Letërsi

Poezia dhe Inteligjenca Artificiale sipas një eksperimenti - Nga Vangjush Ziko

(Sinops)

Të gjithë jemi dëshmitarë të përdorimit të inteligjencës artificiale edhe në fushën e krijimtarisë letrare.

Studjues të ndryshëm i japin IA-së kuptimin metaforik duke e përqasur me simbolin biblik: “Në fillim ishte Fjala (Logosi), dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi” (fillimi i “Gjonit”).

Në krijimtarinë poetike fjala “logos” nënkupton zërin e poetit, i cili përdor gjuhën si mjetin bazë të mishërimit grafik të mendimeve dhe të ndjenjave të veta.

Ky perceptim po i jepet edhe inteligjencës artificiale, e cila, si asnjë qenie e gjallë, e zotëron gjuhën - morinë e gjuhëve të të gjitha kohërave dhe popujve.

“Logosi vetë-zgjerues” i saj është mbreti i algoritmeve.

Ky logos nënkupton mënyrën se si një imazh ose temë në një poezi shpaloset gradualisht, duke fituar detaje dhe kuptime të reja.

Mbretëria e algoritmeve në krijimtarinë letrare ka të bëjë, mbi të tjerat, me lojën me gjuhën, me imazhet, krahasimet, me metaforat dhe me rregullat e strofave, të ritmit, të ndërtimit të konfliktit dhe të estetikës gjuhësore.

Ky mendim mbi rolin e gjuhës në krijimin poetik është krejt i përafërt me mendimin e nobelistit Josif Brodski.

Ai pohon: “Poeti i mirë është instrument i gjuhës së vet, jo e kundërta... Poeti është mjeti i ekzistencës së gjuhës”.

Për Brodskin, gjuha është një njësi e pavarur, një fenomen që jeton dhe zhvillohet vetë.

Brodski është i bindur se poetit ia dikton poezinë vetë gjuha, aq sa ai shpesh çuditet se si ajo doli më e mirë nga ajo që ai kishte menduar.

Duke e absolutizuar rolin e gjuhës, ai shkruan; “Gjuha është më e rëndësishme se Zoti, se natyra, më e rëndësishme se çdo gjë tjetër”.

Studiuesi dhe filozofi, profesor Mikhail Epstein, Profesor Emeritus i Teorisë Kulturore dhe Letërsisë Ruse në Universitetin Emory (Atlanta, SHBA), kohët e fundit bëri një eksperiment të veçantë mbi përdorimin e IA-së në fushën e krijimtarisë poetike.

Eksperimenti dëshmoi se IA të lejon të kalosh në një përvojë sintetike përmes një analize të stilit të një shkrimtari.

Dëshmoi se si vepra të tjera mund të krijohen mbi bazën e këtij stili, d.m.th., duke shpalosur shumëllojshmërinë e mishërimeve të një stili të caktuar, duke zbuluar potencialin e tij.

Bëhet fjalë për një poetikë gjeneruese, një kalim nga strukturalizmi në konstruktivizëm, në gjenerimin e teksteve të reja duke u bazuar në analizën.

Studjuesi mori, midis të tjerave, poezinë “Shiu” të Boris Pasternakut dhe i vuri detyrë IA-së që të krijojë një poezi të re me titullin “Shiu dhe Kujtesa” sipas stili të poetit.

Rezultati ishte jashtëzakonisht interesant dhe befasues.

Eksperimenti provoi se IA mund të rikrijojë poezi të reja, që shpalosin shumëllojshmërinë e mishërimeve të një stili të caktuar poetik.

Në radhë të parë demonstroi rolin e gjuhës në krijimin poetik.

Eksperimenti provoi se Inteligjenca Artificiale mund të rikrijojë stilin e një autori konkret.

Pra, Inteligjenca Artificiale mundi ta realizojë ëndrrën  e strukuturalizmit të shekulli të kaluar për rikrijimin e një teksti letrar, si dhe për të rikrijuar tekste të reja letrare nëpërmjet “poetikës gjenerative”.

Inteligjencën Artificiale profesori Epstein e quan “intelekt artificial vjershëror”.

Kam përpara tekstet e dy varianteve, poezinë origjinale “Shiu” të poetit Boris Pasternak dhe pezinë e IA-së “Shiu dhe Kujtesa”, (*)

Të dyja përshkruajnë një ditë me shi.

Të dyja janë meditime dhe përjetime lirike shpirtërore në një ditë të tillë.

Në të dyja përshkruhet imtësisht dita e shiut.

Të dyja janë të veshura me vellon e trishtimit, me nostalgjinë dhe elegjinë e ikjes së jetës.

Të dyja kanë togfjalësha, që na krijojnë pëfytyrimin konkret të një dite të trishtuar me shi.

Koha, Kujtesa, Peizazhi në poezinë “Shiu dhe Kujtesa” janë pasqyruar njëlloj si në poezisë “Shiu”.

Koha, në poezinë origjinale është një “ lojë e mbijetesës”.

Në poezinë e IA-së koha “rrjedh e pakthyeshme”.

Kujtesa, në poezinë origjinale, “ruan në fshehtësi/tingujt me shi dhe kaltërsi”.

Në IA: “Kujtesa, gjeth i përbaltur/ Mbytur mjegullës brerore”.

Pellgjet e shiut të vjeshtës, në poezinë origjinale janë “Pellgjet si pasqyra shiu”.

