Kanada

Zgjedhjet në Kosovë: Diaspora Shqiptaro-Kanadeze shpreson ndryshime rrënjësore

  • Published in Kanada

Përgatiti: Taulant Dedja

Zgjedhjet e 14 Shkurtit në Kosovë janë tema e ditës jo vetëm në hapësirën shqiptare në Ballkan, por edhe ngado në diasporë. Ato vijnë pas një viti të vështirë jo vetëm për shkak të pandemisë COVID-19, por edhe për shkak të kontekstit politik tejet të polarizuar ku të gjithë kemi qenë dëshmitarë të zhvillimeve më shumë se dramatike. Duke filluar që nga rrëzimi me një manovër të turpshme (i mbështetur dhe nxitur prej Richard Grenell) i qeverisë Kurti vetëm pas 50 ditësh, dërgimi i ish-presidentit Thaçi në burgun e Hagës në pritje të gjykimit, evitimi në momentet e fundit i një rreziku për cënimin e territorit të Kosovës dhe natyrisht ndryshimi në administratën e SHBA pas zgjedhjeve të 3 Nëntorit që ka ngjallur optimizmin e një qasjeje më shpresëdhënëse prej SHBA në raport me perspektivën e konsolidimit të shtetit dhe pavarësisë së Kosovës me objektiv final anëtarësimi në OKB, NATO dhe BE.

Por askush nuk ka dyshim që e ardhmja e Kosovës në radhë të parë është në duart e qytetarëve të saj dhe klasës së saj politike. Ditët e fundit, është vënë në pikëpyetje nëse do të votojë apo jo, normalisht si dy herët e tjera të mëparshme Diaspora përmes votës me korrespondencë. Analistë të ndryshëm e kanë denoncuar procedurën e KQZ (të ndikuar politikisht nga Establishmenti i korruptuar 20 vjeçar) si një tentativë për të reduktuar ndikimin që mund të ketë vota e mërgatës në largimin e klasës së vjetër politike. Debat gjithashtu ka ngjallur edhe pengimi absurd i Albin Kurtit për të qenë pjesë e listës se deputeteve. Gjithsesi, dy javët e ardhshme do jenë të tensionuara dhe fjalën e fundit do ta kenë qytetarët dhe ata shqiptarë nga Diaspora që do mund të votojnë.

Flasshqip iu drejtua disa përfaqësuesve të komunitetit shqiptaro-kanadez, një pjesë drejtues apo ish-drejtues organizatash, biznesmenë, artistë apo profesionistë të njohur, të cilët janë shtetas të Republikës së Kosovës me të drejtë vote dhe që jetojnë në provincat Ontario, Saskatchewan, Québec dhe Nova Scotia. Shumica prej tyre kanë shprehur shqetësimin lidhur me procedurat e KQZ dhe ende nuk janë të sigurt nëse do të votojnë apo jo. Gjithsesi, mendimi që dominon tek ata pa përjashtim është dëshira për një ndryshim rrënjësor në mënyrën e qeverisjes së Kosovës dhe ardhja e një klase politike me mentalitet të ri që mbi të gjitha do t'i japë fund korrupsionit dhe kapjes së shtetit.

Naser Berisha - Catham (Ontario) Kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptaro-Kanadeze

