Mësimi më i rëndësishëm për kanadezët prej fitores së Donald Trump - Nga Gérald Fillion
- Published in Kanada
Gérald Fillion* - Analist ekonomik i Radio-Canada
E besoja se Donald Trump do të fitonte. Ashtu si shumë të tjerë, për tri arsye që i përmenda dhjetë ditë para zgjedhjeve: amerikanët kishin më shumë besim tek kandidati republikan për çështjet ekonomike dhe imigracionin, tregjet e prisnin fitoren e tij që nga fundi i shtatorit dhe diferencat e sondazheve ishin shumë të ngushta për të favorizuar Kamala Harris.
Sa i përket sondazheve, shumë ekspertë theksojnë se vota konservatore shpesh nënvlerësohet në to. Në shumë prej shteteve kyçe, të dy kandidatët dukeshin në barazim. Megjithatë, në realitet, Donald Trump i fitoi të gjitha, duke treguar sërish që teza e votës së nënvlerësuar konservatore është e saktë.
Sa për tregjet, të cilat sinjalizuan fitoren e Trump, mendimi im është ky: tregjet nuk dëshironin fitoren e tij, por ama po e ndjenin se çdo gjë po shkonte në atë drejtim. Do thoni ju: “Si ka mundësi?”
Pas këtyre tregjeve qëndrojnë investitorë, ekonomistë, grupe kërkimore në firma investimesh, që analizojnë sektorët, statistikat ekonomike, trendet, situatën gjeopolitike, të dhënat historike… dhe sondazhet. Vendimet për investime merren mbi bazën e këtyre analizave.
Lëvizjet e tregut reflektojnë këto vendime, pasi investitorët e mëdhenj kërkojnë gjithmonë të pozicionohen aty ku është potenciali më i madh për rritje. Kështu që nuk është e nevojshme të pritet mbrëmja e zgjedhjeve për t’u pozicionuar në një sektor kur analizat e parashikojnë këtë javë më parë.
Natyrisht, trendet mund të ndryshojnë, sondazhet evoluojnë dhe analizat duhet të përshtaten. Nëse të dhënat ndryshojnë gjatë rrugës, politika e investimeve rishikohet. Kështu funksionon çdo ditë.
Që nga fundi i shtatorit, normat e obligacioneve janë rritur, dollari amerikan dhe aksionet kanë vazhduar të përparojnë. Pse? Sepse investitorët prisnin një fitore të Trump, programi i të cilit mund të sjellë inflacion dhe stimulim ekonomik në afat të shkurtër, gjë që mund të ngadalësojë uljen e normës së interesit nga Rezerva Federale. Nga kjo, u përshtatën normat e obligacioneve në javët e fundit.
Disa thonë se është e çuditshme që tregjet u rritën kaq shumë të mërkurën, me një rritje prej më shumë se 1500 pikësh për Dow Jones, nëse fitorja pritej. E vërteta është se fitorja ishte më e madhe sesa pritej, dhe kjo nuk ishte parashikuar.
Kemi një president republikan që fiton votën kombëtare për herë të parë në 20 vjet, dhe republikanët pritet të kontollojnë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit. Për dy vitet e ardhshme, Donald Trump do të ketë dorë të lirë në çdo drejtim.
Por, mbi të gjitha...
Faktorë të tjerë shpjegojnë triumfin e Trump, por jam i bindur se kjo zgjedhje konfirmon fuqishëm se ekonomia mbetet forca kryesore për votuesin mesatar. Dukshëm, demokratët nuk kanë arritur t’u përgjigjen shqetësimeve dhe zemërimit të votuesve të lodhur nga rritja e çmimeve në treg.
Në një sondazh të publikuar të enjten (07.11) nga Wall Street Journal, mësuam se për 40% të votuesve amerikanë, përparësia ishte ekonomia. Nga këta, 60% votuan për kandidatin republikan.
Kostoja e jetesës u rrit shumë nën administratën e Joe Biden, ndërsa bota u godit nga një krizë inflacioni. Problemet me zinxhirët e furnizimit për shkak të pandemisë dhe luftës në Ukrainë, që rriti çmimet e produkteve ushqimore dhe energjisë, ushqyen një rritje të fortë të inflacionit nga 2021 në 2023.
Edhe pse inflacioni është rikthyer afër 2%, edhe pse papunësia mbetet e ulët në SHBA dhe PBB-ja është në rritje, familja mesatare amerikane (ashtu si edhe ajo kanadeze) duhet të paguajë shumë më shtrenjtë për shportën e ushqimeve sesa katër vjet më parë.
Kur mezi mbijeton nga një pagesë mujore në tjetrën, është e pamundur të pranosh retorikën politike që ekonomia po shkon mirë. Kjo thjesht nuk është reale për dhjetëra miliona njerëz. Ushqimi dhe strehimi përbëjnë të paktën gjysmën e buxhetit për shumë familje.
