Letërsi

Diskurs mbi një poemë bashkëkohore me tematikë biblike të Ilirian Zhupës - Nga Vangjush Ziko

Ky diskurs ka për objekt studimin e poemës me tematikë biblike dhe tokësore “Qielli im” të poetit Ilirian Zhupa.

Përvoja letrare botërore njeh dy mënyra të trajtimit të temave biblike. Atë të ritregimit të tematikës biblike dhe atë të trendit të rikrijimit të historive krejt të reja të frymëzuara nga motivet biblike.

Studiuesit veçojnë tre tipe të interpretimit të poezisë me tematikë biblike:  tipin empathetik, tipin eiditismik dhe tipin enigmatik, veç e veç ose të gërshetuar midis tyre.

Metoda kryesore, që ndjek poeti në këtë poemë, është tipi eiditismik, i cili e lejon poetin që të krijojë histori të frymëzuara nga Bibla duke përdorur sintezën, analizën, përgjithësimin dhe krahasimin.

Kapitulli i parë i kësaj poeme mban titullin “Ati”.

Poeti e nis perifrazimin e mitit biblik duke gërshetuar metodën eiditismike me atë enigmatike.

Poeti e fillon poemën me enigmën e ekzistencës së Zotit dhe të qiellit të parashtruar prej heroit lirik të poemës.

Ati, në kuptimin biblik, Zoti, është enigmatik për këtë hero lirik: “s’e shoh asgjëkund”, ai ndodhet “sipër nesh, brenda nesh, përbrenda...në qiejt e lartë pafund”; ai “gatuan në magjen e rrallë/Dritë, terr e rrufe.”

Qielli ku jeton Zoti, për heroin është “zhgualli i gjallesës (së tij) të brishtë,/Lëkura e tokës që fsheh ethe dhe plagë të gjakta”.

Heroi lirik ka një këndvështrimi agnostik.

Njohuritë e tij i kundërvihen njohjes së zakonshme. Ai e arrin njohjen e botës vetëm nëpërmjet intuitës. Bota materiale për të nuk është e përkryer.

Për këtë hero fillesa e vërtetë shpirtërore ekziston përtej caqeve të njohjes së tij:

“Piktura ime në qiell, s’ngjan me pikturën time në tokë, është ndryshe,

Atje prej avujsh dhe drite, këtu prej mishi, uji dhe kocke të mprehtë,

Atje një pikture futuriste,

Këtu një statujë e zënë në rrjetën e hijes së vet.”

Në kapitullin e dytë “Biri” autori operon me metodën e empatisë, të cilën e përdor për të shprehur emocionet e veta, një mënyrë kjo për t’u rimbushur dhe për të shmangur lodhjen emocionale, që i ka shkaktuar jeta:

“Pasqyrë ku shikohen të gjitha dhe s’mbetet asgjë,

Qielli im, fanepsje kujtese dhe ëndrre,

Një jetë të tërë jam endur mes botës që u bë dhe u zhbë,

I veshur me avujt e frymës tënde.

Hamak i varur në degë të parrokshme nga syri,

Ku përkundemi nga pak të gjithë njëri pas tjetrit,

Unë, deti, shpendët, kafshët, bari dhe pylli,

Të gjallët dhe të vdekurit.

Kapriçio pasqyrash të thyera ku kryqëzohemi të rrojmë,

Gjendemi, humbim, vazhdojmë...”

Pjesa e tretë “Shpirti” e mbyll poemën.

Poeti e koncepton shpirtin si fuqi jetike dhe frymë, e cila, sipas Biblës, nënkupton fuqinë e padukshme, dritën dhe frymën “e zbritur në mënyrë të mistertë/te trupi dhe gjaku ynë”.

Shpirti është fuqi jetike, një gjendje shpirtërore: ai “zgjo(n) botën” dhe e ndihmon për t’i rritur së bashku “frymën, shpirtin dhe pastaj dashurinë”:

“Në këtë grumbull të shkretë dheu, uji, balte dhe zjarri,

Gjithçka ish e fjetur në gjumin e madh e pa zgjim,

Gjersa erdhi një avull e mjegull e lehtë për së pari,

Si frymë.

Gjersa toka veshi këmishën e saj të ajërt, të lehtë,

Duke bërë alkiminë e lëndës dhe dritës,

Nga të cilat ca grimca të vogla dolën në jetë,

Prej shpirtit.

Në botën që zgjohej,

U rritën bashkë që të trija,

Fryma, shpirti dhe pastaj dashuria.”

