Kanada - Konservatori Scott Moe fiton sërish zgjedhjet në Saskatchewan
- Published in Kanada
Të hënën në mbrëmje (28.10) ashtu siç u paralajmërua edhe nga sondazhet, Saskatchewan Party e kryeministrit konservator Scot Moe arriti të fitojë mandatin e pestë radhazi në zgjedhjet provinciale në Saskatchewan, duke siguruar një shumicë prej 35 deputetësh kundrejt 26 për NDP të drejtuar nga Carla Beck. Në total Saskatchewan Party mori 232 760 vota (52,9%) ndërsa Neodemokratët 173 285 vota (39,4%).
Gjatë fushatës elektorale Scott Moe bëri disa premtime kryesisht për të përmirësuar përballueshmërinë e jetesës në provincë si dhe një rritje të alokimeve familjare për aktivitetet kulturore dhe sportive. Mazhoranca konservatore e rikonfirmuar në pushtet premtoi gjithashtu se do të përgjysmojë taksën provinciale të shitjes, duke e ulur nga 6% në 3%, përveç heqjes së taksës provinciale për karburantin 15 cent për litër dhe uljes së taksës mbi pronën me 65% për personat mbi 65 vjeç. Po ashtu Scott Moe deklaroi gjatë fushatës se dëshiron të aprovojë një politikë që do t’i detyrojë nxënësit e shkollave të provincës të përdorin dhomat e zhveshjes sipas gjinisë që u është caktuar që nga lindja.
Megjithatë, kësaj radhe fitorja e Saskatchewan Party ishte në përmasa më të vogla se para 4 vjetësh kur ajo siguroi 48 deputetë nga 61 gjithsej, ndërkohë që Neodemokratët u rikthyen fitues në disa zona. Sipas Stephen Kenny, profesor emeritus i historisë në Universitetin e Regina-s dhe vëzhgues i skenës politike të Saskatchewan, “ajo që ra më shumë këto zgjedhje ishte kontrasti i theksuar midis qyteteve dhe pjesës tjetër rurale të provinces” dhe kësisoj partisë fituese do t’i duhet të formojë një kabinet të ri ministrash, pasi disa ministra të mëparshëm nuk janë rizgjedhur, çka për Kenny do të thotë që “qeveria e ardhshme nuk do të jetë në gjendje të përfaqësojë qytetet”.
Nga kolegët provincialë, kryeministri i Quebec-ut, François Legault e përgëzoi Scott Moe duke u shprehur se “unë dhe ai jemi të ngjashëm në tendencën për të mbrojtur autonominë e qeverive tona brenda Kanadasë”, ndërsa kryeministri i Ontario-s, Doug Ford, teksa uroi homologun e rizgjedhur pohoi në rrjetin X se “qytetarët e Saskatchewan ishin të qartë: është koha të eliminohet një herë e përgjithmonë taksa skandaloze e karbonit e liberalëve”.
Saskatchewan Party që nga krijimi ka pasur një orientim konservator, por aktualisht synon të tërheqë edhe votuesit e qendrës. Ajo u themelua në vitin 1997 nga një koalicion i ish-anëtarëve progresistë-konservatorë dhe liberalë që synonin të largonin NDP nga pushteti. Në 5 zgjedhjet e fundit Saskatchewan Party ka fituar mazhorancën, tri herë me lider Brad Wall dhe dy herë me Scott Moe. Ky i fundit e zëvendësoi Brad Wall pas tërheqjes nga politika në janar të vitit 2018.
Kryeministri 51 vjeçar i Saskatchewan Scott Moe u zgjodh deputet për herë të parë në vitin 2011 dhe më pas mori pjesë dy herë në kabinetin e paraardhësit të tij Brad Wall, fillimisht si minister i Ambientit, ndërsa më pas i Arsimit. Ky ish-fermer i diplomuar në shkencat e Agrikulturës pranë Universitetit të Saskatchewan (Saskatoon) me origjinë nga bashkësia e vogël rurale Shellbrook, ia arriti me sukses në pak vite të afirmohej si lider i të djathtës në Saskatchewan dhe si ndër kryeministrat provincialë që ka reklamuar më shumë autonomi për provincën e tij dhe që ka kundërshtuar vazhdimisht politikat e Liberalëve të Justin Trudeau.
Saskatchewan, provincë boreale e prerive, shtrihet në një sipërfaqe prej 651,900 kilometrash katrorë (e shtata për nga sipërfaqja dhe e pesta për nga GDP, në rang Kanadaje) dhe njihet ndryshe edhe si provinca e 100,000 liqeneve. Ajo iu bashkua konfederatës kanadeze më 1 shtator 1905. Saskatchewan kufizohet në Perëndim nga Alberta, në Veri nga Northwest Territories, në Lindje nga Manitoba, në Veri-Lindje nga Nunavut dhe në Jug nga dy shtetet e SHBA, Montana dhe North Dakota. Sipas të dhënave të Statistics Canada të shtatorit 2024, popullsia e kësaj province arriti numrin 1,238,865 banorë. Aktivitetet kryesore ekonomike të provincës janë bujqësia (gruri, kanola) dhe minierat (potassium dhe uranium). Në Saskatchewan, jetojnë rreth 2,000 shqiptarë të vendosur kryesisht në Regina dhe Saskatoon.
© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada
Foto: CBC