Po, do të votojmë me korrespodencë, edhe përkundër shumë pengesave procedurale të KQZ. E gjithë diaspora e Kosovës është e vendosur të votojë në këto zgjedhje shumë të rëndesishme. Këto zgjedhje ne i shohim si një shans i fundit për një ndryshim radikal të qeverisjes në Kosovë. Fatkeqësisht, pas çlirimit nga NATO dhe luftës së lavdishme të UÇK, një pjesë e ish-drejtuesve të saj dhe pasardhësit e LKJ në radhët e LDK, kapën institucionet e shtetit, mbollën farën e korrupsionit, nepotizmit dhe krimit ekonomik në çdo institucion të Republikës së Kosovës, në çdo cep dhe çdo nivel institucional të saj. Si rezultat i kapjes së shtetit, Kosova ngeli prapa në shumë fusha të zhvillimit ekonomik, arsimor, kulturor, shëndetësor etj. Kjo formë e qeverisjes nga Establishmenti vjetër politik, nxiti emigrimin masiv të mbi 500,000 qytetarëve shqiptarë nga Kosova në 20 vitet e e fundit. Kjo klasë politike e vjetër izoloi Kosovën nga Evropa. Sot Kosova nuk ka liberalizim të vizave. Në marrëdheniet ndërkombëtare, Kosova ka humbur shumë beteja në raport me njohjen e saj nga më shumë shtete. Emërues i përbashkët i këtyre dështimeve është mosvendosja e sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë nga klasa e vjetër politike.

Diaspora e Kosovës duke parë këtë dështim total ka vendosur që në masë të madhe të votojë për ndryshim dhe ndëshkim me votë të keqqeverisjes 20-vjeçare që ka ndodhur në Kosovë. Kështu që edhe vota ime do të shkojë për ndryshim. Unë ftoj të gjithë diasporën që ta çlirojmë Kosovën nga kthetrat e zhvatësve 20 vjeçarë të buxhetit të saj dhe të votojmë për ndryshim, për vendosje të rendit dhe ligjit në Kosovë, për shtim të mundësive për investime të diasporës në Kosovë. Një frymë ndryshimi që po vjen nga Prishtina duhet të vazhdojë në Tiranë dhe Shkup. Është koha që shqiptarët të votojnë me kokën e tyre e jo të manipuluar nga një shumë e vogël parash, nga një vend pune për mbijetesë apo të manipuluar nga media, analistë dhe opinionistë të kapur nga politika.

Alban Rrahmani – Ottawa (Ontario)

Kam dërguar kërkesën në KQZ për votim nga distanca, por nuk kam marrë përgjigje ende. Shpresoj që të kem mundësinë të votoj. Këto zgjedhje janë më të rëndësishmet që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Rendi politik në Kosovë ka ndryshuar rrënjësisht në vitin 2020. Është shumë me rëndësi që pjesëmarrja nga Diaspora të jetë sa më e madhe. Partitë e krahut të luftës i kanë figurat kyçe të mbyllura në Hagë dhe kjo ua ka vështirësuar konkurrencën në këto zgjedhje. Gjithashtu rritja e ndjenjës populiste në Kosovë dhe më gjerë, mund ta çojë vendin në gjendje të paqëndrueshme politike. Shpresoj që rezultati në zgjedhje të jetë i pranueshëm për të gjithë dhe kushdo që fiton, të punojë për të mirën e vendit.

Remka Huruglica - Toronto (Ontario) Radio E diel

Po, do të votojmë nëse na e mundëson KQZ, por personalisht jam shumë e zhgënjyer dhe s’kam fjalë pas pengimit që iu bë Albin Kurtit për të qenë në listën e deputetëve. Për fat të keq, shumë shpresa u vranë në Kosovë këto vite. Shpresoj që rezultati i këtyre zgjedhjeve të na riktheje shpresën që për Kosovën ka të ardhme më të bukur…

Zeqirja Rexhepi - Halifax (Nova Scotia)

Uroj që vota të shkojë aty ku ne shpresojmë dhe që rezultati të reflektojë pritshmërinë e shumicës së qytetarëve të Kosovës, të cilët duan me çdo kusht ndryshime në mënyrën dhe qasjen ndaj qeverisjes. Për shumë nga ne, fitorja e Vetvendosjes është e shumëpritur dhe unë besoj që këto zgjedhje do të jenë edhe një lloj referendumi për zgjedhjen e përfaqësuesve më të mirë dhe në këtë rast mendoj se vota e Diasporës mbetet përcaktuese.

