Blog

Shumë urime për Vitin e Ri 2025 - Nga Enver Robelli

Si përherë në ditën e fundit të vitit, më 31 dhjetor, bashkohen ëndrra të mëdha e dëshira të pakufishme. Me shpresën se ëndrrat dhe dëshirat ta gjejnë rrugën e duhur në Vitin e Ri - gëzuar! Para së gjithash na sjelltë viti 2025 të gjithëve më shumë dritë, më shumë duar miqësore që na mbajnë për të ecur pa u rrëzuar, më shumë arsye, më shumë tolerancë dhe më shumë shpresa që na pëshpëritin uratat më të mira - çdo mëngjes.

E ardhmja u takon atyre që qëndrojnë, që kanë guxim dhe janë të përgjegjshëm. Përherë drita e shandanit i reziston çdo fortune dhe e mposht flakën e urrejtjes, mllefit, përbuzjes.

Përvoja historike, në kontekstin shqiptar, na mëson se pa rrezikuar diçka, nuk arrihet asgjë. Kështu ka qenë përherë. Mund të gërmojmë thellë në histori. Ose mund të ndalemi në Manastir. Është viti 1908. Paraardhësit tanë janë shtetas osmanë. Disa janë madje zyrtarë të lartë osmanë. Përkrahësit e independencës shqiptare nëpër botën e trazuar janë të paktë. E ardhmja e paraardhësve tanë duket e zymtë. Në gjithë atë zymtësi ndodh një mrekulli: intelektualë e klerikë shqiptarë ndërmarrin një hap historik: aty e tutje shqiptarët do të shkruanin me shkronja latine. Më 1929, pra mbi dy dekada më vonë, Turqia moderne si të thuash e kopjoi vendimin e shqiptarëve në Kongresin e Manastirit dhe vendosi po ashtu që turqit të shkruajnë me shkronja latine. Guximtarë e vizionarë ishin shqiptarët e vitit 1908. Së paku ata që morën pjesë në Kongresin e Manastirit. Dhe ata që i përkrahën.

Plot shqiptarë e shqiptare duhet t'i nderojmë edhe sot (sidomos sot), mes dollive e dëshirave. Po i veçoj këtu:

Adem Demaçin për rezistencën e tij veçanërisht në fillim të viteve 1960-të. E pagoi shtrenjtë këtë rezistencë. Emrin e tij më 1991 e përjetësoi Parlamenti Europian me Çmimin Saharov. Andrei Saharov ka qenë disident sovjetik. A mund ta paramendojmë Prishtinën e fillimviteve 60-të? Zymtësi. Varfëri. Dhimbje. Dëshpërim. Dhe si gjithkund në Kosovë: njerëz që gjenden para vendimeve të vështira: të mërgojnë në Turqi, të ikin në Perëndim apo të qëndrojnë në Kosovë. Para së gjithash: ata që qëndruan e shpëtuan Kosovën.

Esad Mekulin, poet e iluminist. Ai është Bertolt Brecht-i i Kosovës. Ata që kanë më pak ambicie mund ta quajnë Migjeni i Kosovës. Më pëlqen ta quaj Bertolt Brecht-i i Kosovës për poezitë e tij me tematikë të revoltës sociale. Vargje vetëdijesimi. Gati çdo varg i shkruar prej tij është një grusht i shtrënguar - në xhep ose në qiell. Por është grusht! Esad Mekulit i takojnë meritat e mëdha për hapjen e shtigjeve kulturore të Kosovës - nga revista letrare “Jeta e re”, deri te organizimi i aktiviteteve të rëndësishme kulturore.

3.

