Letërsi

“Kazanova” në stallën e demave - Tregim nga Luan Rama

Kështu kishte ndodhur dhe herën e parë, dhe të dytën, e me radhë. Roland Gjati nuk e kishte menduar kurrë se në stallën e demave mund të shndërroheshe në një Kazanovë…

Ai ishte një burrë 30 vjeçar, i martuar dhe me ca mustaqe të zeza pis. Ishte shofer i Fermës Blegtorale të Sukthit dhe kishte një javë që kishte filluar të punonte me furgonin e tij të vjetër në stallën e demave dhe lopëve, ku që pa gdhirë vinte të merrte spermën e demave për ta futur në një kovë akulli e për ta çuar drejt e në qendrën e fermës ku ishte dhe laboratori qe merrej me ndërzimet artificiale. Ishte kohë krize dhe ushqimi i familjeve në qytet ishte bërë me triska: 6 vezë, një pulë, një kg. mish, ose gjysmë kg. sallam për familje në javë. Veç këtyre dhe vaji, sheqeri, etj., ishin rralluar. Duhej të ngrihesha që në orën dy pas mesnate dhe të mbaje rradhën e qumështit, e megjithatë nuk i dihej nëse i merrje dy litra apo jo… vetëm dy shishe qumështi. Ja pse shtabi i fermës kishte filluar të ndihmonte kryeqytetin me shtimin e viçave për mish, por shumë shpejt ata e kuptuan se kjo ishte si një pikë uji në oqean, se prodhimi ishte sidoqoftë i vogël, por askush nuk guxonte ta thoshte këtë.

Tashmë një vapor i madh me mish të ngrirë, pa shije, nga frigoriferët e Argjentinës, që kushedi kur ishte futur, thuhej se po mbërrinte në portin e Durrësit, dhe që gojët e “liga” thonin se vinte që nga rezervat e Luftës së Dytë Botërore. Madje nuk dihej se ç’ishte, mish lope, kali, bizoni apo ndonjë kafshë tjetër e panjohur nga shqiptarët. Por sa dëgjonin revoltën e zorrëve, ata mendonin se më mirë të hanin mish, se për të vdekur nuk do të vdisnin. Dhe imazhi i asaj anije gjigande në ujrat e Adriatikut lundronte në mënyrë mistike sikur brenda saj të fshihte një enigmë të madhe. Sidoqoftë, sperma merrej nga demat dhe ndërzimet vazhdonin. Ai që më parë e sillte në laborator ishte futur në burg se ishte ngatërruar me këmbimin fshehurazi të napoleonëve flori me 70 lekë të vjetra, florinj që kishte fshehur dikur gjyshi i tij. Kështu që tani ishte Rolandi i cili duhej ta bënte këtë detyrë. Ai s’ishte nga ata që ngatërrohej me këto punë “me spec”. Shumë-shumë bënte ndonjë kurvllëk të vogël dhe kaq, se i kishte për zemër ato punë: të pinte dhe të bënte seks ku t’i dilte. Ishte i zoti në të dyja.

Çdo të hënë nxitonte me furgonin e tij dhe shkonte drejt stallave, ku njëra nga punonjëset, i zgjaste një kavanoz të mbështjellë me spermën e dy demave që kishin atje. Ai e fuste në një lloj kove me akull, ia dorëzonte dhe ky ia mbathte përsëri drejt qendrës. E kishte bërë këtë punë 3-4 të hëna dhe një ditë u bë kureshtar se si ua merrnin spermën demave. Madje këtë ia kishte futur në kokë një shoku i tij.

- Hë, ç’thotë puna e re?

- Shkëlqyeshëm, “pallë” ariu, - i ishte përgjigjur me shprehjen popullore të atyre kohëve. - Marr spermën dhe e çoj në laborator.

- E ke parë si ua marrin demave?

- Jo!