Dr. Lulzim Rrafshi - London (Ontario)

Po, jemi regjistruar dhe do votojmë. E kemi marrë konfirmimin nga KQZ. Shpresojmë për një ndryshim pozitiv, edhe pse ka tendenca të mëdha për të ndaluar pjesëmarrjen e disa kandidatëve që kanë përkrahje masive si një shpresë e vetme për ndryshim. Më konkretisht shpresojmë që Albin Kurtit t’i mundesohet kandidatura. Ai sipas meje është e vetmja shpresë që mund t’i japë fund korrupsionit dhe kapjes së shtetit në Kosovë.

Laurat Bugaçku - Toronto (Ontario)

Unë e kam bërë aplikimin online për të votuar me korrespondencë. Tani po pres procedurat e KQZ-së. Jam në pritje të telefonatës së KQZ-se për konfirmimin e të dhënave të mia personale. Ka mëse 10 ditë që jam regjistruar dhe ende nuk kam thirrje nga KQZ. Ky lloj verifikimi përmes një telefonate vetëm sa e vështirëson procesin në diasporë për të votuar. Kjo çfarë po ndodh me votën e mërgatës është një cënim i të drejtës kushtetuese për të votuar.

Nga zgjedhjet e ardhshme jemi duke pritur që të ndodhë ndryshimi i shumëpritur, që do të thotë qeverinë ta udhëheqin të zgjedhurit e popullit dhe shumica parlamentare. Kemi 20 vite që kemi shënuar regres në të gjitha fushat, si në ekonomi, shëndetësi, arsim, etj. Shpresojmë që kësaj here qeverinë do ta udhëheqë Lëvizja Vetëvendosje me dy figurat kyçe të politikës aktuale, Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin.

Ardian Hasanaj - Halifax (Nova Scotia)

Kam bërë kërkesën për pjesëmarrje në votim dhe shpresoj se do të mund ta realizoj atë. Shpresoj që ky proces zgjedhor të jetë i rregullt dhe demokratik. Uroj që kushdo që del fitues nga këto zgjedhje të jetë në shërbim të popullit dhe të punojë për mirëqenie dhe jetë më të mire për qytetarët e Kosovës, perspektivë më të mire për të rinjtë e Kosovës.

Arbnor Krasniqi – Ottawa (Ontario)

Jam regjistruar për zgjedhjet në Kosovë dhe më është konfirmuar aplikimi. Nga këto zgjedhje parlamentare pres dhe shpresoj të ketë një ndryshim rrënjësor të organeve shtetërore dhe Kosova të ecë para e të shkëputet nga kjo ngulfatje që deri tani i humbi çdo vlerë dhe respekt sakrificës së popullit tonë!

Arta Rexhepi - Halifax (Nova Scotia)

Jam regjistruar për të votuar. Nga këto zgjedhje pres të ushtrohet demokracia dhe votime të moralshme. Shpresoj që nga tani të respektojmë Kushtetutën dhe t'i përgëzojmë ata të cilët do votohen nga populli. Njëherë e përgjithmonë të luftojmë për të drejtat tona të ligjshme dhe t'i japim fund korrupsionit si në fushën ligjore por edhe në çdo nivel të qeverisjes.

Fazli Mazreku - London (Ontario)

Po, do të votoj nëse i marr në kohë formularët nga KQZ. Unë mendoj dhe shpresoj se këto zgjedhje do të sjellin ndryshime në mënyrën e qeverisjes kakistokratike të deritanishme, e cila e ka lënë shumë prapa zhvillimin e përgjithshëm të vendit, si edhe ka shkaktuar ngadalësimin e zhvillimit të demokracisë.

Sondazhet dhe disponimi i shumicës janë parakushte të bindjes se do të fitojë LVV, gjithmonë, nëse gjatë rrugës nuk dalin vështirësi dhe pengesa nga forcat politike të cilat për dekada kanë qeverisur vendin dhe kanë ushtruar qeverisje larg standardeve demokratike, në kundërshtim me parimin e llogaridhënies duke keqpërdorur fondet publike.

Është moment vendimtar që të kemi ndryshime të thella politike në vend, duke ardhur në drejtim liderë të rinj, të cilët do të jenë në gjendje të ballafaqohen me problemet reale që ka Kosova në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Unë besoj se aktualisht, personi me adekuat është Albin Kurti, i cili ka kapacitet intelektual, vizion dhe guxim që të ballafaqohet me problemet reale të Kosovës, si vend që ende nuk e ka rrumbullakosur subjektivitetin ndërkombëtar.

Ajdin Kozmaqi - Regina (Saskatchewan) Kryetar i Shoqatës “Iliria”

Po, do të votoj gjithsesi! Kësaj radhe isha shumë vigjilent. U regjistrova menjëherë dhe pranova konfirmimin nga KQZ. Çfarë do të pres kësaj radhe? Kujtoj që isha shumë entuziast në zgjedhjet e 6 Tetorit të vitit 2019. Shumë kam shpresuar në të ashtuquajturin koalicion të shpresës. U zhgënjeva! Andaj, në këto zgjedhje unë do të votoj, e kam detyrim qytetar ndaj vendlindjes dhe do të pres me qetësi shpirtërore që ndryshimi të ndodhë. Megjithatë kam druajtje që pozita e Kryetarit/Kryetares do të bëhet mollë sherri post elektorale. Nuk e gjetëm dhe vështirë se mund ta gjejmë një President konsensual…

Artan Abazi - Halifax (Nova Scotia)

Shpresoj që do të votoj, nëse vota ime nuk shkon kot, pra nëse KQZ e respekton votën e mërgatës ashtu pa hile. Unë pres një dalje masive të popullatës në zgjedhje, sidomos të rinjtë. Sipas sondazheve të shumta, këto zgjedhje do ta thyejnë rekordin në përqindjen e pjesëmarrjes së lartë në votim. Unë personalisht pres një fitore të madhe të VV (Vetvendosjes dhe listës së Vjosa Osmanit). Mendoj që populli ka duruar mjaft në këto 20 vitet e fundit dhe i ka provuar të gjitha partitë që nuk kanë arritur ndonjë rezultat për mirëqënie ekonomike dhe shpresë për një jetë më të dinjitetshme në Kosovë. Asaj udhëheqjeje të zhytur në korrupsion po i vjen fundi. Kosova synon integrimin euroatlantik, pra afrimin me BE dhe anëtarësimin në NATO, liberalizim sa më të shpejtë të vizave dhe një revitalizim të ekonomisë, hapje të vendeve të reja të punës etj.

Albesa Aliu - Toronto (Ontario)

Dëshira ime është të votoj me korrespondencë dhe kështu kam votuar gjatë dy zgjedhjeve të kaluara. Kam dërguar kërkesën me email, mirëpo nuk është shqyrtuar ende nga KQZ. Për dallim nga vitet e tjera, këtë vit KQZ do t'i verifikojë votuesit duke telefonuar, një vendim që qëllimisht do të reduktojë pjesmarrjen, pasi KQZ nuk ka kapacitet të telefonojë të gjithë diasporën në kohë. Do anashkalohen dhe të gjithë ata që nuk mund të përgjigjen për arsye te ndryshme, jashtë kontrollit të tyre. Afatet e shkurtra kohore nuk do lejojnë që votat të arrijnë në kohë me postë. Pra, me fjalë të tjera, ka pak mundësi që vota imë të arrijë në kohë edhe pse dua të marr pjesë. Përgjegjësia i shkon plotësisht KQZ, që qëllimisht krijoi këto pengesa. Nga këto zgjedhje pres një mundësi për shumë figura të reja politike të marrin pozitat meritore në qeverisje, njerëz që udhëheqin fusha sepse i njohin dhe kanë vizion për ndryshim. Pres më shumë bashkëpunim dhe reforma në drejtësi e arsim. Megjithëse ende jo aq sa duhet, këtë vit kemi shumë kandidate gra. Është mundësi e mirë për të gjithë që të mbështesim barazinë gjinore duke votuar më shumë gra.

