Kolumnist

Shtetarët që s’i patëm kurrë dhe… Shqipëria së cilës nuk i del zot askush - Nga Vangjush Saro

Shtetarët - që ne s’i patëm kurrë siç do të duhej të ishin - mund të luanin rol vendimtar në përparimin e shoqërisë shqiptare dhe në zhvillimin real të vendit. Nuk qe e thënë ta kishim atë fat; në kohëra, por edhe sot e kësaj dite. Me këtë, kam parasysh çfarë u blatoi koha shqiptarëve: ngjarjet, dukuritë, shefat… domethënë shtetarët që, duke gëzuar postet më të larta të vendit, do të duhej të tregonin trimëri e dinjitet; dhe nuk e bënë. (“Vlera shtrihet pikërisht në gjysmën e udhës mes trimërisë dhe burracakërisë.” M.Servantes) Këto mund të duken si fjalë të mëdha apo si një lloj patetizmi, që, në fakt, s’e duroj fare. Ani, ajo që dua të them është krejt e thjeshtë: Shtetari që mund t’i kishte shërbyer më mirë këtij vendi, mund të ishte disi më idealist. Me fjalë të tjera, ai do të duhej të ndihmonte përparimin, duke lënë krejtësisht mënjanë interesat vetjake, ato familjare, të miqësisë, të klanit, madje edhe të partisë së vet.

Më tej, ky shtetar, që nuk e patëm kurrë a do të duhej të drejtonte duke kundërshtuar dhe zeruar çdo përpjekje për të përfituar nga taksat e qytetarëve, për më tepër nga nderi i tyre, nga vota e tyre. Ai duhej t’u thoshte vartësve të vet, administratës së vet, që këto para janë të shenjta, nuk mund të luajmë me to, për më tepër që ky vend, për dekada të tëra, nuk po ngre kokë e nuk po kulturohet dot. Ky shtetar - që s’e patëm kurrë - do të duhej ta mbante familjen dhe miqtë e tij larg punëve të shtetit dhe pelivanllëqeve për përfitime të padrejta, fundja larg edhe nga detyra e tij e lartë. Njerëzit shikojnë, kuptojnë, ndjejnë; dhe kur raportet tronditen, të braktisin. (“Vetëm kush ka besim në vetvete mund t’u qëndrojë besnik të tjerëve.” E. From)

Shtetari që nuk e patëm kurrë, në mendjen time naive, do të duhej të kishte një shkollim sa më bindës, si dhe karrierë gjithaq të besueshme, le të themi në Ekonomi, Inxhinieri, Diplomaci, Drejtësi… Shtetari që nuk e patëm kurrë nuk do të vinte në pushtet si një “i fortë”; hajde se ky i bën ballë atij (“të fortit” tjetër). Jo! Shtetari që nuk e patëm kurrë, duhej të ndiqte thjesht rrugën e ligjit, atë të debatit të hapur, të përfshirjes së Opozitës në vendimmarje. Ai nuk do të kishte nevojë të përbalte kundërshtarët, t’u hidhte atyre mallkime, ironi a sarkazmë, sepse objektivat e tij kryesore do të ishin ku e ku më të thjeshta: mirëqenia e qytetarëve, qetësia publike, ulja e inflacionit, zbutja ose mënjanimi i konflikteve të panevojshme. Etj.

Shtetarit që nuk e patëm kurrë nuk do t’i shkatërroheshin rrugët e sapondërtuara me të hyrë vjeshta e më të filluar shiu i parë (!) Këtu, është fjala për të gjitha qeverisjet e, më së pari, për qeverisjen aktuale, atë të PS. Dhe meqë ra fjala për parti, shtetari që nuk e patëm kurrë, mund të mos ishte doemos i pari i partisë; më tej, ai mund të kujdesej që ajo (partia e dreqit) të mblidhej ndonjëherë, t’u jepte mundësi forumeve të shpreheshin, të kërkonin ndryshime reale dhe përmirësime konkrete. Shtetari që nuk e patëm kurrë, nuk do të lejonte assesi të shpërdoroheshin fondet për Bujqësinë, madje ndonjëherë, mund të shpenzonte pak nga fundjava e tij edhe për të vizituar familjen e ndonjë fermeri, pse jo edhe ndonjë biznes apo edhe një shkollë. Punë e ngatërruar, se kjo do t’i kushtonte disi, sepse nuk do të kishte mundësi të ndiqte të gjitha mbledhjet e botës, të kontinentit, të rajonit, pavarësisht rëndësisë së tyre; dhe nuk do të përpiqej të shiste si suksese ngarendjet andej e këtej për të prodhuar shashka e për të synuar lidership global (Oops!).

Ç’borxh u kemi politikanëve për këtë katrahurë me abuzime të dukshme, me pasiguri në vite, me ekzekutime ditën për diell, me thika që marrin jetë dhe tmerrojnë rrugën, të tashmen dhe perspektivën, me administrata që e kërkojnë sheshit bakshishin?! Mbase shumëkush që lexon këto radhë, mund të ketë dëshirë të bëjë polemikë (me autorin) dhe të mbrojë… shtetarët (që nuk i patëm kurrë) gjer edhe kapriçiot e tyre, mandat pas mandati, dekadë pas dekade. Por unë mendoj se nuk e vlen. Nuk ndryshojmë dot asgjë pa ndryshuar ata vetë. E di, mbase as këto radhë nuk sjellin ndonjë dobi të madhe. Sistemi (qeverisës) që u ndërtua në këto dekada të fundit, është i tillë që e molepsi të mirë e të keq… Dhe problemi nuk është vetëm çfarë u tha më sipër. Problemi është si ta shpjegojmë situatën për vetë shtetarët dhe vartësit e tyre, të cilët mendojnë (apo bëjnë sikur mendojnë) që punët e tyre nuk kanë të qortuar, madje herë pas here u duhen edhe lavde. (“Koha e ligë është koha e mediokërve. Shfaqja e tyre bëhet shpejt, vërshuese, pushtuese dhe pastaj sunduese.” A. Shkreli)

Nuk po themi që gjithçka do të ishte fushë me lule nëse do të kishim (apo paçim ndonjëherë) shtetarë më të besueshëm, më korrektë, më të ndershëm. Sidoqoftë, edhe kështu nuk shtyhet më…

© Vangjush Saro - Vancouver