- Po ti qenke budalla… shko e hidh një sy e na thuaj…

Kështu, atë ditë, e la furgonin e tij në errësirë, në mes të sheshit, dhe u afrua tinëz drejt stallave. Hyri brenda dhe i habitur pa Merushen, brigadieren, një punonjëse e dalluar e tabelës së emulacionit që fërkonte koqet e demit. Nuk u besoi syve edhe pse dyshonte në diçka të tillë. Merushja, një grua e bëshme me tre kalamaj, jepte e merrte me penisin e demit deri sa demi fillonte të hungërinte fort dhe atëherë, pa u gabuar, ajo afronte gotën t’i merrte spermën. Pastaj, në një kavanoz tjetër ajo fillonte me demin tjetër. Pranë afronte një kovë me ujë ku i lagte duart që ajo punë të bëhej sa më mirë dhe pa vështirësi.

Roland Gjati ndjeu të burrërohej dhe t’i lëviznin pantallonat dhe leqet e këmbëve. Sigurisht, do të donte t’i hidhej Merushes, por Merushja ishte grua hijerëndë dhe autoritare, si ato të garave socialiste. Kushedi më bën ndonjë punë mendoi… Kur demi i dytë filloi të hungërijë, ai u tërhoq ngadalë dhe vajti drejt sheshit pranë furgonit. Merushja erdhi pas pak tek dera e stallës me dy kavanozët dhe ai i vendosi në akull. Pasi ndezi makinën, ai u nis drejt qendrës, ku ndodhej laboratori.

Gjithë atë ditë i shfaqej figura e Merushes, me shalët e hapura dhe kovën te këmbët, që jepte e merrte me demin që ta sillte në formë gjersa të shkrehej fare. Madje dhe nëpër ëndërr iu duk sikur atë çast i ishte sulur Merushes nga pas, por menjëherë ishte sprapsur nga frika. Merushja ishte e para e tabelës së emulacionit, pararoja e fermës, e cila një vit më parë ishte zgjedhur delegate dhe në Kongresin e Gruas, dhe s’i dihej, mund ta hiqnin nga puna…

Të hënën tjetër mori vesh se në vend të Merushes do të ishte Bardha, një vajzë 25 vjeçare. Gratë ndërroheshin me njëra-tjetrën. Bardha ishte një topolake e lezetshme, e shkurtër, e qeshur gjithnjë e plot shaka. Ishte beqare dhe thonin se ishte me biografi jo të mirë. “Se ç’ka një kleçkë në biografi”, pëshpërisnin në fermë dhe kështu vitet shkonin dhe ajo ende s’po martohej. Kështu, që herët pa gdhirë, Rolandi ishte nisur drejt stallës. Kur u afrua, Bardha sapo kishte filluar atë punë. Këndonte një këngë për punëtoret e prodhimit të xhamave të Kavajës që sapo ishte shfaqur në televizion dhe jepte e merrte me penisin e demit. Më së fundi demi hungëriu. Rolandi ishte afruar, i eksituar si kurrë ndonjëherë nga këmbët e hapura të Bardhës dhe gjinjtë që i dukeshin nga bluza e hapur e që tundeshin gjithë lezet. Dhe kështu, i ishte sulur Bardhës që ende mbante penisin e demit në dorë. Në fillim Bardha qe trembur dhe lëshoi një uau, por kur e pa që ishte Rolandi, duke qeshur i tha:

- Na more, se na theve qafën!

Por Rolandi i kishte futur duart nëpër gjinj e nëpër shalë dhe aq donte Bardha, se ishte nxehur që më parë e shkreta dhe një fije shkrepse donte e të digjej fare.

Kështu shkoi agu i asaj të hëne. Rolandi kishte rrëmbyer kavanozët nga duart e Bardhës, i kishte vënë në kovën me akull dhe ishte nisur gjithë shend e verë.

