromsmoe. Qysh atëherë, muzeu ka në zotërim rreth njëzet mullinj me erë, të cilët u grumbulluan atje, falë donacioneve të disa banorëve të rajonit. Skyler Stromsmoe thekson se personat e parë që vendosën të emigronin qysh herët në Perëndim u desh të përballeshin me kushte të vështira klimatike, si në dimër ashtu edhe në verë. Ai shton se kur evropianët mbërritën aty, kuptuan se popujt indigjenë ishin vendosur tashmë pranë lumenjve dhe burimeve të tjera ujore. Për të qenë në gjendje të vendoseshin në rajone më të thata larg burimeve ujore, kolonët duhej të pomponin ujin nga toka duke shfrytëzuar forcën e erës duke përdorur këta mullinj me erë. Përafërsisht 5,000 vizitorë udhëtojnë çdo vit drejt qendrës historike të mullinjve me erë në Etzikom, që konsiderohet sekreti i ruajtur më i mirë në Alberta-n juglindore.

Saskatchewan - Qeveria federale po përpiqet të zhvendosë azilkërkuesit për të lehtësuar presionin mbi provincat lindore kanadeze. Provincat e tjera, si Saskatchewan, megjithatë hezitojnë t’i strehojnë ata, veçanërisht nëse Ottawa nuk u ofron atyre mbështetje financiare. Sipas ministrisë kanadeze të Imigracionit, Quebec dhe Ontario janë nën presion disproporcional për shkak të dhjetëra mijëra azilkërkuesve, por kryeministri i Saskatchewan, Scott Moe refuzon t’i pranojë azilkërkuesit nëse qeveria federale nuk ofron kompensim, si p.sh. 750 milionë dollarët e ofruara për provincën Quebec. “Ka shumë punë për të bërë në mënyrë që të kemi shërbimet dhe strehimin e duhur për ata që mund të vijnë dhe ne do të donim të diskutonim paraprakisht me Ottawa për të kuptuar se si këta persona do mund të kontribuojnë në ekonominë e Saskatchewan”, deklaroi Scott Moe të enjten (19.09). Midis janarit dhe korrikut 2024, Quebec priti 37,800 azilkërkues, Ontario 55,700 dhe Saskatchewan 315. Scott Moe dhe Jeremy Harrison, ministri provincial i Imigracionit dhe Trajnimit Profesional, kanë konfirmuar se ende nuk janë kontaktuar nga Ottawa lidhur me numrin e refugjatëve që mund të zhvendosen në provincën e tyre. Të dy ata e konsiderojnë me boshllëqe dhe paqartësi programin federal të imigracionit.

Scott Moe

Nova Scotia - Katërmbëdhjetë farmaci të reja në Nova Scotia do ofrojnë kujdes dhe receta medikamentesh për probleme të caktuara shëndetësore. Qeveria provinciale dhe Shoqata e farmacistëve e patën njoftuan zgjerimin e programit të klinikave-farmaci qysh nga shkurti 2023. Farmacistët pjesëmarrës në projekt mund të trajtojnë disa sëmundje të zakonshme, të ofrojnë takime për pacientët dhe të japin receta medikamentesh që lidhen me diabetin, sëmundjet kardiovaskulare, astmën dhe sëmundje kronike obstruktive të mushkërive. 14 klinikat e reja të këtij lloji do të vendosen në Saulnierville, Amherst, Kennetcook, Hammonds Plains, Spryfield, Halifax (tre farmaci), Dartmouth, Eastern Passage, Guysborough, Whycocomagh, Sydney dhe New Waterford. Kjo e çon numrin e klinikave-farmaci në provincë në 45. Projekti pilot duket se ka rezultuar i suksesshëm. Të dhënat e qeverisë provinciale konfirmojnë se deri në maj 2024, 76,316 qytetarë kanë kryer vizita për kujdes jashtë një klinike të mjekësisë familjare, duke përfshirë klinikat-farmaci. Zgjedhja e vendndodhjes së 14 klinikave të reja u bë në bashkëpunim me Autoritetin Shëndetësor të provincës, duke marrë parasysh nevojat e pacientëve në rajonet përkatëse si dhe kapacitetin e pronarëve të farmacive për të hapur sa më shpejt klinikën e tyre.

