Arte & Media

“Shqipja” e Zamir Matit - Nga Merita Toçila

Nga: Dr. Merita Toçila

Veshja u përdor shpesh nga artistët për të sendërgjuar situata narrative pa kohë të caktuar, të cilat mbartnin vlera simbolike. Ideja që përcjell arti nuk lexohet gjithmonë në vështrim të parë. “Ka raste që ajo arrin në ndërgjegje në mënyrë ende të pastrukturuar, me një përcaktueshmëri që mbetet abstrakte dhe e mangët”, shkruan studiuesi Luc Ferry. Për ta kapërcyer këtë, artistët lipsej të përdornin gjetje figurative si elementë të përmbajtjes që donin të shprehnin, për shembull periudhën historike me anë të veshjes, skenografisë, arkitekturës; fitoren e luftës me valëvitjen e flamurit, guximin me anë të simbolit kombëtar-shqiponjës, trimërinë me paraqitjen e një figure njerëzore në aksione simbolike a hiperbolike etj.

Artisti Zamir Mati spikat me realizimin e një simbioze konceptesh e elementesh në një figurë të vetme. Mbipetku në tablonë e tij “Shqipja” merr vlerë ambigue. Figura e një vajze të re modelohet me një fustan të thjeshtë të errët me mëngë të gjata, jakë sport dhe i shkurtër deri në gju, një veshje pothuaj normë e shekullit XX. Me anë të gjestit artistik ai ndërhyn në strukturën e saj, duke e shpënë rimodelimin në një nivel tjetër estetik dhe i mbivesh një kuptim të dytë.

Veshja në thelb ka vlerë simbolike për shkak të karakteristikës së mbulimit, zbulimit a dekorimit të trupit, mistikës që mbart vetë mbulesa etj., por këtu i mbivendoset ajo kombëtare, për më tepër që studiuesi Agim Janina në një shkrim të vitit 1984, “Simbolika e shqipes”, theksonte se për veprën autori është inspiruar nga dëshmi mbi ngjarjet historike në Kosovën e vitit 1981, me fillimin e lëvizjeve të rinisë. Artisti është shprehur se “Shqipja është një personazh i vërtetë dhe jo fryt i fantazisë. Ajo me flamurin kuq e zi u hodh mbi tank”.

Iniciuar me këtë koncept pëlhura në pjesën e sipërme të trupit ndryshon ngjyrë dhe formë për t’iu përgjigjur përmbajtjes ideore me kontrastin kromatik. Por imazhi gjeneron kuptimësi të tjera për ta plotësuar kërkimin e një mitografi si Mati në njohjen dhe përveçimin e një konteksti mitologjik. Kraharorit formësohen draperi që fillojnë nga mesi e saora zhvendosen nga busti e valëviten në erë si flatra (flamur).

Figura e kompozuar kësisoj prej artistit, me një bukuri të idealizuar, është zmadhuar në përmasë, mbështjellë me pëlhurën e kuqe flamur, transfiguruar në flatra dhe ritmi i lëvizjes së saj dikton edhe shkallën e valëvitjes së cohës. Modelimi i draperisë së tekstilit drejt metamorfimit të figurës me dy krahë shqiponje në trupin femëror ekzekutohet gjasshëm me simbolet pagane, ashtu si e kemi parë në artefakte nga arkeologjia që i përkasin periudhës homerike e më tej, ku më i njohuri ndër to është Nike e Samotrakisë, quajtur ndryshe “Krahët e lirisë”.

Në parantezë, krahët në të gjitha paraqitjet në art përfaqësojnë një shenjë emblematike që lidhet me hyjnoren dhe përjetësinë, me mbrojtjen dhe aspiratën për liri, me mitologjinë dhe shpesh në ikonografi me përhapjen e Lajmit të mirë. Krahët përfaqësojnë shenjë pushteti madhor a hyjnor të një qenieje gjysmë-njerëzore që i përket edhe tokës edhe qiellit, një forcë supreme a mitologjike mbi njeriun e zakonshëm e njohur që nga babilonasit, egjiptianët, etruskët, në kulturën e lashtë greko-romake, po ashtu dhe në Iliri me artefakte nga arkeologjia si Zeusi, Hermesi, Irisi, Artemisa etj.