Kjo është brendia dhe tematika kryesore e kësaj poeme të krijuar nga poeti Ilirian Zhupa.

Tematika biblike në poezinë shqipe është një tematike e trajtuar në krijimet poetike që njohim që prej Bogdanit, te Rilindasit tanë dhe në poezinë e viteve '30-të të shekullit të kaluar, tematikë e cila në përgjithësi, na përcillet, kryesisht, në këndvështrimin fetar biblik.

Poeti Ilirian Zhupa na ka sjellë një këndvështrim të ri modern në trajtimin e kësaj tematike.

Ai ka përdorur perifrazimin dhe shtjellimin kompozicional të ecurisë së tregimit biblik, trininë : Ati - Biri - Shpirti.

Ka përdorur detaje, figura dhe simbole biblike, pa rikrijuar histori krejt të reja të frymëzuara nga motivet biblike.

Ai i qëndron besnik konstruktit të mitit biblik, të figurave dhe të simbolikave biblike.

Ka ruajtur Trininë e Shenjtë si skemë kompozicionale të poemës së vet.

Nuk le pa përmendur personazhe simbolike biblike: Noja, Maria, Juda, Ponci Pilat.

Përdor terminologji specifike biblike: “Në emër të Atit dhe Birit”, “Në emër të Shpirtit (të Shenjtë)”.

Ai heq paralele midis rrëfimeve biblike dhe jetës së vet, për kohën në të cilën jeton mbi Dhe:

“Dy qeniet e mia të dashura.

Nëna e atit, Maria, i lutej Zotit çdo mbrëmje për mua,

Birin e birit të saj të vetëm.

Por nuk e dinte se do të kryqëzohesha dhe unë dikur si Jezuja,

Në vise të tjera dhe nën një qiell tjetër.”

Poeti e pranon hipnozën e besimit te Zoti dhe te Qielli:

“I pari vizitor që u nis nga toka për të arritur në qiell, thonë ishte Jezuja.

Që shkon dhe kthen si korrier midis nesh dhe Atit të madh...

Qysh kur kuptuam këtë braktisje të shenjtë, deshëm të shkojmë dhe ne,

Në qiejt pa fund, si fëmijtë mëkatarë të mbushur me lakmi dhe ëndrra,

Ndaj kemi çuar më parë gjërat tona më të dashura atje,

Duke mbetur vetë bosh nga brenda.”

Ai ndërhyn në rrëfimin biblik duke sjellë detaje dhe kujtime nga jeta e vet:

“Jam ngjitur në malin e Çikës e në pemë, kam zbritur në shpella e në hone,

Me gjunjët e rrjepur, duart e vrara dhe fytyrën plot vraga,

Që m’i mjekonte netëve gjyshja e thinjur dhe një hënë krejt bjonde,

Dy qeniet e mia të dashura.

Nëna e atit, Maria, i lutej Zotit çdo mbrëmje për mua,

Birin e birit të saj të vetëm.”

Ai heq një paralele midis “kryqëzimit” të tij shoqëror e politik, të mërgimit të tij me kryqëzimin e Jezu Krishtit:

“...nuk e dinte se do të kryqëzohesha dhe unë dikur si Jezuja,

Në vise të tjera dhe nën një qiell tjetër.”

Poeti mediton mbi pyetjen e përjetshme të ekzistencës njerëzore, mbi lindjen dhe vdekjen:

“Qielli që më gatuan mua, duke përzier pak ujë dhe baltë,

Dhe bën të mpiksem në trajtën që kam me errësirë dhe dritë,

Me një fytyrë të paqtë në fillim si ëngjëjt që enden lart e më lart,

Pastaj me një fytyrë të bardhë që ngjan me perënditë.

Qielli që më thotë se rruga për tek ai kalon përherë nën dhe,

Me një varkëz sa trupi, ndërtuar nga drurët e pyllit,

Përmes një deriçke të vogël, që të dashurit hapin nën tokë për ne,

Që të na nisin drejt qiellit”.

Poema është një analizë dhe një sintezë e rrallë poetike dhe filozofike e rrëfimit biblik mbi jetën e përkorë të Tokësorit në shekullin tonë.

Boshti i kësaj poeme është heroi lirik i cili e shtjellon fabulën biblike nga një këndvështrim modern.

Poeti gjen, kështu, alteregon e vet për të folur për Biblën, për botën qiellore dhe për jetën tokësore, për idealet dhe dëshirat e veta njerëzore.

Ky hero lirik është elementi më thelbësor simbolik dhe artistik, që është ndërtuar sipas metodës eidistimike, domethënë, pa një përcaktim të qartë të besimit.