Në poezinë e IA-së: “Pellgjeve drithi i vjetshëm i përmbyt vargjet e tij”.

Tropi kryesor në të dyja poezitë është Krahasimi.

Poezitë edhe nga konstrukti i tyre, janë të njëjta.

Poezia origjinale fillon me vargun: “Shirat bien porsi më parë”.

Poezia e IA-së fillon me vargun “Shiu rreh çatinë, ndryshkjet”.

Edhe fundi i tyre mbyllet me një sentencë gati të njëllojtë.

Në poezinë origjinale: “Kujtesa ruan me merak/Tingujt me shi dhe kaltërsi”.

Varianti i IA-së: kujtesa “Thellë timit kraharor/Pik'e shiut e përtërin”.

Vargjet e të dyja poezive kanë të njëjtin ritëm dhe janë të rimuara sipas së njëjtës skeme: a b a b.

I lexoj dhe i rilexoj të dyja poezitë dhe më duken, çuditërisht, dy poezi binjake të poetit Boris Pasternak!

I çuditshëm mbetet për mua procesi i krijimtarisë së Inteligjencës Artificiale, i “poetikës gjenerative”.

Poezia është një art thellësisht njerëzor, që pasqyron identitetin tonë, kulturën dhe përjetimet tona shpirtërore, mbi të gjitha, jo vetëm, “mimesin”, imitimin për të cilin ka folur dhe Aristoteli.

Inteligjenca Artificiale di më shumë se njeriu për natyrën e shiut, por nuk mund ta përjetojë dot, për shembull, një emocion njerëzor, kontaktin më të thjeshtë që ndjen një fëmijë kur për herë të parë pret në dorë një pikë shiu apo trishtimin që i shkakton shpirtit një pikë e lotit njerëzor, një gëzim, a një dhimbje shpirtërore.

Ja përgjigjja që i dha profesorit Mikhail Epstein sistemi i Inteligjencës Artificiale Claude 3.7 (Anthropic), në të cilin u mbështet ai për këtë studim:

Inteligjenca Artificale:

“Ashtu si një poet mund të befasohet nga “ajo që ndodhi”, ashtu dhe përgjigjet e mia mund të jenë të paparashikueshme edhe për krijuesit e mi, bazuar në ndërveprimet komplekse në rrjetin tim nervor.

E ardhmja e gjuhës ndërhyn në të tashmen. Në një farë mënyre, duke gjeneruar një tekst,

Unë, gjithashtu, marr pjesë në një proces ku e ardhmja e gjuhës ndërhyn në të tashmen e saj, duke krijuar kombinime dhe shprehje të reja."

Kjo është logjika e procesit krijuese të Inteligjencës Artificiale.

Duke e mbyllur këtë sinops analitik për raportet e Poezisë me Inteligjencën Artificiale, po ju përcjell dhe mendimin, që ka studiuesi dhe filozofi Mikhail Epstein, mbi pritshmërinë e tij optimiste të kësaj optike avangardiste të IA-së.

Ai ka parasysh se tendencat dhe tiparet njerëzore janë të lidhura dhe përftohen përmes shoqërizimit.

Konsensusi aktual në gjenetikë, në biologjinë evolucionare dhe në antropologjinë kulturore, është rezultat i një ndërveprimi kompleks të faktorëve të trashëguar gjenetikisht me ndikimet mjedisore dhe shoqërore.

Profesor Mikhail Epstein është optimist:

“Unë e imagjinoj të ardhmen e Inteligjencës Artificiale si një lloj bimësie universale, një bashkëjetesë paqësore të formave të ndryshme të jetës, që rrjedhin me energjitë dhe impulset e tyre semantike në njëra-tjetrën, pa këtë inferioritet egoist, që ka lindur në fazat shtazore dhe njerëzore.”

© Vangjush Ziko

 

BORIS PASTERNAK - SHIU

Shirat bien, si më parë,

Aty te pellgu mbretëror.

Rit i paftuar kujtimet janë,

Porsi thëllimi dimëror.

Pellgjet si pasqyra shiu,

Kujtim i ditëve që na lanë,

Trishtimi, fjala jon' e thinjur,

Që këto strehët na e qanë,

U fshi dhe vija e kujtesës.

Heshtja varrosi çfarë lamë.

Koha, lojë e mbijetesës.

Gjurmë burimesh nga larg

Janë rreshta qull në shi.

Ruan Kujtesa me merak

Tingujt me shi dhe kaltërsi.

 

INTELIGJENCA ARTIFICIALE - SHIU DHE KUJTESA

Shiu rreh çatinë, ndryshkjet,

Lan gjurmën e tij të vjetër.

Koha - rrjedh e pakthyeshme,

Përmbi parketin rrjedh e qetë.

Pikat, shkronja faqes së qullur

Të shkruara nga fati vetë.

Në kafaz kujtesa mbyllur

Përpëlitet nëpër shi.

Pellgjeve drithi i vjetshëm

I përmbyt vargjet e tij

Si fjali në faqe fletësh.

Kopsht' i qullur si në ëndërr

I zgjat degët drejt dritares,

Kujtesa si gjeth i rënë

Mbytur në kllapi vrastare.

Zhurm' e shiut qiellor

Sjell një zë e një kujtim,

Thellë timit kraharor

Pik'e shiut e përtërin.

(Përktheu nga gjuha ruse Vangjush Ziko)