Fytyra e shformuar e medieve - Nga Sejdin Cekani

Pjesa më e madhe e televizioneve dhe portaleve - me (kinse) programe dhe informacione “gjithfarëshe” që sajohen e drejtohen nga profanë e gjysmanalfabetë - po e ndotin përditë e më shumë mjedisin social me banalitete e vulgaritete. Ata janë vënë në një lloj “gare” thuajse shkatërrimtare ndaj kulturës, dijes shkencore, edukatës dhe qytetarisë. I kanë hapur dyert e studiove dhe rubrikat e portaleve për:
- sharlatanë e kallpazanë që e shesin veten për shkencëtarë dhe etimologë,
- të vetëquajtur (para)politikanë që gënjejnë, shpifin e madje kërcënojnë njëri-tjetrin,
- shërbëtorë të bindur e të përulur zotërinjsh, që vazhdojnë të mbjellin dhunë dhe urrejtje nëpër foltore e para kamerash,
- analistë e kalemxhinj që bubërrojnë si tartabiqe nëpër banakë studiosh e faqe portalesh,
- bjerraditës që u vetemëruan kryetarë shoqatash e që zhvatin fonde e ndere sa t’iu hajë krahu,
- individë dembelë e parasite që mburren e zgërdhihen paturpësisht për “bëmat” e tyre,
- vanitoze/ë që spitullohen duke përshfaqur “hire” të silikonta që gërditin të madh e të vogël,
- kapadainj që mburren me mediokritetin e tyre proverbial,
- burra e gra që hapin zorrët e barkut, vetëm e vetëm që të bëjnë emër e të “fitojnë” popullaritet,
- “artiste/ë” me nivel të mjerueshëm profesional e njerëzor,
- “kritikë letrarë” që, për 10 mijë lekë, edhe bejtexhiun-bari delesh e bëjnë Ahmatovë e Dostojevsk,
- të ashtuquajtur poetë, shkrimtarë e përkthyes që ende nuk kanë mësuar gramatikën e shqipes,
- “humoristë estradaxhinj” të neveritshëm që do t’i nxirrnin jashtë me dajak nga pijetoret e rrethinave,
- “mjekë popullorë” që u hedhin trutë e gomarit hallexhinjve të pashpresë,
- furacakë që përgjojnë e përgojojnë kudo e për gjithçka,
- ziliqarë të mllefosur që hedhin baltë e zgjyrë kundër profesionistëve dhe të suksesshmëve,
- delirantë të molepsur me vese e perversitete…
Etj, etj.
© Sejdin Cekani