Kjo punë me Bardhoshen vazhdoi disa herë. Bardhoshja fillonte këngët me ritëm, herë ato të Irma Libohovës e Ema Qazimit dhe herë të Alida Hiskut, pa le kur këndonte ato të Parashqevi Simakut. Shkrihej fare… Vazhdonte deri sa shfaqej figura e uritur dhe gjithë vrull e Rolandit. Por një ditë, kur mori vesh se Bardha do të ndërrohej me Katerinën, një bionde shtatlartë dhe me vithe të ngritura që shumëkush e kishte zili, Rolandit iu ndezën “llampat”. Katerina kishte një fëmijë dhe prej dy vjetësh ishte ndarë nga burri që siç thonin, kishte qenë një xheloz i madh, e sherr pas sherri, më së fundi ai e kishte rrahur dhe ata ishin ndarë. Partia më së fundi kishte vendosur: të ndahen, karaktere që nuk puqen. Formula ishte e njohur tashmë. Punë karakteresh.

Atë të hënë, Rolandi ishte prehur keq. Kishte tre ditë që mendonte se si t’i shfaqej dhe në ç’moment. Skena të ndryshme i shfaqeshin si copëza të një filmi erotik ku trupat e tyre shtyheshin e kërlesheshin të shfrenuar. Filmi “8 e gjysmë” i Felinit që kishte parë fshehurazi në televizor e kishte ndezur akoma më keq. “Bota di të bëjë seks kishte thënë, jo ne shqipot që kemi mbetur si të tredhur…”

Tani ia kishte marrë dorën. Ishte një natë e ngrohtë vere dhe yjet ende s’ishin shuar në qiell. Ai e la makinën si gjithnjë në sheshin e stallës, shuajti dritat e forta dhe ngadalë iu afrua vendit ku rrinin dy demat. Demi i parë hungërinte dhe ai e mori vesh se Katerina do kishte mbaruar punë me të parin. Katerina këndonte një këngë të Vaçe Zelës, që rinia e këndonte shumë ato kohë. Dhe ja, Rolandi nuk priti, por iu hodh përsipër si një skifter i vërtetë. Ajo sapo kishte lagur duart me ujë dhe kishte filluar të punonte me demin e dytë, kur figura e Rolandit iu shfaq përpara gjithë furi, duke e pështjellë me të dyja duart dhe duke ia ngjeshur buzët si ushunjza në gojë. Katerina s’kishte kohë të thërriste se ai e kishte hedhur poshtë dhe i kishte futur duart atje ku duhej. E shkreta Katerinë, e kishte prekur atje ku s’mbahej më. Ashtu e ndezur siç ishte dhe ajo, e la Rolandin duke i thënë:

- Hë more dreq se na trembe! Ç’po bën kështu?

- Hiç asgjë! - pëshpëriti Rolandi dhe humbi i mjeri si t’i kishte rënë zalia.

Rolandi qeshi dhe e ngjeshi aq fort saqë asaj i kërcitën kockat, por edhe i erdhi mirë se ku ta gjente një hamshor të tillë. Pastaj, kur mbaroi punë, ai e la Katerinën të shtrirë ashtu mbi bar, me këmbët e hapura në dehje e sipër duke thirrur: “O, Shën Mëria ime, ç’po ndodh kështu me mua?!” …

Rolandi shkoi të ndizte një cigare por nuk ndënji gjatë, se demi i dytë hungëriti dhe ajo u hodh përpjetë, mbushi kavanozin dhe pas pak, ashtu duke qeshur, me kavanozët në duar erdhi drejt tij dhe ia dha.

- Për Shën Mëri, thashë se më theve kurrizin…

- Vdeksha unë për ty! - i tha ai i gëzuar dhe pasi i hipi furgonit, iku me të shpejtë drejt qendrës së fermës.

Kështu kaloi ajo verë. Rolandi ishte më i kënaqur se kurrë, aq sa një shokut të tij në një birrari i kishte treguar se si i kishte marrë me rradhë ato stallieret e fermës. Tjetri i kishte kërkuar të shkonte dhe ai të shihte se ç’bëhej, por Rolandi nuk kishte pranuar.

