Letërsi

Ambasadori - Tregim nga Dashnor Kokonozi

(Sipas një ngjarjeje të jetuar)

Piktori i kërkoi ndjesë një grupi të vogël vizitorësh që po shoqëronte në sallën e ekspozitës së tij dhe u drejtua te hyrja. Një ambasador i rëndësishëm i Komunitetit Evropian po ngjiste shkallët i shoqëruar nga drejtori i Galerisë së Arteve. I erdhi mirë kur e pa, edhe pse nuk e kishte shumë të qartë se çfarë mund t’i shtonte prania e tij një ekspozite personale.

- Më kanë folur shpesh për ju, - i tha ambasadori duke i zgjatur dorën. - Kjo më shtyu të vij këtu. Nuk desha t’i kaloj anash kësaj kënaqësie.

- Kënaqësia është imja, Shkëlqesi, - i tha piktori duke i hapur rrugën të kalonte përpara.

Ambasadori ishte i njohur për interesin ndaj artistëve vendas. Dinte edhe që disa syresh i ftonte në shtëpinë e tij, por jo më shumë. Ata që kishin gëzuar një privilegj të tillë, rrallëherë i kishte dëgjuar të tregonin për bisedat e takimet me të.

Nisën të ecin midis grupeve të vizitorëve që lëviznin qetësisht nëpër sallë. Edhe bisedat e pakta bëheshin me zë të ulët, në sfondin e lehtë të një muzike jazz-i që rrëshqiste nga altoparlantët e fshehur, duke i dhënë gjithçkaje një dimension më poetik.

Disa vizitorë më të interesuar për artin prisnin me shpresë dhe kureshtje të këmbenin përshtypjet e para me autorin e ekspozitës. Ndërkohë, ndonjëri shkëputej dhe u afrohej diçka më shumë tablove. Dukej se veç detajeve të veprës, kishin interes të shihnin edhe çmimin e saj që ishte shënuar në një biletë të thjeshtë të vendosur diku në cepin e poshtëm të çdo kornize. Në disa prej tablove, ishte e pranishme edhe një kartëvizitë, gjë që tregonte se ato tashmë ishin blerë prej dikujt. Natyrisht, duhej pritur mbyllja e ekspozitës që blerësit t'i merrnin thesaret e tyre. Jo rrallë, një gjest i tillë krijonte një ndjenjë urgjence të bukur tek ata që ende ngurronin.

Piktori lëvizte si një hije elegante në krah të ambasadorit, por nuk i pëlqente të fliste shumë për tablotë e tij. Ruante bindjen e thellë filozofike se, po qe se punët nuk flisnin vetë përmes ngjyrave, formave dhe emocione, atëherë ai si krijues nuk kishte asgjë tjetër të rëndësishme për të shtuar. 

Si të kishte dijeni për këtë zakon të tij, ambasadori nuk i bëri asnjë pyetje. Kalonte herë pas here dorën mbi mustaqet e tij tashmë ca të thinjura, por syrit të tij nuk i shpëtonte asnjë detaj. Duke gjykuar nga koha që kalonte para çdo tabloje, piktori krijoi përshtypjen se ai ishte dikush me shije dhe i familjarizuar me artin e pikturës.

Së fundi, vizitori i lartë u drejtua te tabloja më e vlerësuar e asaj ekspozite, ajo që titullohej: “Shkallët e shtëpisë së vjetër”. Një lloj vizioni onirik i shtëpisë së tij të fëmijërisë. Një transpozim i asaj ndjesisë së ngritjes në qiell, që ndiente sa herë ndodhej para saj. Ishte edhe më e shtrenjta.

Diplomati e kundroi gjatë. Në fund, pa thënë asnjë fjalë, nxori kartëvizitën e tij dhe e vuri me kujdes në një cep të tablosë. Piktori buzëqeshi. Ishte ëndërr e të gjithë artistëve të kishin vizitorë të tillë që vendosnin kartëvizitën e tyre pa e parë të arsyeshme ta dinin sa kushtonte puna në fjalë.

- Kur mbyllet? - pyeti ambasadori duke kaluar të shihte një tablo tjetër.

- Mbas një jave, Shkëlqesi, ditën e fundit të muajit.

- Ah! Tamam atë ditë më duhet të marr avionin për në Bruksel! Do të dërgoj shoferin, edhe pse do më pëlqente të vija vetë këtu.

- Faleminderit! 

- Veçse nuk do të më vinte mirë të largohem pa pirë një kafe me ju, në shtëpinë time, i dashur, - shtoi pastaj.

- Me këtë rast do t’jua sjell unë vetë në shtëpi, - e siguroi piktori.

