Java Kanadeze - Lajme shkurt 13 tetor 2024
- Published in Kanada
Vjeshtë në Vancouver (British Columbia)
-British Columbia, raporti mbi një shkollë rezidenciale autoktone përmend të paktën 55 të vdekur dhe të zhdukur
-Alberta, kryebashkiaku i Edmonton Amarjeet Sohi padit tre persona për shpifje
-Saskatchewan, partia e kryeministrit Moe prezanton platformën elektorale me 1.2 miliardë dollarë premtime
-Manitoba, riaplikohet bërja publike e shpenzimeve të udhëtimit për ministrat dhe kryeministrin
-New Brunswick, e shtuna 12 tetor dita e pare e votimit paraprak në zgjedhjet provinciale
-Nova Scotia, kryetari në largim i Bashkisë Halifax emërohet zëvendës-guvernator i provincës
British Columbia - Një komunitet autokton në provincën British Columbia ka bërë të ditur se të paktën 55 fëmijë kanë vdekur ose janë zhdukur ndërsa ndiqnin një shkollë rezidenciale pranë liqenit Williams, një shifër që është më shumë se trefishi i numrit të regjistruar në Qendrën Kombëtare për të Vërtetën dhe Pajtimin. Kjo shifër përfshihet në një raport të përkohshëm për shkollën rezidenciale të Aborigjenëve të Misionit Saint-Joseph, përgatitur nga komunitetit autokton i Liqenit Williams (Williams Lake First Nation). Dokumenti thekson se hetuesit pritet të përfundojnë verifikimet me radarë gjatë këtij viti dhe do të organizojnë takime për të diskutuar rreth gërmimeve të mundshme, zhvarrosjeve, riatdhesimeve, testimeve të ADN-së dhe hartës gjenealogjike, përpara çdo vendimi për hapjen e mundshme të varreve. “Aktualisht, nuk është planifikuar një proces përfundimtar për gërmimet”, thuhet në raport, i cili thekson se “deri tani nuk janë gjetur mbetje njerëzore me identitet të konfirmuar”, por nënvizon se “ka një bollëk provash të pakontestueshme që mbështesin legjitimitetin e hetimit të kryer në mënyrë shkencore”. “Disa kanadezë e konsiderojnë shqetësues ose të pakëndshëm faktin që hetimet për shkollat rezidenciale na detyrojnë të përballemi me historinë tonë koloniale dhe të njohim dëmet e shkaktuara nga sistemet, politikat dhe institucionet që kanë ekzistuar në vendin tonë për breza”, përfundon raporti i publikuar të premten (11.10). Hetuesit kanë deklaruar më herët se dy kërkime të veçanta me radarë depërtues në tokë në ish-terrenin e shkollës zbuluan 159 varre të mundshme të pashoqëruara me një emër. Shkolla katolike në fjalë ka funksionuar nga viti 1891 deri në vitin 1981, rreth 500 km në veriperëndim të Vancouver dhe zona e hetuar përfshin 782 hektarë tokë. Raporti pohon se regjistri përkujtimor i Qendrës Kombëtare për të Vërtetën dhe Pajtimin liston me emër 16 fëmijë që kanë vdekur gjatë kohës që ndodheshin nën kujdesin e shkollës dhe se 39 vdekje ose zhdukje shtesë janë verifikuar përmes dokumenteve arkivore, duke theksuar se mbi 61,000 dokumente dhe fotografi janë mbledhur si pjesë e hetimit. Territori i shkollës u ble nga Williams Lake First Nation vitin e kaluar me ndihmën e qeverisë provinciale, pjesërisht për të siguruar integritetin e hetimit në vazhdim dhe për shkak të planeve paraprake për ta rikonceptuar objektin si një vend shërimi shpirtëror.
Alberta - Kryetari i Bashkisë Edmonton, Amarjeet Sohi, ka depozituar një padi për shpifje dhe dezinformim pranë Gjykatës Mbretërore kundër tre personave. Ai reklamon 750,000 dollarë dëmshpërblim si dhe tërheqjen e komenteve shpifëse nga rrjetet sociale. Sipas dokumentit të prokurorisë, një kopje të të cilit e ka siguruar Radio-Canada, Amarjeet Sohi akuzon Varinder Bhullar, Bob Rai dhe Abdusselam Huzeyfe Bezirgan për përhapjen e akuzave të rreme që dëmtojnë reputacionin e tij. Në padinë e paraqitur të premten (11.10), Abdusselam Huzeyfe Bezirgan përshkruhet si një “gazetar i vetëshpallur”, i cili përmes rrjeteve sociale ka përhapur akuza se kryetari i bashkisë është i përfshirë në krime të rënda dhe korrupsion. Padia thekson se këto akuza jo vetëm që kanë ndikuar rëndë në jetën personale të kryetarit, por gjithashtu kanë nxitur dhe kërcënime me vdekje ndaj tij. Po ashtu, dokumenti përmend se banesa e kryebashkiakut është vandalizuar si pasojë e këtyre akuzave. Amarjeet Sohi gjithashtu thekson në padi se një nga të paditurit e ka akuzuar për “ndihmë ndaj familjarëve dhe miqve të tij për të marrë ryshfet në natyrë nga promotorët e ndërtimit”. Ndërkohë, një nga të paditurit, Varinder Bhullar, përshkruhet si ish-kundërshtar politik i Sohit, i cili ka përsëritur dhe përhapur komentet shpifëse të dy personave të tjerë. Në një intervistë për CBC, Varinder Bhullar deklaroi se nuk ka takuar kurrë dhe as ka folur me Bob Rai dhe Abdusselam Huzeyfe Bezirgan, por ka pranuar se ka shpërndarë publikimet e tyre në rrjetet sociale. “Gjithçka që them bazohet në fakte dhe mund të provohet në gjykatë, por mesazhet që kam shpërndarë janë përgjegjësi e tyre”. Asnjë nga akuzat ende nuk është provuar në gjykatë dhe tre të paditurit nuk kanë paraqitur ende mbrojtjen e tyre.