- Je bërë si Kazanova! - i kishte thënë shoku i tij.

Rolandi fryhej gjithnjë e më shumë dhe që nga ajo ditë, shumë shokë e thërrisnin Kazanova. Dhe një ditë, ai filloi të gërmojë rreth personazhit. Cili ishte Kazanova, çfarë kishte bërë, që e mbanin me kaq të madh? Përse e lidhnin me seksin? Në fakt një shoku i tij me një antenë të sajuar, meqë atëherë ishin mbyllur kanalet e huaja dhe shihej vetëm Radio-Televizioni Shqiptar, kishte parë një film në televizionin italian, ku heroi kryesor ishte Kazanova, një fisnik që bënte kërdinë në shtresat e larta të shoqërisë, ndër konteshat dhe princeshat e oborreve mbretërore. I xhvishte gratë e kontëve dhe princave, u rrihte vithet sa ua skuqte, u bënte seks si një gomar dhe pastaj i përcillte gjithë fjalë të ëmbla, madje u recitonte dhe poezi.

Të shtunën në darkë, shoku i tij e kishte ftuar të shikonin serinë e tretë të filmit “Kazanova”. Në atë dhomë të vogël, ishin mbledhur atë natë nja dhjetë të rinj që prisnin të fillonte filmi. Por ekrani ishte i mjegullt dhe figura filloi të luhatej e më së fundi dëgjohej vetëm zëri. Të rinjtë shfrynin të pakënaqur.

- Më duket se ka lëvizur antena, - tha dhe i bëri shenjë Rolandit se po shkonte të ngjitej në taracë, ku kishte ngritur antenën magjike të tij, të sajuar me një kanoçe të çuditshme qumështi të koncentruar që dikur vinin nga Kina, të quajtura “Qumësht Milk”.

Ndërkohë që kishte hipur në taracë për të lëvizur antenën, figura u shfaq sërish në ekran, por papritur u dëgjua një klithmë dhe pastaj një zhurmë poshtë në tokë. I mjeri ishte rrëzuar dhe tani rënkonte nga këmba e thyer.

Kështu, Rolandi nuk e pa atë natë heroin e tij.

Ditë të tjera kaluan. Historitë me Bardhën dhe Katerinën kishin filluar ta ftohnin me gruan. Kur binin në shtrat ajo kërkonte ta afronte nga vetja dhe të bënte detyrën “patriotike”, por Rolandi i nxirrte njëmijë histori dhe gjithnjë hiqej se kishte patur shumë punë dhe ishte i dërmuar fare. Madje tashmë kishin filluar dhe zënkat në familje, aq sa një ditë ia hodhi fjalën dhe vjehrra e tij. Gruaja filloi ta ndiqte por nuk i shkonte mendja se ç’bëhej në stallat e demave.

Tashmë, Bardhën, apo Bardhoshen siç e quante ai së fundi, nuk e parapëlqente më. Kishte zënë karar me Katerinën, sepse ndryshe nga Bardhoshja që s’nxirrte zë, ajo klithte me të madhe dhe kjo e ndizte akoma më shumë.

Por një ditë, në qendrën e fermës, zootekniku, një specialist që kishte studjuar dikur në Bullgari, por që e kishin larguar vitin e fundit, meqë Enveri i kishte thënë “Jo” Hrushovit, po fliste me drejtorin, një barkaluc me një kaskete në kokë. Atë kohë sapo kishte dalë moda e kasketës, pasi kishin parë Enver Hoxhën që para se të vdiste, në vitet e fundit, kishte hequr kapelen “republike” dhe mbante një kasketë, siç mbanin kinezët. Drejtori i ankohej se s’po ecte fare puna e ndërzimit artificial dhe pjelljet e lopëve kishin rënë shumë.