- Ndihem vërtet i nderuar.

- Nderi është i imi, Shkëlqesi!

- Ndonjë paradhënie?

- Nuk është aspak e nevojshme.

Ambasadori ndaloi edhe para dy-tri tablove të tjera. Mbase edhe ato e tërhiqnin vërtet, por edhe kur ndodhej para tyre, ai e kthente kokën si të donte t’i krahasonte me tablonë që tashmë kishte zgjedhur të blinte. Vërtet i kishte pëlqyer së tepërmi.

Piktori e përcolli deri te hyrja e sallës, duke e falënderuar për vizitën. Më tej, ia besoi drejtorit të Galerisë, që e shoqëroi vizitorin e veçantë deri te vetura, ku shoferi i tij nxitoi t’i hapë derën.

Pa u kthyer ende në sallë, ku e prisnin vizitorë të tjerë, piktori nxori telefonin. E shoqja tani kishte të drejtë të bënte ca plane të vogla për ato gjërat e çmendura që i pëlqente të blinte, që kur kishte mbetur shtatzënë. Tabloja më e shtrenjtë e ekspozitës ishte shitur. Në të vërtetë, ajo nuk kishte dashur që ai ta shiste. I pëlqente shumë. Marifeti i fundit që bëri, ishte çmimi i lartë që kërkoi t’i vinte ajo vetë. Shpresonte të mos gjente blerës.

- Gabove rëndë, - qeshi ai duke i dhënë lajmin. - Tabloja u shit.

***

Ambasadori doli ta priste vetë te grila e banesës së tij private. Ia mori nga duart tablonë e ambalazhuar dhe e ftoi ta ndiqte përmes një oborri të shtruar me guralecë. Në fund, një derë dyshe prej druri të trashë arre, të cilën nxitoi ta hapë një nga shërbyesit e rezidencës. I mrekulluar, piktori ndoqi pas të zotin e shtëpisë që i hapi rrugën të hyjë në një mjedis të bukur ekspozimi veprash bashkëkohore të artistëve vendas. 

Aty ishin thuajse të gjitha punët e blera gjatë viteve të tij të shërbimit në Tiranë.  Sado që ishte fjala vetëm për një stacion të përkohshëm qëndrimi, para se t’i zhvendoste në atdheun e tij, ai kishte bërë gjithçka për t’i paraqitur me dinjitetin që meritonin. Për piktorin nuk ishte fare e habitshme që pjesa më e madhe e tyre ishin punime të kolegëve dhe miqve të tij. Me sa dukej, ka munguar vetëm një punë e imja, qeshi me vete.

Ambasadori nuk e fshihte kënaqësinë tek i shpjegonte motivet e veçanta që e kishin tërhequr në çdo vepër, por hera herës i kërkonte edhe mendimin e tij. Si të përforconte bindjen që kishte tashmë për vlerat e tyre.

I pari qe një peizazh i Ard Gramshit, që piktori e kishte patur shok kursi gjatë viteve të studimit në Akademinë e Arteve. Qe një punë mjaft e mirë.

- Dhe e dini se me çfarë çmimi ma dha z. Gramshi? - pyeti befas ambasadori.

Piktori ngriti supet. Pyetja e zuri në befasi. I kujtohej mirë që Ardi i kishte kushtuar shumë kohë asaj pune. Galeri të njohura arti i kishin ofruar shuma interesante, por ai nuk kishte pranuar. 

- 80 euro, - vazhdoi ambasadori. - Diskutuam pak, por përfundimisht ai e la këtu për 80 euro. Që, në fund, edhe ato ia futa me zor në xhep sepse nuk pranonte t’i merrte.

Piktori ndjeu të shqetësohej. Ishte krejt e pamundur. Ajo punë kushtonte shumë, shumë më tepër. Nuk e kuptoi se çfarë kishte ndodhur, që miku i tij e kishte lënë për një shumë të tillë qesharake.

Tablotë e mëtejshme ishin nga ato çfarë kishin pasur më të mirë ekspozitat e Tiranës gjatë viteve të fundit. I habitur, iu afrua një pune të Elena Ostrenit, një nga pedagoget që ai vlerësonte më shumë. Nuk e priste ta gjente aty.

E panë gjatë të dy. Vërtet e mrekullueshme. Ambasadori buzëqeshi i kënaqur. Çdo gjest habie që shihte në sytë e piktorit, i shkonte drejt e në zemër. Piktori, megjithatë, shpresonte të mos e dëgjonte t’i fliste për çmimin. Nuk i pëlqente një gjë të tillë.  Është një akt intim që duhej të qëndronte i mbyllur midis autorit dhe blerësit të veprës. Kjo kishte qenë edhe një nga arsyet, që ai vetë çmimet i kishte shënuar në fund të tablove të tij. Ai që vendoste ta blinte, vendoste kartëvizitën në fund dhe çdo diskutim mbyllej aty.