Newfoundland - Dy shkencëtarë nga Universiteti Memorial i St. John’s në Newfoundland, kanë publikuar së fundi një artikull mbi zbulimin nga ana e tyre të një fosili 570 milionë vjeçar. Ky paraardhës i meduzave (kandilët e detit), të cilin ata e kanë pagëzuar Mamsetia manunis, është kafsha më e vjetër me ind muskulor e regjistruar në repertorët shkencorë deri më sot. Më parë, e tillë konsiderohej Haootia quadriformis, një kafshë me katër tentakula me përmasa afërsisht 10 centimetra që ka ekzistuar afërsisht 560 milionë vjet më parë. Fosili i Mamsetia manunis u zbulua në rajonin Port Union të Newfoundland dhe Labrador nga një ekip studiuesish nga universitetet e Kembrixhit, Oksfordit dhe Memorial. Profesori nga Universiteti Memorial, Duncan McIllroy, ishte një prej tyre. Fillimisht, Haootia quadriformis ishte subjekt i një artikulli të botuar në vitin 2014 në revistën shkencore Proceedings of the Royal Society B. Profesor McIlroy i shpjegoi CBC se “Haootia” është një emër që rrjedh nga fjala që do të thotë demon në gjuhën e Beothuk, një komunitet indigjen i Labradorit, i zhdukur në vitin 1829. 6 vjet më vonë, me kolegun e tij Rod Taylor, ai zbuloi një fosil tjetër edhe më të vjetër pranë Port Union. Në fund të gushtit 2024, ata publikuan një artikull të detajuar mbi këtë kandil deti të cilin e quajtën Mamsetia manunis. “Shtresa shkëmbore ku u zbulua fosili Mamsetia manunis është në fakt shumë më e ulët në sekuencën shkëmbore, duke nënkuptuar se duhet të jetë depozituar atje më parë”, pohon Rod Taylor, edhe ai profesor në Fakultetin e Shkencave të Universiteti Memorial. Mamsetia manunis është një specie e krahasueshme me kandilin e detit të sotëm. Ajo ka patur katër krahë dhe një unazë muskulore rreth gojës së saj. “Është paksa si të marrësh një kandil deti modern, ta kthesh 500 milionë vjet më parë dhe ta mbjellësh në një shkëmb”, ka shtuar ai duke e vulgarizuar shpjegimin për ta bërë më të kuptueshëm. Sipas studiuesit, kjo është forma më e vjetër e indit muskulor të gjetur në një fosil deri më sot. Kjo specie kandili deti, afërsisht 570 milionë vjet e vjetër, ka evoluar pak që atëherë. Falë tentakulave të tyre, këta kandilë deti ishin në gjendje të qëndronin të palëvizshëm duke u ngjitur në shtratin e detit në mënyrë që të ushqeheshin ose të lëviznin, pak a shumë si Stauromedusa, një lloj kandili deti me një trup në formë borie ose qelqi me kërcell që gjendet në ujërat e Atlantikut të Veriut.

Një ilustrim se si mund të dukej Mamsetia manunis

Québec - Franko-Manitobania Mélanie Desautels fitoi Maratonën e Montrealit në kategorinë elitare, që u zhvillua sot (22.09) në rrugët e metropolit frankofon. Desautels, vrapuese nga Winnipeg, e përfundoi garën prej 42.2 kilometrash me kohën 2:46:16, me një shpejtësi mesatare prej 3.57 minuta për kilometër. Podiumi I femrave ishte i gjithi kanadez. Janie Grand'Maison zuri vendin e dytë me 02:48:22 përpara Catherine Paul (02:59:17). Në garën e meshkujve, ishte keniani Philemon Kiptanui që fitoi përpara rivalëve të tij. 28-vjeçari e ndali orën në 2:15:09. Marokeni Moussab Hadout zuri vendin e dytë me 2:16:49, ndërsa belgu John Langat përfundoi i treti në podiumin e meshkujve me kohën 2:18:53. Blair Morgan nga Hamilton pati rezultatin më të mirë nga elita kanadeze duke u renditur një vend të 6-të me kohën 2:25:11. Në total, 15,000 vrapues morën pjesë në gjysmëmaratonën dhe maratonën e sotme.

Mélanie Desautels

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada; Canadian Geographic; Reuters/Chris Wattie; Gary Yee (Garyphoto.ca)