Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 27 tetor 2024

  • Published in Kanada

 

Atocas Lake - Mauricie (Quebec)

 

-Alberta, provinca me kujdesin dentar më të shtrenjtë në Kanada

-Saskatchewan, dje dita e fundit e votimit paraprak para zgjedhjeve të 28 tetorit

-New Brunswick, Liberalët fitojnë zgjedhjet dhe Susan Holt bëhet e para grua kryeministre e provincës

-Nova Scotia, më 26 nëntor do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme provinciale

-Quebec, punëtorët e ngarkim-shkarkimit të portit të Montréal sërish në grevë

 

Alberta - Sipas të dhënave të fundit nga Statistics Canada, më shumë se një milion banorë të provincës Alberta nuk e frekuentojnë rregullisht dentistin. Agjencia federale njofton se vetëm 70,9% e personave që jetojnë aty kanë deklaruar se kanë shkuar tek dentisti ose higjienisti dentar në 12 muajt e fundit, ndërkohë që mesatarja kombëtare në rang Kanadaje llogaritet 72,2%. “Kujdesi dentar në Alberta është mjaft i shtrenjtë. Më i shtrenjti në vend”, është shprehur për CBC/Radio-Canada Shannon Hawryluk, higjieniste dentare në Calgary, duke shtuar se shumë persona, madje edhe ata me sigurim, konsiderohen ta kenë atë të pamjaftueshëm. Ekipet e autobusit dentar që ofrojnë kujdes falas për banorët e Calgary, një program i Qendrës Shëndetësore Alex Community, po përballen aktualisht me një kërkesë të lartë, sipas higjienistes dentare që gjithashtu e menaxhon këtë program. “Më shumë shkolla na kontaktojnë duke kërkuar shërbimet tona. Dhe numri i formularëve të miratimit që marrim është më i madh se më parë”, ka rrëfyer ajo, duke shpjeguar se mendonte që Regjimi i ri Kanadez i Kujdesit Dentar do të ishte në dispozicion për të gjithë këtë vit. Ndërkohë, ata që përfitojnë nga ky program janë të moshuarit dhe fëmijët që nuk kanë sigurim dentar dhe me të ardhura familjare më pak se 90,000 $. Nga ana e saj, kryeministrja Danielle Smith ka deklaruar se provinca do të tërhiqet nga ky regjimi në vitin 2026.

Saskatchewan - Dje (26.10) shumë banorë të provincës Saskatchewan votuan në ditën e fundit të votimit paraprak, dy ditë përpara zgjedhjeve të 28 tetorit. Qytetarët e regjistruar në listat e zgjedhësve mund ta ushtronin të drejtën e tyre të votës që nga data 22 tetor, por shumë prej tyre votuan dje, ndërsa gjatë tre ditëve të para të votimit paraprak shifra arriti në 170,000 persona. Ky është një rekord pas pandemisë, pasi në vitin 2016, vetëm 110,000 vetë u paraqitën për të votuar përpara ditës së zgjedhjeve. Në vitin 2020, 184,742 zgjedhës votuan më herët, çka përbënte një rritje prej 66 % në krahasim me zgjedhjet e vitit 2016. Shumë votues të pyetur nga CBC/Radio-Canada gjatë ditës së djeshme shpjeguan se zgjodhën votimin e përshpejtuar për të shmangur radhët e gjata nesër, që është dhe dita zyrtare e zgjedhjeve. Banorët e Saskatchewan do zgjedhin mes kandidatëve të shtatë partive politike, por vetëm NDP dhe Partia e Saskatchewan e kryeministrit në detyrë Scott Moe kanë paraqitur lista të plota. Sipas drejtorit të përgjithshëm të Elections Saskatchewan, Michael Boda, në lista janë të regjistruar gjithsej 810,683 votues. Një raport i Elections Saskatchewan në korrik 2021 konfirmonte se 52.9 % e votuesve të regjistruar votuan në vitin 2020. Në vitin 2016 kjo shifër ishte 53.5 %, ndërsa në vitin 2011, 51.1 %. Ndërkohë, kjo shifër ishte mbi 76 % në vitet 1980 dhe në fillim të viteve 1990. Në total, 716 qendra votimi, të shpërndara në 61 zona elektorale, janë hapur për zgjedhjet e sivjetme.

