Luftën e bëjnë familjet e Bllokut, por fajin e ka Saliu - Nga Ilir Levonja

Mamaja milionere, gruaja milionere, vëllai milioner, megjithatë Sali Berisha është “kërmë”. Kaq mjafton që nga një metropol i Amerikës të vjellë me një fjalor rrugaçësh, ordiner, më pisët se një kërmë, se çfarë është drejtësia dhe se kujt do ia japin votën shqiptarët në majin e vitit që vjen. Dhe kaq mjafton që ai standardi shqiptar, i cili nën efektin e lëngut të propagandës të vërshojë me duartrokitje, që si domethënie kanë atë që, rrofsh që po na vjedh, po na rrjep, po na pi gjakun etj., rrofsh dhe mirë ia bën atij “kërmës”.
Po t’i kthehesh pak memories, lali Eri e nisi me ca pankarta rrugëve të Tranës me një mision të gjatë, të ashtuqujturën lëvizjen “Mjaft”. Sigurisht me një sponsor të fortë nga mbrapa si Edi Rama dhe Sorosi, atëbotë kundër qeverisë socialiste të Fatos Nanos. Aq sa edhe ky u bë legjendë me togfjalëshin “mjaft o Erion, mjaft”. Mirëpo treni kishte nisur udhën, kësisoj përfshi ato grupimet e brendshme, plus inatin e Ilir Metës lëvizja “Mjaft” dhe Edi Rama ia morën pushtetin Partisë Socialiste.
Dhe nëse u vendos një standard demokratik, ku si PD-ja dhe PS-ja filluan një rotacion demokratik në hapjen e krahut, kasta e “Mjaft”-it, i vuri shqelmin. Pjesa e moderuar që vërtet e do vendin, e ka kuptuar prej kohësh që rotacionet e 2005 dhe të 2013 ishin pjesë e këtij standardi.
Ata që mendojnë se në 2005 Nano dhe në 2013 Berisha e humbën pushtetin, i presin drutë shkurt. Mund ta mbanin sa të donin, pasi pushteti nuk humbet asnjëherë zgjedhje, ndryshe Lukashenko, Maduro, Putini, do ishin harruar siç është harruar Silvio Berluskoni apo Toni Bler.
Në fakt kjo që po ndodh me lali Erin është lufta e ashpër mes grupeve të interesit në dominimin e pastrimit të parave, tregun e drogës, shto pastaj edhe zonat e influencës ku pa përjashtim gratë e aktuale janë kthyer në zonjat e “Bllokut” të dikurshëm.
Sot bota mbarë po shikon se si një shtet si Siria dhe qeveria e Bashar al Asadit, tregtimin e drogës e kishte burim të ardhurash për pasurimin e kastës rreth vetes dhe të ardhura fiktive për firot e buxhetit kombëtar.
Shqiptarët nuk e besojnë se vendi i tyre është sot një kryqëzim i transportit të kokainës, i pastrimit të parave, armëve, prostitucionit, pasi lëngu i propagandës e ka bërë punën e vet. Mjafton t’i thuash liderit të opozitës kërmë, i rrjedhur, palaço, legen plak, dhe automatikisht të lind e drejta të vjedhësh apo të ndash si të duash deri pasurinë kombëtare.
Lali Erit i thërrasin gruan dy herë në javë, i thërrasin vëllain, i kanë burgosur të gjithë drejtorët, ka akuzë për pastrim parash etj. Ndërkohë ka filluar një luftë e ashpër bllokiane mes familjeve Balluku, Veliaj, Rama, sa edhe gratë po bëjnë një luftë frontale virtuale, televizive, imazhi (kush e kishte parë Linda Ramën në Opinion), megjithatë fajin e ka Saliu.
Eshtë një larje hesapesh, por publike, bash në standardin e bolshevizmës së “Bllokut” të dikurshëm, një forcë pushteti, ndaj jo rastësisht shqiptarëve u arrestohet ish-Presidenti sikur të ishte kreu i Mafias. Po në bazë të këtij standarti do shikoni tani se si thërrasin çdo fillim jave gruan e lali Erit, nesër mamanë e tij, ashtu siç vepruan dje etërit me Naxhije Dumen, Fiqeret Sanxhaktarin etj.
Megjithatë fajin e ka Saliu. Dhe sa për dijeni, të shqiptarëve nuk ishte Saliu i pari që e dha foton e tij në një avion diku, ishte bota virtuale, web-et, Tiktok, Saliu ishte me vonesë. Megjithatë të gjithë i drejtohen Saliut, pavarësisht spastrimeve të grupeve të interesit.
© Ilir Levonja