Ky hero, i lejon vetes të dalë nga korniza e besimit dhe të drejtën të na përcjellë mesazhet biblike dhe përjetimet e veta nga jeta tokësore:

“Piktura ime në qiell, s’ngjan me pikturën time në tokë, është ndryshe,

Atje prej avujsh dhe drite, këtu prej mishi, uji dhe kocke të mprehtë,

Atje një pikture futuriste,

Këtu një statujë e zënë në rrjetën e hijes së vet.

Poeti Ilirian Zhupa ka krijuar një poemë të rrallë, jo vetëm me konceptimin dhe me ligjërimin e tij lirik, por dhe me strukturën e saj gjuhësore, me fjalën, ritmin dhe sintaksën e saj.

Poeti nobelist Josif Brodski pohon se gjuha është më e rëndësishme së çdo gjë tjetër për krijimtainë letrare.

Nuk është i rëndësishëm rreshti ose fjala e veçantë, por është mënyra se si fjalët bashkëveprojnë brenda të gjithë sistemit tekstual, fusha semantike e tyre.

Ilirian Zhupa ka shkruar një poemë, në të cilën vendin qendror e zenë fjalët dhe shprehjet me bashkëtingëllim fetar biblik, ekzistenca e Atit dhe besimi në botën qiellore dhe në Shpirtin e Shenjtë.

Heroi lirik i poemës “Qielli im”, është një bashkëkohës i epokës kur është vështirë të pranohet idea e një gjuhe universale fetare në të fshehtat qiellore.

Ky hero lirik karakterizohet nga zelli i mendjes së tij në kërkimin e ndihmës për të kuptuar të vërtetën e fshehur biblike:

“Në emër të Atit,

Që e kërkoj dhe s’e shoh asgjëkund,

Po thonë se banon diku

Në qiejt e lartë, të pafund.”

Ky meditim i tij endet midis ëndrrës dhe besimit:

“E parrokshme në prekje si ëndrra,

Po e ndjeshme në gjak.”

Është, pikërisht, kjo antonimi që i sendërton këta dy kapituj të poemës, pyetja hipotetike: “as ky as ai” që e përshkon kapitullin “Biri”.

Ndërtimi i tekstit poetik të tyre mbështetet në semiotikën, e cila përcjell te lexuesi emocionin, që ajo ngjall.

Heroi lirik bën përpjekjen këmbëngulëse për të ngjallur shpresën e besimit të   vet te të fshehtat qiellore:

“Nëse je ankth gjumi që fryma të bëhet vesë çdo ag mbi fijet e barit,

Dhe qumështin e ditës e derdh dalëngadalë mbi gjendjen përqark,

Duke na sjellë rizgjimin, ndijimin, të prekurit, të parit,

Ke hak.”

Poeti nëpërmjet sintaksës poetike, të gjuhës së rrjedhshme, të figuracionit të pasur, të gjuhës konceptuale, të monologut të brendshëm të heroit lirik, që e përshkon nga fillimi deri te fjalët e fundit  poemën, na flet për  synimin e shpirtit të këtij heroi për t’u ngritur mbi veten e vet për t’iu  afruar Zotit, për  të shijuar gëzimet e së mirës së përjetshme:

“Të gjitha (natyra, flora dhe fauna) kanë frymë dhe shpirt, janë bashkëudhëtaret e mia,

Po unë kam një të fshehtë të magjishme që është dashuria.

---------------------------

“Dashuria ime

Që vishet e mbulohet përditë,

Për të m’u shfaqur veç natën e lakuriqtë.”

Po e mbyll diskursin me këtë citat mbi mundësinë, jo të lehtë, të pranimit të idesë së një gjuhe universale të fesë në kuptimin e mirëfilltë të saj:

“Leximi është studimi i kujdesshëm i Shkrimit të Shenjtë, duke përqendruar të gjitha energjitë e dikujt në të. Meditimi është zelli i mendjes në kërkimin e ndihmës për të kuptuar të vërtetën e fshehur. Lutja është apeli i një zemre të përkushtuar ndaj Zotit, duke kërkuar largimin e së keqes dhe fitimin e së mirës. Soditja ndodh kur shpirti ngrihet mbi veten dhe, duke iu afruar Zotit, shijon gëzimet e së mirës së përjetshme.” (Gustav von Hugo: Jurist gjerman i cili konsiderohet themeluesi i shkollës historike të së drejtës).

© Vangjush Ziko - Kanada