Nouveau Brunswick - Në mesnatën e të hënës së kaluar duke u gdhirë e marta (21-22 tetor) kryetarja e Partisë Liberale provinciale Susan Holt hyri në historinë politike të New Brunswick si gruaja e parë që zgjidhet në krye të qeverisë. Kryeministri në largim Blaine Higgs, nga ana tjetër, pësoi disfatë si në nivel provincial, ashtu edhe në zonën e tij elektorale. Kryeministrja e ardhshme Susan Holt do ta formojë qeverinë me një shumicë prej 31 deputetësh, kundrejt 16 për Konservatorët-Progresistë dhe 2 për të Gjelbrit. Rezultati i zgjedhjeve ishte një sukses i madh për Partinë Liberale të New-Brunswick, që arriti të rimarrë 15 vende. Siç parashikuan analistët politikë para zgjedhjeve, rezultati u vendos në tre qytetet e mëdha të provincës. Në përfundim të zgjedhjeve, të gjitha zonat në Moncton kaluan me Liberalët, të cilët fituan gjithkund në Saint-Jean, përveç një zone, dhe gjithashtu zgjodhën dy deputetë në Fredericton. Kjo është shumica më e madhe e fituar nga liberalët qysh nga fitorja e Frank McKenna në vitin 1987, që arriti të marrë të 58 vendet e parlamentit provincial. Para Susan Holt, kryeministrat Shawn Graham dhe Brian Gallant nuk arritën të kapërcejnë pragun e 30 deputetëve. Holt diti të distancohet nga lideri i krahut të saj federal aspak popullor, Justin Trudeau, dhe përfitoi gjithashtu nga rënia drastike e popullaritetit të kryeministrit Higgs në post prej 6 vitesh. Programi i saj, kryesisht i fokusuar te shëndetësia dhe kostoja e jetesës, duket se gjeti mbështetjen e votuesve. Kryetari i Partisë Konservatore-Progresiste dhe kryeministri në largim, Blaine Higgs ishte humbësi i madh i këtyre zgjedhjeve duke mos arritur as të rizgjidhet si deputet në zonën e tij Quispamsis, që e përfaqësonte prej 14 vitesh. Garën në zonat përkatëse e humbën dhe 5 nga ish-ministrat e tij.

Nova Scotia - Sipas Radio-Canada, kryeministri i Nova Scotia-s ka vendosur të ndërpresë mandatin e tij për të organizuar zgjedhje të parakohshme që do të mbahen 26 nëntorin e ardhshëm. Tim Houston kërkon një mandat të dytë për të vazhduar reformat në kujdesin shëndetësor dhe për të lehtësuar krizën e kostos së jetesës, me të cilën po përballet provinca. Sot (27.10), lideri progresist-konservator shkoi në rezidencën zyrtare të zëvendës-guvernatorit Arthur LeBlanc, në Halifax, dhe kërkoi shpërndarjen e Asamblesë Legjislative. Qeverisë së mëparshme i kishin mbetur edhe 9 muaj mandat. Duke qenë se zgjedhjet e fundit legjislative u zhvilluan në një kontekst krejtësisht tjetër, gjatë pandemisë COVID-19, Tim Houston ka argumentuar se është koha t’u jepet mundësia qytetarëve të votojnë përsëri. “Njerëzit po përjetojnë presion financiar të dukshëm, që kërkon një vizion afatgjatë dhe një investim të rëndësishëm politik për të përmirësuar nivelin e tyre të jetesës”, u shpreh ai përpara mbështetësve. “Nova Scotia ka nevojë për një qeveri me një mandat të ri për të mbrojtur interesat e provinces, përndryshe rrezikon të përdoret si top futbolli në zgjedhjet federale”, shtoi Tim Houston, duke u prezantuar si lideri më i mirë për t’u përballur me kryeministrit Justin Trudeau. Në bazë të Ligjit për zgjedhjet me datë fikse, miratuar nga Progresistët-Konservatorë sapo erdhën në pushtet në vitin 2021, votimi do të duhej të zhvillohej më 15 korrik 2025. Megjithatë, zgjedhjet e parakohshme në Nova Scotia ishin paralajmëruar tashmë. Që në fillim të verës, Tim Houston nisi të shumëfishonte rinominime kandidatësh dhe njoftimet me stil parazgjedhor. Vetëm gjatë dy javëve të fundit, lideri progresist-konservator njoftoi një ulje prej një për qind të taksës së shitjes së harmonizuar (GST), financimin deri në vitin 2026 të shërbimit të trageteve midis Yarmouth dhe shtetit amerikan Maine, fillimin e punimeve për mbrojtjen e istmit Chignecto dhe krijimin e një programi kursimesh pensioni për mjekët. Pas tre muajsh pa asnjë përditësim, u mësua gjithashtu se lista e pritjes për një mjek familjar është zvogëluar nga 160,000 në 145,000 regjistrime.

