Jimmy Carter, Presidenti ynë i ndershëm - Nga Eric S. Margolis

Eric S. Margolis
I ndjeri Jimmy Carter ishte një njeri shembullor. Ndershmëria, modestia dhe veprat e tij të mira vendosën një standard për atë se si duhet të jenë presidentët amerikanë. Ai ishte modeli i një zotërie të krishterë dhe një oficer i shkëlqyer i marinës.
Fatkeqësisht, ky njeri i mirë u përfshi në aventurat koloniale të Amerikës më shpesh sesa në projektet sociale dhe planet e paqes që synonte të realizonte. Kryesisht, këto probleme të ndërlikuara përfshinin Lindjen e Mesme - një hapësirë jo e përshtatshme për një njeri të ndershëm - si dhe ngërçin e shëmtuar në Iran.
Carter drejtoi dhe mori meritën për përpjekjen kryesore të politikës së Jashtme të administratës së tij, marrëveshjet e shumëpërfolura të Camp David-it, një seri marrëveshjesh që supozohej t’u jepnin fund armiqësive arabo-izraelite, të sillnin paqe në Lindjen e Mesme dhe të trajtonin problemin e rëndë të miliona palestinezëve pa shtëpi, të dëbuar nga trojet e tyre stërgjyshore pas krijimit të shtetit të Izraelit, të mbështetur nga SHBA.
Negociata të gjata e të mundimshme u zhvilluan në shtator 1978 në Camp David, Maryland, të cilat më në fund ulën në një tryezë kryetarin e Organizatës Çlirimtare të Palestinës, Yasser Arafat dhe kryeministrin izraelit Menachem Begin. Me shumë bujë, u shpall marrëveshja që Izraeli, OÇP dhe Egjipti njihnin njëri-tjetrin dhe nisnin marrëdhënie normale tregtare dhe diplomatike. Palestinezëve të Bregut Perëndimor dhe Gazës, të pushtuara nga Izraeli, iu premtua autonomi. Egjipti mori 1.3 miliardë dollarë nga SHBA; Izraeli mori 3 miliardë dollarë në vit. U ofruan gjithashtu një sërë përfitimesh diplomatike dhe ushtarake. U duk sikur paqja po agonte më në fund.
Por agimi i paqes nuk erdhi kurrë. Sundimtari i atëhershëm i Egjiptit, Anwar Sadat, mori paratë amerikane (thuhej se një pjesë e tyre përfunduan në banka zvicerane) dhe mbështeti planin e Izraelit për të mbajtur refugjatët palestinezë në burgun e hapur të Gazës. Si Sadat, ashtu edhe Begin u shpërblyen me Çmimin Nobel.
U pretendua se Sadat ishte në borderonë e pagesave të CIA-s që nga fillimi i viteve 1950. Nëna ime gazetare, Nexhmie Zaimi, intervistoi Sadatin dhe e përshkroi atë si “një klloun”. Por një klloun i zgjuar. Shumica e egjiptianëve e shihnin Sadatin si tradhtar ose mashtrues.
Ndërkohë, Izraeli filloi të tërhiqej nga marrëveshjet dhe refuzoi t’u jepte autonomi palestinezëve që mbante në robëri, vendosi kontrolle më të rrepta ushtarake mbi ta dhe vazhdoi të konfiskonte tokat palestineze dhe të ndërtonte vendbanime të reja hebraike. Me pak fjalë, palestinezët u tradhtuan.
I tronditur dhe i dëshpëruar nga shitja e interesave të palestinezëve, Jimmy Carter shkroi një libër, “Paqe jo Aparteid”, ku akuzonte Izraelin për sjellje të ngjashme me aparteidin e Afrikës së Jugut ndaj palestinezëve. Siç pritej, ai u godit nga një valë e madhe shpifjesh nga grupet pro-izraelite dhe, sigurisht, u akuzua për “antisemitizëm”. Në media, Jimmy Carter-i i dashur dhe babaxhan u shndërrua shpejt në një figurë të urryer.
Në vitin 2020, administrata e atëhershme Trump sajoi një “pazar” të njohur si Marrëveshjet Abraham, duke blerë mbështetjen e regjimeve despotike arabe si Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Maroku dhe Sudani në favor të Izraelit. Ishte një pakt i ndyrë, i denjë për promovuesit e pasurive të patundshme të New York-ut ose shefat e bandave. Të gjitha palët, përveç Sudanit, ishin të tmerruara nga Irani. Mbreti i Marokut mori miratimin e SHBA-së për aneksimin e paligjshëm të Saharasë Perëndimore.
Siria refuzoi të bashkohej me këtë pazar dhe u shënjestrua për ndryshim regjimi. Izraeli pretendoi se gjithçka ishte në rregull derisa shpërthimi masiv në Gaza filloi. Nga të gjitha shtetet arabe, vetëm Jemeni i varfër ofroi mbështetje për palestinezët e rrethuar në Gaza.
Në Uashington, një president i çoroditur, Joe Biden, lejoi që Izraeli dhe kolonët e tij neokonservatorë të merrnin kontrollin e qeverisë së tij dhe të shkatërronin Gazën. Shumë prej nesh kujtuam me mall kohën e Jimmy Carter-it të ndershëm.
Copyright Eric S. Margolis 2025
Foto: Getty Images








