Kanada

Zbulohen sërish varre anonime pranë një ish-shkolle rezidenciale në Saskatchewan - Shifra mund të jetë mbi 600

  • Published in Kanada

Federata e Fiseve Autoktone të Saskatchewan ka bërë të ditur zbulimin e një numri të madh varresh të paidentifikuara gjatë kërkimeve të zhvilluara me radar në ish-territorin e Shkollës rezidenciale në Marieval (rreth 150 km në distancë nga Regina) të provincës së Saskatchewan.

Në bashkëpunim me Institutin Politeknik të Saskatoon, kjo federatë inspektoi më shumë se 44,000 metra katrorë në territorin e ish-shkollës që administrohej nga Kisha Katolike deri në vitet 1970 dhe ku mendohet se shume pllaka varri, me kalimin e kohës janë hequr nga vetë administruesit e shkollës dukë bërë kësisoj që shumica e varreve të mbeten të paidentifikuara.

Shkolla rezidenciale në Marieval, Saskatchewan

Radari i përdorur ka zbuluar 751 pika reagimi të cilat provojnë praninë e mbetjeve njerëzore të varrosura. Shumica e varreve të gjetura janë varre fëmijësh por ndër ta ka edhe disa të rritur. Deri tani, mund të konsiderohet si zbulimi më i madh i këtij lloji në Kanada.

“Ne nuk mund ta dimë nëse secili reagim korrespondon me një trup, por ne kemi zbuluar 751 zona me madhësi një metër katror”, i ka ​​deklaruar Radio-Canada shefi i Fisit Autokton të Cowessess, Kadmus Delorme. Sipas tij këto janë rezultate e para të kërkimeve dhe marzhi i gabimit mund të shkojë deri në 10%. Ai pohoi gjithashtu se askush nuk pretendon t’i zmadhojë artificialisht shifrat, por është e sigurt se aty gjenden më shumë se 600 persona të varrosur, të cilëve nuk u dihet identiteti.

Kadmus Delorme

Lidhur me këtë ngjarje ka patur reagime edhe nga klasa politike. I pari Kryeministri i Saskatchewan, Scott Moe, ka deklaruar se “është vërtëtë shumë e dhimshme të mësosh që kaq shumë fëmijë kanë humbur jetën pasi janë ndarë nga familjet e tyre, larg dashurisë dhe konfortit shpirtëror që vetëm një familje mund ta sigurojë”. Ndërsa shefi Neodemokrat i Kanadasë, Jagmeet Singh, që ka reaguar në llogarinë e tij në Twitter, ka qenë akoma më i ashpër, duke u shprehur se “ky është një tjetër zbulim i tmerrshëm. Fëmijë që janë vjedhur nga familjet e tyre. Të shkëputur nga komuniteti i tyre. Kanadaja duhet ta njohë të vërtetën. Ky është gjenocid. Pajtimi kërkon që të mos injorohet ky realitet. Pajtimi kërkon drejtësi.”

Marie Wilson

Nga ana e saj, Komisionerja e Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit të Kanadasë, Marie Wilson, ka deklaruar që zbulime të tilla do ketë akoma edhe shumë të tjerë. Shifra totale mund ta kaloje kufirin e 4000.

©Flasshqip.ca

Fotot: Radio-Canada

 

Shënim!

FLASSHQIP beson në mbështetjen e lexuesve. Bashkohu me FlasShqip duke dhuruar përmes e-transfer (Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.) ose duke klikuar më lart butonin “donate”. Faleminderit!

*Gjithashtu nëse dëshironi të bëheni pjesë e rubrikave tona, na shkruani në Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. ose Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo..