Takimi Trudeau-Biden, Shtëpia e Bardhë synon rigjallërimin e marrëdhënieve me Kanadanë
- Published in Kanada
Pas katër viteve marrëdhëniesh të komplikuara nën administratën e Donald Trump, Shtëpia e Bardhë duket se po dërgon sinjale se dëshiron t’u jape një impuls të ri bashkëpunimit dhe raporteve me fqinjin e saj Verior.
Në takimin virtual që do zhvillohet sot mes Presidentit Joe Biden dhe Kryeministrit Justin Trudeau, pritet të bëhen publike disa angazhime të përbashkëta mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e promovimit të industrisë së automjeteve elektrike.
Presidenti Joe Biden nuk do të shfaqet vetëm në ekran. Në takim do të jenë prezent dhe disa nga anëtarët më të rëndësishëm të kabinetit të tij, përfshi Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, Sekretaren e Thesarit Janet Yellen, të Dërguarin Special për Ndryshimet Klimatike John Kerry si dhe Zëvendëspresidenten Kamala Harris. Është përmendur që mund të jenë të pranishëm edhe Sekretari i Mbrojtjes, ai i Sigurisë dhe ai i Transportit, por gjithsesi lista përfundimtare ende nuk është komunikuar në mënyrë definitive.
Në një komunikim të posaçëm me Radio-Canada, një prej zyrtarëve të lartë të administratës Biden ka konfirmuar që ky nuk është aspak një takim rutinë. Pritet që në përfundim të bisedimeve, Kryeministri Trudeau dhe Presidenti Biden të shpallin një listë konkrete të projekteve për t’u realizuar me qëllim rigjallërimin e partneritetin midis dy vendeve.
Siç edhe u theksua kur u konfirmua data e takimit, rimëkëmbja ekonomike post-pandemike do të jetë në rendin e ditës dhe mes çështjeve prioritare është zhvillimi i mëtejshëm industrisë së energjisë elektrike në Amerikën e Veriut. Nga ky sektor pritet veçanërisht të përfitojë provinca e Québec-ut.
Në përfundim të takimit, parashikohet gjithashtu që Biden dhe Trudeau të angazhohen për të bashkëpunuar që Kanada dhe USA të bëhen liderë botërorë në zhvillimin dhe prodhimin e baterive për automjetet elektrike. Zyrtarë të lartë amerikanë dhe kanadezë kanë konfirmuar që kjo do të jetë një pjesë e rëndësishme e asaj që quhet “Rimëkëmbja e gjelbër”, plan stimulues për krijimin e vendeve të reja të punës në të dy anët e kufirit.
Për momentin, pjesa dërrmuese e mineraleve të rralla që përdoren për prodhimin e këtyre baterive importohen nga Kina. Ndërkohë SHBA synon që këto furnizime t’i marrë nga Kanadaja në mënyrë që të shmangë varësinë nga regjimi i Pekinit, nëse sanksionet ekonomike do të shtrëngohen në të ardhmen.
©Flasshqip.ca