Amarjeet Sohi
Saskatchewan - Kryetari i Saskatchewan Party dhe njëherazi kryeministri aktual i provincës, Scott Moe, prezantoi dje (12.10) platformën e tij zgjedhore, e cila përfshin premtime me vlerë 1.2 miliardë dollarë që do të realizohen nëse ai rizgjidhet 28 tetorin e ardhshëm. Platforma parashikon gjithashtu defiçit buxhetor për tre vitet e para, por më pas një sufiçit të vogël në vitin 2027. Njoftimi i djeshëm përmban edhe angazhime të mëparshme, si ulja e taksave mbi të ardhurat, zgjerimi i programit për mbajtjen në tregun provincial të punës të të diplomuarve si dhe reduktime tarifash shtesë për familjet dhe fëmijët në sektorët e sportit dhe artit. Scott Moe vuri në dukje gjithashtu bilancin pozitiv të Saskatchewan Party në rritjen e ekonomisë dhe popullsisë së provincës, duke theksuar se synon ta bëjë jetesën akoma më të përballueshme. Ai gjithashtu deklaroi se ish-qeveria e NDP, rreth njëzet vite më parë, me politikat e saj shkaktoi një rënie ekonomike që i detyroi të rinjtë të largoheshin në provinca të tjera. Plani i Moe parashikon vazhdimin e investimeve në kujdesin shëndetësor dhe arsim, përfshirë ndërtimin e shkollave të reja dhe punësimin e më shumë profesionistëve të shëndetësisë. Ai shtoi se në buxhetin e tij të fundit si kryeministër i Saskatchewan, u bënë investime rekord prej 7.6 miliardë dollarësh në sektorin e shëndetësisë dhe 2.2 miliardë dollarë për sistemin shkollor.
Scott Moe
Manitoba - Pas një pauze prej më shumë se një viti, shpenzimet e udhëtimeve jashtë provincës për ministrat e Manitobës kanë rinisur të publikohen në internet, por informacioni publik përjashton shpenzimet e stafit shoqërues politik ose ministror. Këtë javë, kryeministri i Manitobës, Wab Kinew, u tha gazetarëve se ai kishte kërkuar që të publikoheshin shpenzimet më të fundit në internet dhe të dhënat u publikuan menjëherë pas deklaratës së tij. Një nga shpenzimet e publikuar këtë javë, ai i ministres së Familjeve, Nahanni Fontaine, arrin në 6,649 dollarë, për një udhëtim në Nju Jork nga 10 deri më 15 mars, për një konferencë vjetore të Komisionit të Kombeve të Bashkuara për Statusin e Grave. Këto kosto përfshijnë biletat e avionit, hotelin dhe ushqimin. Megjithatë, dokumentet e marra nga The Canadian Press në bazë të Ligjit provincial Për Aksesin në Informacion tregojnë se shpenzimet totale për këtë udhëtim janë shumë më të larta, pasi ai përfshinte edhe tre persona të tjerë. Sipas këtyre dokumenteve, provinca ka paguar gjithashtu për drejtorin e Çështjeve Korporative të zonjës Fontaine dhe dy përfaqësues të Gender Equity Manitoba, një degë e Ministrisë së Familjeve. Sipas dokumenteve, kostoja totale për katër personat arrinte shifrën 23,105 dollarë. Pjesa më e madhe e këtyre shpenzimeve lidhej me dhomat e hotelit, ndërsa fluturimet, transporti tokësor, vaktet dhe shpenzimet e tjera përbënin pjesën tjetër. Zyra e kryeministrit Wab Kinew publikoi së fundmi një total prej 1,684 dollarësh për shpenzimet e udhëtimit të tij në Toronto në mars, ku ai mbajti një fjalim në Klubin Ekonomik të Kanadasë dhe mori pjesë në një konferencë ndërkombëtare të minierave. Megjithatë, në këto lista nuk janë përfshirë shpenzimet e stafit të lartë politik që shoqëroi kryeministrin. Drejtuesi i përkohshëm i Konservatorëve Progresistë të Manitobës, Wayne Ewasko, ka deklaruar se “ndoshta është koha për të ndryshuar këtë praktikë të qeverisë aktuale dhe atyre të mëparshme dhe të publikohen gjithashtu edhe shpenzimet e stafit”. Ai shtoi se kjo do t’u jepte taksapaguesve të Manitobës sigurinë që udhëtimet e ministrave, kryeministrit apo stafit të tyre ishin të justifikuara. Shpenzimet e udhëtimit jashtë provincës së kryeministrit dhe ministrave janë publikuar deri më 31 mars 2023. Si Konservatorët Progresistë ashtu edhe Neodemokratë e kanë akuzuar recoprokisht njëri-tjetrin për mospublikimin e këtij informacioni.