- Po ç’të bëjmë drejtor! Demat duhet të hanë e po kështu dhe lopët… tani të gjithë janë sulur të bëjnë tokat për patate dhe s’ka bar të njomë.

Drejtori e kishte parë vengër dhe i ishte përgjigj i nxehur.

- Ore jeton me situatën ti, or shok, apo jo… A e ke dëgjuar këngën “Enver Hoxha e mprehu shpatën dhe njëherë për situatën”? Ne ju kemi sjellë koçanë misri me shumicë, le të hanë ato.

Zootekniku e kishte vështruar i dëshpëruar dhe s’kishte folur. Pastaj kishte shtuar:

- S’po na vinë as demat e Francës?!

- Pse, pak dema ka Shqipëria? Po ne shqiptarët ç’jemi? Ju është bërë mendja Francë!

Zootekniku tundi kokën trishtë. E ç’ti thoshte këtij njeriu që kishte dy klasë shkollë dhe na e kishin bërë drejtor. Pa le, na u prek dhe në sedër në potencën mashkullore!?

Por ndërkohë drejtori vazhdoi duke përmendur emrin e një peshëngritësi shqiptar që në një olimpiadë botërore kishte marrë çmimin e parë në peshën “pupël”:

- Ymer Pampuri i vogël është, por punën e bën të madhe!

Pastaj ai kishte hedhur sytë dhe kishte pikasur Rolandin e pispillosur me një kasketë si të tijën. Menjëherë iu frynë bulçitë dhe iu hakërrua.

- Ti Gjati… na qënke bërë dhe ti për kasketë!

Rolandi e hoqi shpejt kasketën dhe u tërhoq menjëherë si hije. U largua se ç’i duhej, kushedi… madje nesër mund ta kërkonin si dëshmitar rreth qëndrimit të zooteknikut. Por sidoqoftë sperma e demave ato kohë ishte më e pakët dhe lopët pillnin më pak viça. Por Rolandit as i bëhej vonë për këtë: mjafton të merrte spermën nga stallat dhe ta sillte në qendër. Kjo ishte detyra e tij. Por pak kohë më vonë pikasi se dhe ai nuk ishte aq në rregull me spermën e tij. “Gjithçka varet nga ushqimi”, mendoi ai. Madje Berti, shoku i tij i kishte thënë se duhej të hante sa më shumë vezë. Po ku ti gjente vezët?... Atëherë i shkuan sytë tek një shitëse vezësh, një shëmtirë që nuk i gjeje një të dytë. Po ç’rëndësi kishte imazhi, rëndësi kishin vezët… dhe atëherë filloi ta “kruajë” dhe me shitësen e vezëve. Dhe shpejt, në kabinën e tij pikasje të shpërndara andej-këndej lëvozhgat e vezëve, sikur të ishte punonjës pularie.

Një ditë tjetër dëgjoi se Merushen do ta çonin përsëri te demat që ta merrte situatën në dorë, si organizatore e madhe që mbahej. Me ta dëgjuar këtë, i erdhi keq që po i ikte Katerina, por dhe e ngacmoi idea se kushedi, i ecte dhe me Merushen… Pra mendja i rrinte tani te Merushja, ajo gruaja e bëshme, me një lëkurë të bardhë dhe ato faqe të kuqe, që siç thoshte populli ishte për ta pirë në kupë. Sa herë kalonte nga tabela e emulacionit, shikonte fotografinë e saj, pasi Merushja ishte nga ato të pararojës. “A do të jetë në pararojë edhe në atë punë?” - pyeste me vete Rolandi dhe hë sot e hë nesër, matej t’i kërcente edhe asaj. Dhe rasti erdhi. Të hënën që do të vinte i thanë se në stallë do të ishte përsëri Merushja. Atë ditë u ngrit herët, ktheu nja dy gllënka të mëdha konjaku, që të merrte zemër dhe u nis drejt stallave. Ishte dita e sprovës së madhe.