Zejadin Dedinca - Montréal

Kam kryer procesin e regjistrimit për të votuar nga diaspora. Pres konfirmimin nga KQZ e Kosovës. Shpresoj në këto zgjedhje të ketë ndryshime pozitive të klasës politike, politika zhvillimore ekonomike, luftë ndaj korrupsionit dhe integrim me faktorin shqiptar dhe BE.

Bujar Zejnullahu - Toronto (Ontario) Kryetar i Shoqatës Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze

Po, patjetër që do ta ushtroj të drejtën time kushtetuese që të votoj për atdheun tim. Nuk pres mrekullira, por shpresa vdes e fundit. Le të fitojë më i miri dhe të pranohet rezultati i zgjedhjeve nga të gjitha partitë politike. Ndryshimi është i nevojshëm dhe respektimi i instuticioneve shtetërore duhet të jetë gjëja me e rëndësishme për të gjithë perfaqësuesit e popullit, në pozitë dhe opozitë. Gjithashtu populli duhet të përmbushë detyrën e tij qytetare dhe kombëtare që ta ruajë dhe ta mbrojë shtetin dhe të respektojë rregullat e tij. E dashur Kosovë, ditë më të mira do vijnë por uroj të vijnë sa më shpejt. Zoti e bekoftë Kosovën dhe lavdi heronjve të saj!

Korab Xhara - Montréal (Québec) Kryetar i Shoqatës Kosova

Për zgjedhjet në Kosovë i kemi dërguar formularët e verifikimit dhe KQZ-ja tha që do t’i verifikonte me telefon aplikuesit, por si duket ka shumë aplikime dhe të shohim a do të mund t’i verifikojnë të gjithë apo do t’i fusin në lista pa i verifikuar përmes telefonit. Mua më telefonuan, ndërsa bashkëshorten dhe vajzen nuk i kanë telefonuar akoma. Shpresoj t’i hapin listat e votuesve sa më shpejt sepse kam frikë që s’do të mbrrijnë votat në kohë. Ndërsa nga këto zgjedhje presim që klasa e vjetër të pësojë humbje të thellë në mënyrë që të hapet një faqe e re për shqiptarët. Por kjo do të marrë kohë, sepse s’do të largohet lehtë klasa e vjetër. Do të ketë rezistencë në forma të ndryshme, sabotazh, ndërkëmbëza, hile etj. Por edhe Albin Kurti shpresoj të gjejë rrugën e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit me Ambasadën e SHBA. Pres që fitorja e LVV të jetë frymëzim edhe për Shqipërinë, për ndryshim dhe ndëshkim të politikanëve të korruptuar.

Dani Brajshori - Ottawa (Ontario)

Une nuk e kam plan të votoj. Ka ndodhur edhe këtu në Kanada që nuk kam votuar, në rastet kur kandidatet që janë në listë nuk me bindin se do të na sjellin ndryshim nga e kaluara.  Të them të drejtën jemi zhgenjyer me vite dhe shpresoj që cilido që do të votohet të paraqesë një program konkret me detaje.

Së pari mendoj së Kosovës i duhet një institucion i pavarur siç e ka Kanadaja General Auditor, institucion që të kontrollojë shpenzimet e shtetit për të eliminuar korrupsionin. Po kështu shpresoj që qeveria e dalë nga zgjedhjet do të ketë një agjendë ekonomike për ta zhvilluar ekonominë në një mënyrë të tillë që të mos jetë e varur nga të ardhurat e doganave dhe ndihmat e diasporës. Duhet gjithashtu një sistem më transparent dhe më efikas i taksimit. 

Bashkim Breznica - Toronto (Ontario)

Sigurisht do të votoj. Unë momentalisht jam në Prishtine ku çdo gjë në dukje është e qetë por në fakt situate reale është mjaft e tensionuar. Lutemi që mos të ketë asnjë incident dhe që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë sa më demokratike.

©Flasshqip.ca