New Brunswick - Ka nisur dje (12.10) votimi paraprak për zgjedhjet provinciale në New Brunswick. Një ditë e dytë për votim paraprak është planifikuar edhe të marten 15 tetor. Votimi paraprak u zhvillua nga ora 10:00 deri në 20:00 në qendrat e votimit përkatëse. Për të gjetur vendndodhjen e saktë të qendrave të votimit në zonën zgjedhore, zgjedhësit duhet të konsultohen me kartën e informacionit të zgjedhësit, të cilën e kanë marrë me postë ditët e fundit. Kjo kartë konfirmon se zgjedhësi është regjistruar në listën zgjedhore. Elections New Brunswick rekomandon që kjo kartë të merret me vete gjatë votimit, pasi në këtë rast nuk është e nevojshme të paraqitet një dokument identifikimi. Nëse dikush nuk e ka kartën ose nuk është regjistruar ende në listën zgjedhore, ai duhet të paraqesë dokumente identifikimi që vërtetojnë emrin, nënshkrimin dhe adresën e tij. Dokumentet e pranueshme përfshijnë ndër të tjera, patentën e shoferit, kontratën e qirasë, faturën e shërbimeve, kartën e sigurimit shëndetësor ose kartën e identitetit studentor. Krerët e dy partive kryesore votuan gjithashtu paraprakisht dje. Udhëheqësja liberale, Susan Holt, votoi në Fredericton South-Silverwood, ndërsa kryeministri në detyrë, Blaine Higgs, votoi në bastionin e tij Quispamsis. Ai i inkurajoi qytetarët që të votojnë dhe të bëhen të vetëdijshëm për këtë mundësi. “Të gjithë duhet të përfitojnë nga rasti për të votuar herët dhe të shmangin ngutjen në minutën e fundit”, deklaroi për mediat kreu i Konservatorëve Progresistë. Në zgjedhjet provinciale të vitit 2020, votimi paraprak theu një rekord pjesëmarrjeje, me më shumë se 133,000 votues që votuan në dy ditë. Në vitin 2018, mbi 88,000 zgjedhës votuan paraprakisht. Sipas Elections New Brunswick, deri dje (12.10), 1,106 votues kanë votuar me postë ose kanë paraqitur kërkesë për votim me postë. Këtë vit, qendrat e votimit të ngritura në kampuset e kolegjeve dhe universiteteve do t'u japin mundësinë studentëve të votojnë, gjë që nuk ishte e mundur në zgjedhjet e fundit për shkak të pandemisë COVID-19. Nga data 15 deri më 18 tetor, studentët mund të votojnë për kandidatin e njësisë zgjedhore ku kanë banim të përhershëm ose ku po studiojnë.
Nova Scotia - Kryetari në largim i Bashkisë Halifax, Mike Savage, është emëruar zëvendës-guvernator i provincës Nova Scotia. Lajmin e bëri të ditur sot (13.10) Kabineti i kryeministri të Kanadasë, Justin Trudeau. Në njoftimin zyrtar të kryeministrit theksohej se “Mike Savage ia ka kushtuar gjithë jetën e tij shërbimit ndaj qytetarëve të Nova Scotia. Për vite me radhë, ai ka qenë një avokat i palodhur i përfshirjes sociale dhe të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, rritjes ekonomike dhe përballueshmërisë së jetesës, si dhe i veprimit ndaj ndryshimeve klimatike dhe zvogëlimit të pasojave të tyre”. Për 12 vite, Mike Savage ka shërbyer si kryetar i Bashkisë Rajonale të Halifax. Në shkurt të këtij viti, ai njoftoi se nuk do të kandidonte për një mandat të ri në zgjedhjet që do të mbahen pas një jave më 19 tetor. Para se të bëhej kryetar bashkie, Mike Savage shërbeu për shtatë vite si deputet provincial i zones elektorale Dartmouth-Cole Harbour. Kryetari në largim i Halifax do të pasojë në funksion zëvendës-guvernatorin Arthur LeBlanc, i cili më parë ka qenë gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Nova Scotia. Zëvendës-guvernatorët e provincave kanadeze emërohen nga Guvernatori i Përgjithshëm i Kanadasë me rekomandimin e kryeministrit.
Mike Savage
© Flasshqip me informacion nga CBC/Radio-Canada
Fotot: CBC/Radio-Canada; Ottawa Tourism; Getty Images Toni M