Quebec - Ndërsa negociatat për rinovimin e kontratës kolektive të tyre ende mbeten pa zgjidhje, punëtorët e ngarkim-shkarkimit në portin e Montrealit mbajtën sërish një ditë greve sot (27.10) që prej orës 7 të mëngjesit, grevë që do të zgjasë deri në orën 6:59 të mëngjesit nesër (28.10). Rreth 300 punonjës të sindikatës e patën ndërprerë punën për tre ditë në fillim të muajit tetor, por kjo grevë pat prekur vetëm dy nga katër terminalet e portit, ndërsa sot ishin 1000 punëtorët e të katër terminaleve që ndërprenë punën. Sipas vendimit të Këshillit Kanadez të Marrëdhënieve Industriale të marrë më 23 korrik 2024, vetëm aktiviteti i ngarkimit të anijeve të drithërave dhe furnizimi i anijeve për në Newfoundland dhe Labrador nuk u ndërpre. Humbjet për bizneset e prekura mund të arrijnë disa mijëra dollarë. Për Jasmin Guénette, nënkryetar i çështjeve kombëtare pranë Federatës Kanadeze të Bizneseve të Pavarura (FCEI), kjo ndërprerje pune tregon nënvlerësimin e punëtorëve të ngarkim-shkarkimit jo vetëm ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe punonjësve të tyre, por edhe për partnerët e tyre të biznesit dhe për ekonominë në përgjithësi. “Një ditë e vetme greve mund të sjellë disa ditë vonesa në dërgesa”, deklaroi zoti Guénette. Ai theksoi se me afrimin e sezonit të blerjeve për Festat e Fundvitit, kjo lloj ndërprerjeje mund të përsëritet, duke qenë se punëtorët e ngarkim-shkarkimit kanë një mandat të vlefshëm greve për disa ditë të tjera. Mandati i grevës së punëtorëve të ngarkim-shkarkimit u votua më 25 shtator për një periudhë prej 60 ditësh. Kështu, mund të ndodhin ndërprerje të tjera në portin e Montrealit deri në fund të nëntorit. FCEI i ka kërkuar Ottawa që portet të shtohen në listën e shërbimeve esenciale, në mënyrë që greva të tilla të mos kenë aq ndikim në ekonomi, por deri tani nuk ka marrë përgjigje. Javën e kaluar, për të zgjidhur ngërçin, ministri federal i Punës, Steven MacKinnon, u propozoi sindikatës dhe Shoqatës së Punëdhënësve Detarë negociata me ndërmjetës special, të kufizuara në kohë, Sidoqoftë, kjo qasje nuk i ka ndihmuar të dy palët të arrijnë një marrëveshje. Ndërkohë sot (27.10), kabineti i ministrit kujtoi se palët duhet të gjejnë një zgjidhje që çon në një marrëveshje të negociuar sa më shpejt të jetë e mundur. “Ndërmjetësuesit federalë dhe ministri MacKinnon mbeten të disponueshëm për t’i ndihmuar ata, dhe ne vazhdojmë ta ndjekim nga afër situatën”, pohoi kabineti në një deklaratë me shkrim. Nga ana e saj, Shoqata e Punëdhënësve Detarë shpreson që bisedimet e ardhshme me Shërbimin Federal të Ndërmjetësimit dhe Pajtimit të jenë të frytshme dhe të mundësojnë një rikthim në tryezën e negociatave për të arritur shpejt në nënshkrimin e një kontrate kolektive të negociuar. Kontrata kolektive e punëtorëve të ngarkim-shkarkimit në portin e Montrealit ka skaduar që nga 31 dhjetori i vitit të kaluar.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada; Tourisme Quebec/Gary Norris; Getty Images/Skynesher