Kanada

Saskatchewan shpall Nëntorin muajin e Trashëgimisë Shqiptare

  • Published in Kanada

Komuniteti shqiptar në Regina, Saskatchewan në këtë muaj festash kombëtare do ketë një arsye më shumë për të festuar. Ministri i Kulturës, Parqeve dhe Sportit, Gene Makowsky, ka njoftuar se qeveria provinciale përmes vendimit të datës 17 Tetor 2019, ka shpallur Nëntorin si "Muaji i Trashëgimisë Shqiptare".

Ky akt, zyrtarizuar përmes kësaj certifikate, konsiderohet një arritje nga ish-drejtuesi i Shoqatës "Iliria" së shqiptarëve të Saskatchewan-it Lejdi Ago, e po ashtu edhe nga kryetari aktual Ajdin Kozmaqi, të cilët kanë qenë të angazhuar në këtë çështje.

Në Kanada, ku diversiteti dhe përfshirja e komuniteteve janë parime themelore të qeverisjeve federale dhe provinciale, të respektosh kërkesat e arsyeshme të anëtarëve aktivë të minoriteteve që përbëjnë shoqërinë kanadeze është normale për shtetin multikultural, por për komunitetet e vogla, çdo veprim njohës i ekzistencës së tyre në emigracion është arritje e madhe. Tashmë u mbetet edhe provincave të tjera të njohin Nëntorin e shqiptarëve.

©FlasShqip.ca