Vendimet e Vitit të Ri - Nga Jeta Dedja
Besoj se shumë njerëz kur afron fundi i një viti mendojnë për sfidat ose qëllimet që duan të arrijnë në Vitin e Ri.
Disa përpilojnë lista, bëjnë plane, shënojnë data në kalendare. Do shkoj në palestër çdo ditë/do lexoj më shumë libra/do udhëtoj më shumë/ do kaloj më shumë kohë me familjen.
Të tjerë, supersticiozët, zbatojnë disa rituale kur troket mesnata duke shpresuar tek fati. Ca veshin të brendshme të kuqe për fat në dashuri ose hanë 12 kokrra rrushi për fat në çdo muaj. Disa fshijnë pluhurat ose hapin dyert e shtëpisë në mesnatë për të larguar të keqen, të tjerë mbushin xhepat me para për më shumë të ardhura, e të tjerë bëjnë xhiro në lagje me një valixhe bosh për më shumë udhëtime, e të tjerë përfshijnë në menunë festive edhe recetën "Hoppin John".
Ajo që i bashkon shumicën e këtyre njerëzve është ajo shkëndija e shpresës - apo ajo dëshira universale për rritje, për më shumë, për më mirë. Këtë ia urojmë vetes por edhe të tjerëve. “Të uroj vit të mbarë, të lumtur, plot suksese e realizime planesh”.
Edhe pse me urime formale, gjatë shkëmbimit të viteve njerëzit tentojnë të shpërndajnë besim e mesazhe pozitive tek të afërmit e tyre. Nën efektin e një viti të ri, një fillimi të ri, ëndërrohet, shpresohet, planifikohet, merren vendime.
Kur marrim vendime ose kur vendosim objektivat e Vitit të Ri, ne imagjinojmë një version më të mirë të vetes. Me këtë vetë-imazh ne motivohemi dhe shtojmë besimin tek vetja se mund të bëjmë më shumë në jetë. Çdo vendim fillon me një dëshirë: të jemi më të shëndetshëm, më të lumtur, e më të suksesshëm.
Por a janë vendimet e fillim-vitit realiste? T’i qëndrosh besnik vendimit për të shkuar në palestër çdo ditë për shembull duhet të jetë e vështirë. Deri në muajin shkurt unë për vete e kam para syve dështimin tim të suksesshëm. Kjo nuk ndodh sepse nuk duam të ndryshojmë, por sepse ndryshimi i zakoneve të vjetra kërkon përpjekje, durim dhe një planifikim të mirë. Nganjëherë, synojmë shumë lart, ose presim rezultate shumë shpejt. Nëse vërtet duam të arrijmë diçka duhet të kemi parasysh se objektivat arrihen më lehtësisht kur janë realiste dhe specifike.
Në vend që të them, “do shkoj çdo ditë në palestër këtë vit”, unë bëj një kompromis, që të shkoj çdo fundjavë, ose që të eci minimalisht 30 minuta çdo ditë. Është fjala për progres, jo për perfeksion. Kështu shpresa se një ditë do të arrij objektivin e një stili jete më të shëndetshëm nuk do të më shuhet dhe ndërkohë kultivoj optimizmin ditë pas dite.
Vendimet e Vitit të Ri edhe pse duken si tema të përkohshme bisedash fund e fillim viti nuk janë thjesht të tilla. Ato janë shumë më tepër sesa vetëm premtime që i bëjmë vetes për të ndryshuar ndonjë zakon apo për të fituar aftësi të reja. Vendimet e Vitit të Ri na kujtojnë të shpresojmë e besojmë në aftësinë tonë për t’u përmirësuar, për hir të vetes dhe të njerëzve që duam. Studimet tregojnë se shpresa dhe optimizmi përmirësojnë shëndetin tonë mendor dhe fizik. Prandaj mos ngurroni të bëni plane 1-mujore a 1-vjeçare apo të listoni aktivitete për t’u kryer. Në mos të gjitha, disa prej tyre do t’i realizoni.
© Flasshqip/Jeta Dedja