Kanada

Joe Biden i deklaron Trudeau: SHBA nuk ka vend mik më të afërt se Kanadaja

  • Published in Kanada

Siç ka raportuar sot pasdite Radio Canada, rimëkëmbja ekonomike, ndryshimet klimatike dhe racizmi sistemik ishin temat kryesore të diskutuara në takimin e parë zyrtar që bashkoi në distancë Kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau dhe Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Në kushte pandemie, shtrëngimi tradicional i duarve u ka lënë vendin përshëndetjeve përmes ekranit në bashkëbisedimin videokonferencë mes dy liderëve, njeri në Otava dhe tjetri në Uashington

Ishte ky pra takimi i parë dypalësh i Presidentit të 46-të të SHBA me një kryetar shteti partner, një shenjë kjo e rëndësisë që Joe Biden synon t'u kushtojë marrëdhënieve me Kanadanë.

Takimi duket se ka shënuar gjithashtu edhe një ndryshim të ndjeshëm në tonin e komunikimit krahasuar me katër vitet e presidencës Trump. “Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë mik më të afërt se Kanadaja. Kjo është arsyeja pse telefonata ime e parë si president ishte për ju dhe takimi im i parë dypalësh po zhvillohet me ju, i ka deklaruar Joe Biden Kryeministrit Trudeau në bashkëbisedimin që i parapriu diskutimeve zyrtare me dyer të mbyllura.

Zëvendëskryeministrja kanadeze Chrystia Freeland, Zëvendëspresidentja Kamala Harris, si dhe shefat e diplomacisë të dy vendeve, Marc Garneau dhe Antony Blinken kanë qenë prezent gjithashtu në takimin e sotëm.

©Flasshqip.ca

Photo Credit: La Presse Canadienne/Adrian Wyld; Associated Press/Evan Vucci;