E vërteta mbi përrallëtarët - Nga Arben Kallamata
- Published in Kulturë
Shënime mbi librin “Përrallëtarët e gjuhës shqipe” të Ardian Vehbiut
Sapo ktheva faqen e fundit të “Përallëtarët e gjuhës shqipe” të Ardian Vehbiut. Duke lexuar, mendja më kishte çuar shpesh diku në fillim të viteve 70-të, kohëra kur në shtëpi nuk kishte hyrë ende televizori dhe derisa të vinte ora e gjumit, mbrëmjet i kalonim kryesisht duke lexuar dhe komentuar për ato që lexonim. Më ka mbetur në mendje një natë kur im atë na lexonte pjesë nga një libër i botuar dikur në vitet 30-të, ku autori bënte humor me atë që Vehbiu sot e quan “turbo albanologji” dhe me dikë që e shpjegonte, për shembull, prejardhjen e toponimit “Thermopile” me shqipen e sotme. Shkruante se në betejën e famshme kishte marrë pjesë edhe një grup ushtarësh shqiptarë nga Korça dhe në britmat e luftës mbizotëronte thirrja: “There more Pilo!” Ergo - Thermopile.
Ndoshta prej asaj kohe, por edhe për arsye të shkollimit tim të mëvonshëm dhe një kurreshtjeje për gjuhësinë, i kam ndjekur me ëndje dhe humor përpjekjet amatoreske për të shpjeguar përmes shqipes fjalë dhe emra nga gjuhë e kultura të tjera dhe për ta shpallur shqipen gjuhën më të vjetër në botë dhe shqiptarët kombin më të lashtë në planet. Përralla të tilla i kam trajtuar me sarkazëm te dy librat e mi të parë, “Kronikë Bastardësh” dhe “Hijet e Muzgut”, siç kam bërë humor edhe në fejsbuk me përpjekjet për t’i nxjerrë me origjinë shqiptare të gjitha figurat e shquara të njerëzimit. Megjithatë, përmasat e budallallëkut i kanë kaluar me kohë të gjitha caqet dhe humori ndoshta nuk mjafton.
Përhapja e televizioneve private dhe më vonë e rrjeteve sociale i dha albanologjisë “patriotike” aq shumë hapësirë veprimi, sa shpejt u bë e qartë se nuk kishe më të bëje me atë babushin gjysmë të lajthitur që “emergency” e shpjegonte me shqipen “e-merr-e-gjen-si” (domethënë që makina e urgjencës mjekësore të vjen dhe të merr ashtu si të gjen), por me mashtrues profesionistë që sa vinin e bëheshin më agresivë.
Sot amatorizmi, sharlatanizmi dhe budallallëku kanë veshur petkun e erudicionit, kanë vënë përpara mburojën kuq-e-zi të nacionalizmit dhe, falë përkrahjes së medias, kanë mundur të rreshtojnë pas vetes një numër aq të madh syleshësh, saqë humori dhe sarkazma ndihen të pafuqishme.
Prandaj nevojiten libra si “Përrallëtarët...” i Vehbiut.
“Përrallëtarët e gjuhës shqipe” (Shtëpia botuese Naimi, 2024) është libër i nevojshëm për t’iu përballur me fakte e të vërteta shkencore albanologjisë fallco, jo sepse mungojnë studimet serioze në këtë fushë, por sepse ato, si gjithçka shkencore, janë një lloj letërsie e pakapshme nga publiku i gjerë. Të cituara gjerësisht nga Vehbiu, studimet e Çabejt, Topallit, Demirajt, Joklit, në fushën e prejardhjes dhe historisë së shqipes, përfaqësojnë arritjet më të mira të shkencës albanologjike, që vuajnë fatin e shkencës në përgjithësi, domethënë janë të vështira për t’u lexuar e kuptuar nga publiku i gjerë. Mungesa e kanaleve të komunikimit me masat është problem i vjetër i shkencës në përgjithësi, por është bërë veçanërisht i mprehtë në kohë si e tanishmja, kur debatin shoqëror, kulturor dhe shkencor e kontrollon mediokriteti.
Në ditët që jetojmë, çdo i paditur ka në dorë një tastjerë dhe një ekran celulari, një platformë ku shpreh mendimin ose mungesën e tij dhe gjen përkrahje e shumëfishon zërin për çfarëdolloj idiotësie. Mediokriteti i ka shpallur luftë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës mendimit elitar, racional dhe shkencor. Lufta kundër elitave, e keqpërdorur si slogan populist në politikë, është kthyer në obsesion për një masë të madhe njerëzish, që s’kanë kohë të mendojnë dhe në fushë përfitimi për sharlatanët e të gjitha ngjyrave dhe profesioneve.
Nga natyra shkencëtarët janë njerëz të heshtur, të përkushtuar në punën e tyre. Ata nuk janë shumë elokuentë, nuk e shkojnë kohën me rrjete sociale dhe programe televizive, nuk e ndjejnë të nevojshme të jenë karizmatikë dhe të fitojnë popullaritet dhe nuk shqetësohen për imazhin. Të bezdisur nga propaganda, ata komunikojnë me terma të ndërlikuar, me zhargone të vështirë profesionalë. Objektivisht, midis tyre dhe lexuesit të gjerë krijohet hendek.
Deri përpara përmbytjes që i shkaktoi medias së komunikimit përhapja e Internetit, shtypi i përditshëm perëndimor përpiqej ta bënte të kapërcyeshëm këtë hendek me anë të urave të krijuara nga njerëz të specializuar që quheshin gazetarë shkencorë (science writers). Çdo gazetë e madhe serioze e kishte një redaksi të veçantë për shkrimet shkencore. Njerëz me profil shkencor por me aftësi komunikuese dhe përgjegjësi profesionale i sillnin (dhe vazhdojnë t’i sjellin) lexuesit të gjerë në gjuhë të thjeshtuar, të kuptueshme, të rejat dhe debatet më të fundit të shkencës. Kushdo që ishte i interesuar mund të informohej saktësisht në fusha ku as që mund të mendohej se hynte ndonjë interes politik apo ideologjik.
