“Shkrepje të rralla fotografike”, një botim i ri i studiuesit Qerim Vrioni
Ditët të para të shtatorit, doli nga shtypi libri i ri i studiuesit të fotografisë dhe publicistit Qerim Vrioni me titull “Shkrepje të rralla fotografike”.
Libri përmban materiale të botuara në shtypin shqip këto 20 vitet e fundit dhe është i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë përmbanë 10 analiza studimore (sprova) për foto të zgjedhura prej autorit nga fotografia shqiptare e shekullit të kaluar të mjeshtrave: Kel Marubi, Kolë Idromeno, Thimi Raci, Edith Durham, Stefan Kaçulini, Ilia Xhimitiku, Margaret Hasluck, Petrit Kumi.
Sprova “Figura e Skënderbeut në fotografinë shqiptare”, analizon imazhet fotografike (pjesa më e madhe kolazhe) të disa autorëve midis tyre Kel Marubi dhe Vani Burda. Kurse për foton e dy barinjëve lebër, “Ndezja e cigares”, ende nuk dihet autori e për këtë në shkrim ofrohen disa hamendësime.
Në pjesën e dytë paraqiten portretet e pesë fotografëve të dalluar gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit në vend. Ata janë: Dedë Jakova, Naun Vruho, Filip Vito, Ernest Baba dhe Ardian Fezollari.
Bashkëpunëtorë të autorit në përgatitjen e këtij publikimi janë: Korrektore gjuhësore Elona Vrioni, ballinat ideuar dhe punuar nga piktori vlonjat me banim dhe punë në SHBA, Mustafa Lamaj, fotoja e fundit e autorit të librit është e Thoma Note, ndërsa faqosja dhe shtypi nga Artemida Arbri e “Art Graphic Studio”. Përmbledhja është e shoqëruar me mbi 70 foto.
Nga renditja, ky është botimi i dhjetë i autorit : shtatë i janë kushtuar fotografisë, dy paraqesin përmbledhje publicistike dhe një është album fotografik (historik) me rastin e 50-vjetorit të Universitetit të Tiranës. Ky i fundit është përgatitur në bashkëpunim me prof. Zyhri Bajrami.
Burimi: Albspirit












