Kanada

Saskatchewan - Kryeministri Scott Moe dhe Saskatchewan Party fitojnë bindshëm zgjedhjet

  • Published in Kanada

Regina - Saskatchewan Party dhe kryeministri Scott Moe kanë arritur dje një fitore mjaft bindëse ndaj rivalëve të tyre të New Democratic Party (NDP) në zgjedhjet e parakohshme që u deklaruan para pak javësh. Këto zgjedhje ishin të tretat në kushte pandemie në shkallë vendi, pas atyre në New Brunswick dhe British Columbia. Ky do të jetë mandati i katërt radhazi për partinë e Scott Moe që arriti të sigurojë mbi 63% të votave të numëruara natën e zgjedhjeve dhe parashikohet të ketë të paktën 44 nga 61 deputetët e Asamblesë Legjislative të provincës.

Kryeministri i Saskatchewan Scott Moe, për të cilin kjo ishte fitorja e parë personale pasi zëvendësoi në këtë post Brad Wall në Janar 2018, mbajti sot një konferencë shtypi ku theksoi që sfida për ekipin i tij mbetet ringjallja e ekonomisë në provincë, që si kudo është goditur nga pandemia COVID-19. Ai gjithashtu i adresoi një mesazh Justin Trudeau dhe qeverisë federale duke deklaruar që është zgjedhur për të mbrojtur interesat e Saskatchewan-it dhe qytetarëve të tij.

Parlamenti Provincial, Regina-Saskatchewan

Ndërkohë, kandidatët në tetë zona zgjedhore do të duhet të presin më shumë se dy javë për rezultatet përfundimtare pasi Elections Saskatchewan do t’i duhet kohë për të numëruar afërsisht 40,000 vota të dërguara me postë. Në këto tetë zona, diferenca mes kandidatëve duket se është shumë e ngushtë, çka lë pak vend për parashikime të menjëhershme rreth fituesit. Numërimi i votave me postë do të fillojë nesër.

Sidoqoftë, rezultati i këtij numërimi nuk do të vërë në pikëpyetje shumicën e marrë nga Saskatchewan Party, por mund të vulosë fatin e figurave të caktuara politike, të tilla si lideri i NDP, Ryan Meili, që rrezikon të humbasë mandatin si deputet.

Scott Moe dhe bashkëshortja pas votimit

Pa shumë zhurmë, deputet prej vitit 2011 dhe dy here minister (i Ambientit dhe Arsimit), 47 vjeçari Scott Moe u bë kryeministri i Saskatchewan pasi siguroi kreun e Saskatchewan Party më 2018. Ky ish-fermer i diplomuar në shkencat e Agrikulturës pranë Universitetit të Saskatchewan (Saskatoon) me origjinë nga bashkësia e vogël rurale e Shellbrook në Saskatchewan-in verior, ia ka arritur me sukses në pak vite që të afirmohet si lider i të djathtës në provincë. Aktualisht është i treti kryeministër provincial që del bindshëm fitues pas zgjedhjeve të parakohshme në kushtet e COVID-19.

©Flasshqip.ca