Dy fjalë mbi poezinë si vetëshprehje e poetit Ilirian Zhupa - Nga Vangjush Ziko

- Nga: Vangjush Ziko - Toronto
Poezia është një mjet i fuqishëm i vetëshprehjes, që i lejon poetit të shprehë mendimet dhe ndjenjat e veta përmes artit të fjalës, për t’u lidhur me të tjerët.
Çdo poet i mirëfilltë dhe i ndërgjegjshëm për misionin e vet ka mënyrën e veçantë të vetëshprehjes.
Ka aq mënyra, sa ka edhe poetë të vërtetë.
Poeti Ilirian Zhupa e ka gjetur rrugën e vet për te zemra dhe mendja e lexuesit.
Kam përpara një nga poezitë e tij më tipike:
“Është vonë të më mungosh”
“Më mungojnë shumë gjëra, po ti më mungon e para.
Rruga më shtyn me bërryla, sikur do të më nxjerrë në skaj.
Atje, nëpër stola, rrinë ulur ca pleq me fytyra të bardha
Dhe të gjitha fytyrat ngjajnë.
Unë ku të shkoj? Unë kë të ndjek? Unë kujt t’i flas?
Shkoj në biblioteka dhe librat më kërrusin nga dashuria,
Ndjek fluturimin e shtërgjve dhe në qiej më pikturohet një vajzë,
Flas me një që s’e njoh dhe s’di se ç’thonë fjalët e mia.
O, po i kam të gjitha e prapë më mungojnë, më braktisin,
Zjarri brufullon brenda gjoksit, ngrohen shumë në të, po jo ti.
Udhët ku shkoj përfundojnë pikërisht atje ku nisin,
Sytë më erren nga pritja sa s’i quaj dot sy.
Pi një kafe me shokët. Ndahemi. Ata vrapojnë te të dashurat e tyre,
Mbështesin kokat mbi supe, pëshpërisin, pastrojnë shpirtin nga bryma.
Po unë çfarë të bëj? Vij te vetvetja. Mbështes kokën në horizontet e grivëra,
Pëshpëris gjer në thirrje dhe më merret fryma.
Pas të gjitha këtyre shkruaj e ç’shkruaj vargje.
Qielli më bëhet i kaltër, mosha më ndihet e bukur, nata më mbushet me yje.
Këndoj dashurinë që e kam dhe s’e kam, po e gjej të brishtë e të madhe
E ndihem demiurg dhe pre i dashurive.
Është vonë të më mungosh, e dashura ime!”
Është vetaktualizimi që i jep mundësi poetit Ilirian Zhupa për të realizuar plotësisht potencialin e tij krijues.
Këtë poeti e arrin duke u përqendruar në rritjen e brendshme dhe vetënjohjen në vend të njohjes së jashtme.
Poezia “S’kam asnjë punë me ty” na e demonstron qartë “metodën” që ndjek autori në realizimin e një poezie.
Frymëzimi nuk është një pasion abstrakt, një nocion psikologjik apo një mani. Dalldija e heroit të tij lirik lind dhe rritet spontanisht në mënyrë të pavetëdijshme duke ndjekur profilin e vajzës, që e ka mahnitur.
Janë hapat e saj kumbues, që ia prishin motin e emocioneve të tij.
Është “aroma e saj që përhapet si tymnajë flijimesh” dhe i ngjall shpresën dhe ëndrrat.
Një përvojë e rrallë kjo, kur lexuesi është i pranishëm në alkiminë e lindjes së një poezie lirike!
Poeti e quan këtë si një veprim të zakonshëm të procesit psiqik të vetënjohjes së tij, proces i brendshëm i vetëshprehjes.
Ai e quan këtë si një proces të zhvillimit të potencialit krijues përmes procesit të shkrimit të poezisë, si një vetëaktualizimi të këtij potenciali.
Sipas Abraham Maslow-t, vetëaktualizimi është niveli më i lartë në hierarkinë e nevojave njerëzore, që ka lidhje me zhvillimin maksimal të potencialit personal në çdo fushë të aktivitetit njerëzor.
Poezia lirike e Ilian Zhupës i drejtohet drejtpërdrejt ndjenjave dhe përvojës së vet duke i ndihmuar ato që të artikulohen dhe të kuptohen nga lexuesi.
Poezia e tij nuk është vetëm një përmbledhje fjalësh, por dhe një mjet shprehës me anën e të cilit poeti përcjell ide dhe ndjenja sa më të thella.
Në radhë të parë, unë do të renditja ritmin e pozisë së tij.
Poezia e Iliran Zhupës është një poezi metrike me metra dhe ritme të ndryshëm, sipas ngarkesës dhe emocioneve që përcjell vargu.
Emocionet, që përcjellin vargjet e Ilirian Zhupës janë gjithmonë me një ngarkesë maksimale të kontrolluar dhe të motivuar logjikisht, plot pasion të matur dhe me një thellësi të maturuar emocionalisht, pa ekstravaganca abstrakte apo surrealiste. Janë emocione genuine njerëzore, që shprehin në mënyrë të figurshme dhe thellësisht realiste botën e brendshme të poetit.
Jo rrallë ai ndihet i lëkundur dhe plot mëdyshje, që na flasin për një shpirt aspak të qetë. Një shpirt në kërkim të paqes dhe të lumturisë intime. Një shpirt thellësisht njerëzor.
Ai është “vetvetja”:
“Mbështes kokën në horizontet e grivëra,
Pëshpëris gjer në thirrje dhe më merret fryma.
Pas të gjitha këtyre shkruaj e ç’shkruaj vargje.”
Procesi i krijimit është për poetin një mister, që i udhëheq spontanisht mendimet dhe pasionet e tij:
“Flas me një që s’e njoh dhe s’di se ç’thonë fjalët e mia.”
Ai ngrohet në zjarrin e vet të frymëzimit:
“Zjarri brufullon brenda gjoksit, ngrohen shumë në të.”
“Sytë më erren nga pritja sa s’i quaj dot sy.”
Stilistika e Ilirian Zhupës e arrin mishërimin e krijimit të vet poetik jo vetëm nëpërmjet të procesit të vetëshprehjes, por edhe me arsenalin adekuat dhe të pasur të të mjeteve artistike si metafora, krahasimi, epiteti dhe shprehjet e figurshme, që e bëjnë poezinë e tij një poezi të rrallë dhe të vyer në arealin e poezisë sonë bashkëkohore.
© Vangjush Ziko - Toronto