Më tej besimi i krishterë i përshtati në doktrinën e tij me të njëjtat atribute nga antikiteti, mjaft të kujtojmë vepra nga trashëgimia jonë e periudhës së Bizantit me mozaikun e Arapajt, ikonat e mesjetës me kryeengjëllin Gabriel të David Selenicasit, Shën Mëhillin e Idromenos në fund të shek. XIX etj. Nga to perceptojmë se si krahët në trup të një hyjnie a figure antropomorfe janë interpretuar si mbrojtës, engjëllorë, lajmëtarë të një ngjarjeje të madhe etj. Ata hasen të gdhendur ose të pikturuar, gati duke treguar me saktësi vëllimin pupëlor a numërimin e pendëve një më një në lartësi sa trupi apo sa shpina. 

Në këtë këndvështrim, zhvendosja e subjektit nga natyralizmi në metaforë inicion një vepër të re në gjuhën e simboleve ndikuar nga nënvetëdija apo dhe vetëdijenia artistike, pasi intervista e Zamir Matit na jep arsye të pretendojmë se kërkimi i tij nuk ka ndalur në aktualitetin e ngjarjeve të kohës në Kosovë. Zbatimi i konceptit të flatrave të lirisë në të njëjtën metaforë të zhvilluar nga nënshtresat historike e sjell aq natyrshëm dhe organikisht modelimin e formës te kjo Nike moderne dhe e vjetër sakaq, derisa nuk receptohet ndarja midis tekstilit të rrobës dhe të flamurit. Ato formësojnë një strukturë vëllimore të vetme që ndryshon dhe përshtatet pas çdo lëvizjeje trupi ku duart me gishtërinjtë e tendosur plotësojnë çaponjtë e shqiponjës si detaj i gjetur për të përforcuar aspektin dinamik.

Nëse krahët iluzivë që kanë humbur natyralizmin që i identifikojnë me flatrat e vërteta, janë përdorur për këtë simbolikë, duke i veshur figurës femërore pushtetin e të jashtëzakonshmes për të përfunduar një mision (fitore) përmes të cilit ka destinin të arrijë lartësitë qiellore, tregon se koha nuk e zbeh fuqinë dhe emblematikën e simbolit megjithë transportimin e tij nëpër kohë.

Një interpretim ikonik i tillë që i përket periudhës së krijimtarisë në vitet e diktaturës, nxiste shpesh opinionin e studiuesve të huaj në analizat e tyre për dallimet në artin e lëvruar në të dy kampet (kapitalist e socialist) si dhe për figurën e materializuar në të. Ata orvateshin të gjenin në trajtimet kompozicionale “afrinë me prirje religjioze dhe dëshirën për t’iu drejtuar një shoqërie ku ateizmi ishte dominant” siç shprehej historiani i artit Daniel Arrase.

Zgjidhja artistike Shqipja-Atdhe e përkthyer në këtë imazh kuq e zi, kaq mbresëlënës, të fuqishëm, inspirues dhe imponues në shumëkuptimësinë e saj: edhe flamur, edhe shqiponjë, edhe grua, shpërfaqte padyshim shenjat e një ikone besimi, por kjo kishte lidhje direkt me kontekstin tonë socio-kulturor. Shqiponja me flatrat e hapura për fluturim është ikona e besimit kombëtar dhe piktura veçse risjell simbolin e vjetër në trajtë të re përforcuar nga fjalët e vetë artistit se “te shqiponja, te fluturimi i saj, pashë mesazhin e madh të lirisë”. Fuqia e imazhit që diktohet prej simbolit të duhur në koherencë me rrethanën historike së cilës i është referuar, bën të mos ketë një vepër të dytë si kjo në hapësirën shqiptare.

© Merita Toçila