Më 1968 një djalë i ri, i ardhur nga provinca në Prishtinë, një djalë me një emër krejtësisht të rëndomtë, Ibrahim, me një mbiemër jo aq të rëndomtë, Rugova, do të shkruante një shkrim në gazetën “Bota e re” në kujtim të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Mesazhi i shkrimit, pak a shumë, është ky: në rrjedhën e historisë shumë armiq deshën të na zhdukin, por ne qëndruam. Pjesa tjetër e biografisë së Rugovës dihet, duhet të dihet. Kosova është ndër vendet e rralla në botë që i ka dy politikanë të nderuar me Çmimin Saharov - pas Demaçit Parlamenti Europian më 1998 nderoi edhe Ibrahim Rugovën, atë djalin dikur të hajthëm nga Istogu, që edhe në vapën e gushtit vishej si me qenë 12 shkurti i vitit 1945 - dita kur në Prizren doli numri i parë i gazetës “Rilindja”.

4.

Mijëra gra të guximshme të Kosovës që u ngritën mbi rrënojat e patriarkalizmit edhe luftuan orë e çast për iluminimin, emancipimin dhe arsimimin e shoqërisë së Kosovës. Mësuese e mjeke si Sadete Mekuli, artiste si Nexhmije Pagarusha, aktore si Melihate Ajeti.

31 dhjetori është ditë e datë kur duhet të kujtojmë ata që sot nuk flasin, por kanë folur kumbueshëm me veprat e tyre. S’flasin, sepse shumë prej tyre janë nën dhé. Sepse ata janë vdekatarë të pazakonshëm, janë çlirimtarë, ndërsa ne më së shumti mund të jemi - vdekatarë të zakonshëm.

Është një skenë nga greva e gazetarëve, shkrimtarëve dhe publicistëve të “Rilindjes” më 1993 kundër regjimit serb: komandanti i grevës Adem Demaçi pret e përcjell mysafirë që vijnë për t’u solidarizuar. Ukshin Hotin e pret me këto fjalë ironike që mund dhe kishte të drejtë t’i thoshte vetëm Adem Demaçi: “Si të kam o vëlla? A po të palavitin nëpër burgje, po? Hajt se qëndron ti!” Një njeri që jetonte në burgun e hapur të quajtur Kosovë tallej me burgjet e vërteta të Jugosllavisë. Mbesin në histori ata që qëndrojnë.

Skena tjetër nga greva në “Rilindje”: Ali Podrimja ia ka vendosur krahun mbi supe Bajram Kosumit, një përqafim me dashamirësi vëllazërore, dhe reciton poezi - Ali Podrimja, ai djali i ri nga Gjakova, të cilit Azem Shkreli, i veshur elegant si përherë, në një mbrëmje - hajde të themi letrare - në Zürich i thoshte me qesëndi: “O ti pehlivan, po si nuk vendose një kravatë njëherë?” Ndërsa dy poetët e mëdhenj të Kosovës ngacmonin njëri-tjetrin në një sallë në periferi të Zürich-ut, një djalë i hajthëm me emrin Agim Ramadani recitonte poezi me plot patos. Përulësi pa nënshtrim. Barazi. Drejtësi. Paqe. Kryengritje. Këto qenë fjalët që mund të dëgjoje në atë mbrëmje në Zürich.

E kujtova atë mbrëmje të mesit të viteve 1990-të kur në një ditë nëntori të vitit 2022 bashkë me alpinistin Granit Temaj, herët në mëngjes, u gjendem para varrit të Agim Ramadanit në Koshare. Kur jetonte në Zürich, Agim Ramadanit i pëlqente ta citonte Elias Canetti-n, shkrimtarin nobelist hebraik nga Bullgaria, i cili është i varrosur në Zürich. “Vdekja është skandal”, thoshte Agim Ramadani duke cituar Canetti-n, pastaj shtonte: “Përveçse kur vdes për atdhe”.

Te rrëfimet e vogla mbi dhe me zotin Keuner, Bertolt Brecht shkruan: “Një njeri i cili gjatë nuk e kishte parë zotin K., e përshëndeti me këto fjalë: ‘Hiç nuk paskeni ndryshuar’. ‘Oh!’, tha zoti K. dhe u zbeh”.

Ndryshofshim të gjithë edhe më shumë për të mirë në vitin 2025. Dhe mos paçim arsye për t’u zbehur, por miliona arsye për t’u gëzuar!

Mbarësi, dritë, mirëqenie, paqe!

© Enver Robelli