Por jo tani. Tani shtypi është mbytur dhe mbuluar nga ujërat e turbullta të rrjeteve sociale. Për qëllimet e politikës, gazetaria serioze është përbaltur dhe njësuar me tabloidet dhe mashtrimet e rëndomta, duke e bërë thuajse të pamundur të besohet fjala e një gazetari, qoftë edhe kur shkruan për shkencë. E vërteta ka rënë në dorë të mediokritetit dhe papërgjegjësisë.
Në Shqipëri kanalet televizive private nuk kanë as kohë as nxitje financiare të merren me të vërtetën shkencore. Më shumë se pasqyrimi serioz i arritjeve shkencore atyre iu intereson sensacioni argëtues, ajo që tërheq vëmendjen e çastit për publikun. Është më fitimprurëse të ftosh në emision një sharlatan që shpjegon se si toka është e sheshtë, si gjurmët e avujve që lëshojnë avjonët janë helme që shpërndan “Iluminati” për të zvogëluar popullsinë, si një grup konspiracionistësh punojnë natë e ditë për të zhdukur brenda vitit 2024 banorët e planetit mbi 65 vjeç (kjo thuhej në 2020-tën), pra është më fitimprurëse të merresh me fishekzare, sesa të diskutosh të vërteta shkencore.
Në këtë klimë, ose më saktë duke krijuar këtë klimë mbinë ekraneve dhe zunë vend në diskursin kulturor edhe ata që Vehbiu i quan “turbo-albanologë”, gjuhëtarët nacionalistë, pseudo-shkencëtarët e historisë së shqipes, pellazgollogët e patentuar, përrallëtarët. Tashmë ata nuk janë më ai dërrasëmangëti simpatik, që tregonte gjëra për të qeshur në emisionet e Arjan Çanit. Ata janë shndërruar në specialistë, në të ftuar të rregullt, të cilëve iu merret mendimi seriozisht.
Nëse ka një shpresë për ta ndalur idiotësinë e pseudo-albanologjisë ajo qëndron te libra si “Përrallëtarët e gjuhës shqipe”. Në rolin e një “science writer”, Ardian Vehbiu di të kombinojë bindshëm njohuritë e thella për fushën e gjuhësisë me përvojën e tij mediatike dhe të japë një libër të kuptueshëm për të gjithë. Duke luajtur rolin e urës lidhëse midis shkencës dhe publikut të gjerë, ai zbërthen qetë e me durim deri në detaje dhe në mënyrë shkencore tymnajën e gënjeshtërt që mbështjell tezën e pakuptimtë të gjuhës më të vjetër të botës dhe shpjegon bindshëm se sa të gabuara dhe të papranueshme shkencërisht dhe logjikisht janë përpjekjet foshnjore për të zbërthyer gjuhë të gjalla e të vdekura përmes rrokëzimit në shqip.
Do ta rekomandoja “Përrallëtarët…” si lexim të detyrueshëm në të gjitha katedrat e gjuhësisë, për ata që i futen seriozisht studimit të shqipes, por sidomos për ata që e studiojnë përciptazi atë. Madje do të ishte një lexim i rekomandueshëm edhe për studentët e shkollave të mesme. Ndërsa fytyrat televizive që marrin guximin dhe ftojnë specialistë të gjuhës në emisionet e tyre duhet ta kenë studiuar në detaje.
Së fundi dy fjalë për patriotizmin. “Turbo-albanologët” kanë marrë flamurin e nacionalizmit shqiptar duke shpallur si anti-shqiptar dhe të shitur te serbi e te greku të gjithë Akademinë e Shkencave dhe çdo njeri që përpiqet t’i bëjë pak thirrje arsyes dhe të ndalë sado pak fantazitë e tyre anti-shkencore. Është shumë e kollajshme të rrahësh gjoksin si patriot dhe të bërtasësh lartë e poshtë se e do atdheun më shumë se të tjerët dhe se kushdo që nuk pajtohet me ty është tradhëtar.
Më e vështirë është të punosh për të mirën e përgjithshme, të përpiqesh për të vërtetën, t’ia duash të mirën popullit tënd duke bërë ç’është e mundur që ai të jetë sa më i denjë, sa më i kulturuar, sa më i shkolluar dhe sa më i ndriçuar. E ashtuquajtura lashtësi as ia shton dhe as ia ul vlera gjuhës shqipes. Argumenti se po përdor një gjuhë të stërlashtë nuk të jep asnjë përparësi në krahasim me të tjerët. Prejardhja nga ilirët, pellazgët, etruskët apo çdo lloj popullsie parahistorike nuk ka pikë ndikimi në prestigjin e një populli.
Mburrja boshe, pa prova shkencore, i ka vënë shumë bashkatdhetarë në pozita qesharake ndaj të huajve duke ia ulur prestigjin vendit. Shqipërinë nuk e do më shumë ai që bërtet lart e poshtë me qeleshen e bardhë të ngjeshur kokës. As ai që tund si i çmendur flamurin kuq e zi në stadium. Shqipërinë e do më shumë dhe e nderon ai që punon dhe ndihmon për përparimin e shqiptarëve, për përparimin ekonomik, kulturor dhe shkencor, duke përfshirë këtu edhe përparimin e shkencës së vërtetë albanologjike.
© Arben Kallamata