- Edhe me Elena Ostrenin ramë dakord për 80 euro, - dëgjoi ambasadorin nga pas. - Më tha se piktura ishte pasion i saj shpirtëror. Shuma që i dhashë mbulonte ngjyrat dhe materialet që kishte përdorur. Natyrisht, isha gati t’i jepja edhe më shumë, madje dyfishin, por nuk guxova. E ndjeva se do të fyhej po të diskutonim më tej.

Piktori do të deshte ta ndërpriste atë vizitë. Nuk ndihej mirë. Nuk i pëlqente të qëndronte më gjatë aty.

Ambasadori drejtoi dorën nga një peizazh i shkëlqyer i piktorit vlonjat Skëndo Myrto.

- Desh u kapëm me grushte me Skëndon, - tregoi ai me tonin e dikujt që e ndiente ende tronditjen e asaj dite. - Së fundi munda ta detyroj të pranojë 50 euro.

Piktorit nisi t’i dukej se po dëgjonte rrëfimin e dikujt që kishte blerë thesare të vërteta në tregun e sendeve të hedhura nga duar që s’dinin ç’po shisnin. Që nuk i njihnin vlerat e sendeve që kishin nxjerrë në treg. Ishin vërtet shuma qesharake, sa kohë që shumë artistë ishin të detyruar të bënin punë të dyta e të treta për të jetuar në një kohë të tillë. 

- Keni një koleksion të vërtetë arti, - i tha së fundi, duke ndjerë se duhej të thoshte diçka, por ndihej krejt i çmagjepsur nga ajo vizitë dhe mezi priste të ikte. 

- Ah, tani po kujtohem që nuk ju kam pyetur për çmimin e pikturës suaj, - i tha ambasadori. - Nëse vërtet jo, jam gati t’ju propozoj çmimin tim.

- Nuk e vutë re, kur vendosët kartëvizitën tuaj gjatë vizitës në ekspozitë?  - e pyeti ai duke ruajtur një qetësi të fisshme, me gjithë habinë që ndjeu. 

- Ah, jo i dashur. Nuk u kushtoj rëndësi hollësive të tilla.

Piktori nënqeshi. E pra, deri atë çast ai i kishte folur veçse për hollësi të tilla. Tani ishte më i kthjellët për atë se çfarë kishin ndjerë kolegët e tij, kur më parë se t’u propozonte shumën e tij, ambasadori u kishte folur për çmimin e çuditshëm me të cilin kishte blerë veprat që tashmë nusëronin në atë galeri të vogël. Ata do ishin gjendur midis ndrojtjes mistike që shkaktonte titulli i lartë i Shkëlqesisë së tij dhe fyerjes së çmimit që u propozonte. Ishte i sigurt për një gjë të tillë sepse atë çast edhe ai vetë pati një ndjesi thuajse fizike si të ishte në shoqëri të një merimange, që deri atë çast kishte thurur me zell pezhishkën rrotull tij.

- Është dhurata ime për ju, - i tha duke mos parë asnjë mundësi tjetër për t’i shpëtuar poshtërimit që ndiente në ajër, nga propozimi i tij Por as nuk e përfytyronte dot veten duke u kthyer në shtëpi me atë tablo në krahë.

- Ah, jo! - gati thirri diplomati. - Çdo ditë bëhet më e vështirë të ushtroj misionin tim në atdheun tuaj. Më duhet të grindem me të gjithë, që të mund t’i paguaj. Të paktën pranoni 50 euro.

- Shkëlqesi, mos e merrni atë mundim, - ia ktheu me padurimin që të ikte një çast e më parë prej aty.  

- Pra, më vini detyrimin që të pranoj dhuratën tuaj? - qeshi ambasadori duke i hequr ambalazhin trofeut të tij të fundit.

Piktori vetëm sa tundi kokën.  

 Me tablonë në dorë, Ambasadori shkoi deri te muri përballë dhe e uli përtokë. Pastaj me një ngazëllim që nuk e fshihte, bëri pak hapa mbrapsht që ta shihte në tërësinë e saj.

- Ime shoqe do të kënaqet së tepërmi, - foli duke e parë nga larg.

- E imja jo, - tha piktori me vete.

I mbetej të shpresonte se ajo nuk do ta pyeste gjatë. Gjithë çfarë kishte ndodhur aty, ishte një histori e neveritshme edhe për t’u treguar.

© Dashnor Kokonozi