Merushja sapo kishte filluar, duke afruar kovën e ujit pranë këmbëve. Si gjithnjë, ajo kishte hapur shalët pa ndroje dhe kishte filluar nga ajo punë, pasi populli kishte nevojë për sa më shumë viça dhe viçat vareshin nga dy demat e fermës. Jepte e merrte Merushja me penisin e demit të parë, gjinjtë e fryrë i tundeshin, kur ndërkohë Rolandi ishte afruar nga pas me ata dy sy të vegjël që i shndrisnin. Pantallonin e kishte zbërthyer dhe e kishte nxjerrë seksin e tij, të fryrë e gati për veprim. Me një të kërcyer ai iu hodh Merushes, duke i thënë:

- Oh, të keqen Rolandi ty!...

Merushja desh u rrëzua, por e fortë siç ishte dhe me sytë që i kërcyen nga inati u ngrit menjëherë si shqiponjë. Demi hunguroi dhe kova pranë u përmbys. Ajo ktheu kokën dhe i klithi:

- Kujt ia bën këto more vagabond! Nënës tënde?!

Dhe ajo i zgjati dorën drejt seksit, ia kapi me forcë dhe ia përdrodhi me dorën e fuqishme të saj.

- Na moj se më vrave!

Dhe Rolandi ia dha klithmës.

- Hajt, qërohu tani që këndej… maskara!... Horr horri!

Rolandi filloi të ecte këmbadorazi deri sa doli nga stalla duke mbajtur koqet me duar. Dhe po ashtu, me duart në seksin e tij, hodhi hapat gjithë dhembje drejt furgonit të tij. Dhe ai vetë u çudit se si mundi të hipte dhe të ndizte makinën, pasi dhembjet ishin të tmerrshme.

Atë ditë sperma nuk u dërgua në kohë në destinacion. Merushes i vinte turp të tregonte se ç’kishte ndodhur atë mëngjes që pa gdhirë. Ishte burri i saj që me një motoçikletë e kishte çuar më vonë atë në laborator. Duheshin viçat për popullin!...

Që nga ajo ditë, Merushja nuk e pa më “Kazanovën”, madje as Bardhoshja me Katerinën.

- Di gjë se kur do të kthehet nga spitali? - e kishte pyetur një ditë Katerina brigadierin.

Por brigadieri i ishte përgjigjur se Rolandi kishte çuar lajm se kishte thyer keq këmbën dhe kushedi kur vinte. Madje e kishte futur në allçi.

- Gjynah i shkreti! - kishte pëshpëritur Katerina.

- Me një këmbë si do ia bëjë tani! - i qau hallin Bardhoshja.

Por sidoqoftë, Kazanova nuk u shfaq më në fermë. Ishte zhdukur. Në vend të tij erdhi xha Thanasi, një burrë i vjetër disi gungaç, në prag të pensionit, që mezi i tërhiqte këmbët meqë vuante nga mëlçia, por makinës i jepte mirë. Thanasi nuk ishte kureshtar si Kazanova dhe e dinte se ç’bëhej me demat, por kur stallieret i sillnin kavanozat, ai bënte shaka:

- Hë, u mbushën?

Gratë qeshnin dhe ai ikte drejt furgonit duke dëgjuar pas të qeshurat e tyre. Sidoqoftë, ato vite krize, dy dema të Normandisë më së fundi erdhën me ceremoni. Madje kishte ardhur dhe një nga personeli i Ambasadës Franceze dhe drejtori i fermës, i cili kishte ngritur dolli për miqësinë midis Francës e Shqipërisë dhe bujarinë franceze. Lopët u mbarsën mirë, por ç’e do se plani nuk mund të realizohej aq sa të shpëtohej populli nga uria dhe të mbahej një qytet i tërë. Populli vazhdonte me triskat e ushqimit, gjithnjë e më keq. Që nga ajo kohë nuk u fol më për “Kazanovën”…

© Luan Rama