Kanadaja planifikon të shpenzojë më shumë se një miliard dollarë për kufirin me SHBA
- Published in Kanada
Qeveria Trudeau po shqyrton gjithashtu ndryshime në politikat për azilkërkuesit
Qeveria liberale e Justin Trudeau po planifikon të shpenzojë një shumë të konsiderueshme për kontrollin e kufirit kanadezo-amerikan, në një tentativë për të zbutur presionet e presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe shmangien e vendosjes së tarifave doganore prej 25%. Sipas disa burimeve të afërta me CBC/Radio-Canada, shuma totale mund të kalojë një miliard dollarë, informacion ky i raportuar fillimisht nga Hill Times. Megjithatë, plani përfundimtar ende nuk është vendosur dhe skenarë të ndryshëm do t’i paraqiten së shpejti kabinetit të ministrave.
“Shumë ministri do të punojnë së bashku për këtë çështje. Do të shqyrtojmë të gjitha opsionet e mundshme,” deklaroi dje (09.12) në mëngjes Anita Anand, presidentja e Këshillit të Thesarit, gjatë një konference për shtyp në Ottawa.
Ditët e fundit, ministri i Rendit Publik, Dominic LeBlanc, me synimin për të forcuar operacionet e patrullimit, ka deklaruar objektivin për të rritur numrin e agjentëve kufitarë dhe për të blerë pajisje shtesë, si dronë dhe helikopterë, ndërkohë që javën e kaluar, Radio-Canada raportoi gjithashtu se Policia Federale Kanadeze (RCMP) po përgatitej të blinte 17 dronë të rinj, me opsionin shtesë për të blerë të paktën edhe 14 të tjerë.
Sipas dy burimeve të mirinformuara, qëllimi është që plani për kufirin të shpallet deri për Krishtlindje, disa javë përpara se presidenti i ri amerikan të nisë detyrën më 20 janar 2025
Në një intervistë të transmetuar të dielën (08.12) në rrjetin NBC, presidenti i zgjedhur Donald Trump përsëriti kërcënimin e tij për vendosjen e tarifave doganore prej 25% mbi të gjitha produktet që hyjnë në SHBA nga Kanadaja dhe Meksika.
“Jam një përkrahës i madh i tarifave doganore. Mendoj se fjala ‘tarifë’ është fjala më e bukur,” deklaroi ai në programin Meet the Press. Donald Trump shtoi se tarifat do ta bëjnë Amerikën “më të pasur”. Presidenti i zgjedhur kritikoi pasigurinë e kufijve dhe deklaroi se tarifat do të mbeten në fuqi për aq kohë sa droga, sidomos fentanili, dhe emigrantët “e paligjshëm,” do të vazhdojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.
Dy ndryshime në fushën e imigracionit
Sipas një burimi të konfirmuar, qeveria Trudeau synon gjithashtu të përdorë investimin në fushën e kufijve edhe për të bërë ndryshime në politikat e saj të imigracionit.
Strategjia është e dyfishtë: të reduktohen shqetësimet për doganierët amerikanë dhe të shmanget një rritje e mundshme e kalimeve të imigrantëve nga Shtetet e Bashkuara, nëse Donald Trump zbaton programin e tij për dëbime masive. Ottawa po shqyrton gjithashtu edhe mbylljen e një boshllëku që buron nga Marrëveshja mbi vendet e treta të sigurta. Aktualisht, personat që kalojnë në mënyrë të parregullt nga Shtetet e Bashkuara në Kanada dhe arrijnë të qëndrojnë 14 ditë pa u kapur, fitojnë të drejtën për të kërkuar azil.
Nga ana e saj qeveria Trudeau do tentojë të krijojë garancitë ligjore për t’i kthyer këta persona në vendin e tyre të origjinës, pa u dhënë mundësinë për të kërkuar azil, por megjithatë këta imigrantë do ta kenë ende mundësinë për të shmangur kthimin duke paraqitur një kërkesë për “shqyrtim të rreziqeve përpara dëbimit”, nëse provojnë se janë të rrezikuar nga tortura ose trajtime çnjerëzore në vendin e tyre të origjinës. Po ashtu Ottawa do të përpiqet të ndalojë praktikën e ashtuquajtur “flagpoling”, një metodë që përdoret nga mbajtësit e vizave të përkohshme (studimi ose pune) për t’i rinovuar ato shpejt dhe lehtësisht.
Praktika konsiston në daljen nga Kanadaja përmes një pike kufitare tokësore, pa hyrë në Shtetet e Bashkuara dhe në paraqitjen e kërkesës për rinovimin e vizës tek doganierët kanadezë, gjatë kthimit. Për mbajtësit e lejeve, kjo metodë shmang procesin e gjatë të aplikimit online ose me formular. Megjithatë, kjo praktikë shqetëson doganierët amerikanë, të cilët duhet të përballen me një qarkullim më të madh njerëzish.
Për të ulur presionin mbi doganierët amerikanë, qeveria Trudeau synon të krijojë pika shërbimi pranë qendrave të mëdha urbane në Kanada, ku mbajtësit e vizave mund të paraqesin personalisht kërkesën për rinovim pa qenë nevoja të dalin nga vendi.
Për momentin, nuk dihet ende me saktësi se cilat propozime do të kërkojnë ndryshime ligjore. Gjithashtu, nuk dihet ende nëse plani për kufirin do të paraqitet si projektligj i veçantë apo do të përfshihet në Deklaratën ekonomike të vjeshtës, që pritet të prezantohet së shpejti.
© Flasshqip me informacion nga CBC/Radio-Canada
Foto: Getty Images/Oleg Nikishin