Presidenti Biden duket se nuk e kuptoi këtë realitet. Ose ndoshta nuk ishte në gjendje, ashtu si Kamala Harris që e zëvendësoi si kandidate verën e kaluar, të jepte një përgjigje të kënaqshme për çështjen e fuqisë blerëse.
Zemërimi për fuqinë blerëse
Në mbarë botën, qytetarët e goditur nga rritja e çmimeve priren ta drejtojnë zemërimin e tyre ndaj qeverisë në pushtet, veçanërisht kur shtetet kanë kontribuar në inflacion duke hedhur miliarda dollarë në ekonomi dhe duke mbështetur individët dhe bizneset gjatë pandemisë.
Jo vetëm që demokratët nuk e kanë dëgjuar dëshpërimin e familjeve, por shumë i akuzojnë ata se u larguan nga baza e tyre e punëtorëve, duke u fokusuar më shumë në politika për të drejtat individuale të disa minoriteteve. Politikanët konservatorë e kanë kuptuar mirë që çështja e identitetit gjinor, për shembull, është bërë një temë përçarëse në popull dhe nuk hezitojnë ta vendosin atë në zemër të debatit politik.
Mendoj se senatori i pavarur Bernie Sanders e përshkruan më mirë situatën e demokratëve kur shkruan: “Nuk duhet të na habisë fakti që Partia Demokratike, e cila ka braktisur klasën punëtore, të braktiset në mënyrë reciproke nga e njëjta klasë punëtore. Ndërsa liderët demokratë mbrojnë status quo-në, populli amerikan është i zemëruar dhe kërkon ndryshim. Dhe kanë të drejtë”.
Ai shton: “A do të nxjerrin ndonjë mësim nga kjo fushatë katastrofike pasanikët e mëdhenj dhe konsulentët me pagesa të majme që kontrollojnë Partinë Demokratike? A do të kuptojnë ata vuajtjen dhe alienimin politik të dhjetëra miliona amerikanëve? A kanë ndonjë ide se si të përballen me oligarkinë e fuqishme që ka kaq shumë pushtet ekonomik?”
Ironikisht, programi i Donald Trump mund të favorizojë të pasurit dhe bizneset, duke shkaktuar gjithashtu një rritje të mëtejshme të çmimeve me aplikimin e tarifave doganore mbi importet. Sidoqoftë, premtimi për të hequr taksat mbi bakshishet dhe orët jashtë orarit mund të ketë një ndikim pozitiv për shumë punëtorë.
Tek ne…
Do të ishte e gabuar të imagjinojmë që jemi të mbrojtur nga këto debate. Në realitet, ne jemi në të njëjtën situatë. Familjet po vuajnë nga rritja e kostos së jetesës dhe presin nga të zgjedhurit e tyre zgjidhje që do të përmirësojnë gjendjen e tyre.
Do të ketë politikanë që do të kenë zgjidhje të vërteta dhe angazhime reale ndaj votuesve. Të tjerë do t’u japin votuesve përshtypjen se po kujdesen për ta dhe se do ta përmirësojnë gjendjen e tyre. Do të ketë veçanërisht individë, burra dhe gra, që duan të dëgjohen dhe që do të jenë shumë të ndjeshëm ndaj atyre vendimmarrësve që do të dinë të kanalizojnë shqetësimet, frikën dhe zemërimin e tyre.
Siç thotë Bernie Sanders, shumë politikanë kanë nevojë të rilidhen me popullin. Njerëzit po vuajnë nga rritja e kostos së jetesës, shporta ushqimore që po shtrenjtohet dhe kostoja e banimit që vazhdon të rritet. Ata po vuajnë dhe janë të zemëruar që shërbimet për të cilat paguajnë taksa po përkeqësohen.
Një politikan në Kanada duket se e ka kuptuar këtë zemërim, ashtu si Donald Trump në SHBA, dhe ky është lideri konservator Pierre Poilievre. Nuk kalon asnjë ditë pa folur për rritjen e kostos së jetesës, strehimin dhe taksën e karbonit. A po i bën ai konstatimet e duhura dhe a ofron zgjidhjet e duhura? Do të shohim.
Ajo që ka rëndësi për çdo votues, në këto kohë të vështira, dhe ndoshta ky mbetet mësimi më i rëndësishëm nga rezultatit i zgjedhjeve presidenciale në SHBA, është të dijë se kush e dëgjon, kush e ndien dëshpërimin e tij, kush duket se e kupton vërtet cilat çështje shqetësojnë familjet.
Burimi: Radio-Canada, e shqipëroi nga Frengjishtja Flasshqip.ca
https://ici.radio-canada.ca/nouvelle/2118954/victoire-donald-trump-economie-inflation
Foto: Associated Press/Evan Vucci
*Autori është gazetari dhe kronisti kryesor i Radio-Canada i specializuar për ekonominë si dhe drejtues i programit Zona Ekonomike.