Kanada

Çfarë sfidash gjeopolitike e presin botën në 2022?

  • Published in Kanada
Nga: Ximena Sampson

Ximena Sampson

Një numër rajonesh të botës vazhduan të përjetojnë kriza të zgjatura gjatë vitit të kaluar. Me komente nga disa studjues, më poshtë janë paraqitur disa prej vatrave të konflikteve, të cilat do vazhdojnë të meritojnë vëmendje të veçantë edhe gjatë këtij viti që sapo ka nisur.

Tensionet rreth Tajvanit

Në kontinentin e Azisë, Kina komuniste përfaqëson sfidën kryesore gjeopolitike. Në fund të vitit 2021, armiqësitë mes saj dhe demokracive Perëndimore u kristalizuan rreth problemit të Tajvanit. A ekziston rreziku i shpërthimit të një konflikti për shkak të Tajvanit?

Sipas J. Michael Cole, studiues senior në Institutin Macdonald-Laurier, me qendër në Taipei, “edhe nëse nuk është shumë e mundshme në një periudhë afatshkurtër, kriza nuk mund të përjashtohet, por nëse vendimmarrësit në Pekin veprojnë në mënyrë racionale, nuk mendoj se do të ketë luftë”. “Megjithatë”, shton ai, “nëse do të ketë paqëndrueshmëri politike në Kinë, regjimi mund të përpiqet të ringjallë mbështetjen popullore dhe të provokojë një zhvendosje vëmendjeje duke nisur një sulm ndaj Tajvanit. Regjimi mund ta bëjë një veprim të tillë edhe nëse ishulli do vendosë të deklarojë pavarësisë, çka do konsiderohej si një provokim”.

Marrëdhëniet midis Kinës dhe Tajvanit, një demokraci e pavarur nga Kina kontinentale që nga viti 1949, u tensionuan me ardhjen në pushtet të Xi Jinping në 2013 dhe më pas me zgjedhjen në krye të presidencës tajvaneze në vitin 2016 të indipendentistes Tsai-Ing Wen.

Qysh atëherë, Pekini ka rritur presionin e tij ushtarak, diplomatik dhe ekonomik mbi ishullin rebel. Në Tetor 2021, me rastin e 110-vjetorit të Revolucionit Kinez, Presidenti kinez premtoi ribashkim me Tajvanin dhe përsëriti vendosmërinë e fortë të popullit kinez për të mbrojtur integritetin territorial.

Shtetet e Bashkuara nuk janë të lidhura me ishullin me asnjë marrëveshje, por vazhdojnë të mbajnë pozicion ambiguiteti strategjik, duke e furnizuar Tajvanin me material dhe pajisje ushtarake për t'u mbrojtur, pa u angazhuar megjithatë në mënyrë eksplicite për ndihmë në rast të një sulmi kinez.

Tensionet në Evropën Lindore

Në Evropë, tensionet janë përshkallëzuar në Ukrainë, pas një dislokimi të përforcuar të trupave ruse në kufirin me ish-republikën sovjetike në fund të Tetorit. A është pushtimi i saj nga Rusia e Presidentit Putin një opsion i mundshëm?

“E vështirë për t'u thënë”, beson Marie Dumoulin, drejtoreshë e programit “Evropa e zgjeruar” pranë Këshillin Evropian për Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Sipas saj, Presidenti Vladimir Putin po e rrit presionin me idenë për të arritur një marrëveshje me amerikanët. Presidenti rus dëshiron që SHBA të angazhohet për të ndalur zgjerimin e NATO-s në ish-republikat sovjetike. Një takim është planifikuar këtë Janar për të diskutuar rreth Ukrainës. A do pranojë Perëndimi t'u japë rusëve me shkrim garancitë që ata kërkojnë? Mbetet për t’u pare gjatë ditëve në vazhdim.

Ndërkohë, duhet kujtuar që konflikti me separatistët pro-rusë ka marrë rreth 13,000 jetë në Ukrainën Lindore qysh nga viti 2014.

Në të njëjtin rajon, Bjellorusia është gjithashtu për t’u ndjekur me vëmendje, vëren studiuesja e sipërpërmendur. “Evropianët e akuzojnë Presidentin Lukashenko për instrumentalizimin e emigrantëve, të cilët ai i lejoi të hynin në vendin e tij dhe më pas i shtyu drejt Polonisë duke destabilizuar kufirin e jashtëm të BE-së”, argumenton Dumoulin. Thuhet se ai është përpjekur të hakmerret për sanksionet që Perëndimi i vendosi pas rizgjedhjes së tij të diskutueshme në vjeshtën e vitit 2020 dhe represionet që pasuan. “Nëse kriza tani duket se ka mbaruar, Lukashenko mund ta ringjallë përsëri atë në çdo kohë”, konludon ajo.

Lindja e Mesme ende në trazira

Në Lindjen e Mesme, një çështje e lënë pas dore që kërcënon të kthehet në plan të parë është ajo e 60,000 të burgosurve të grupit të armatosur të Shtetit Islamik, të mbajtur në disa kampe në Sirinë Verilindore.

“Për cilëndo qeveri qu i ruhet humbjes së kredibilitetit para votuesve, është shumë i vështirë vendimi për riatdhesimin e luftëtarëve të Islamic State, por ne duhet të diskutojmë për këtë temë delikate, sepse me të lidhen disa çështje sigurie”, beson Arthur Stein, doktorant në Universitetin e Montréal dhe specialist për luftërat civile.

“Disa të burgosur, shkalla e radikalizmit të të cilëve nuk dihet, u arratisën. Përveç kësaj, një numër i madh fëmijësh dhe grash mbahen të ndaluar. Është një situatë mjaft e paqartë në aspektin juridik, pasi këta persona nuk janë gjykuar”, saktëson studiuesi.

Një tjetër çështje ende e pazgjidhur është ajo e programit bërthamor të Iranit. “Në fund të Nëntorit 2021 filluan në Vjenë bisedimet midis Teheranit dhe fuqive të mëdha që nënshkruan marrëveshjen e vitit 2015, por është e paqartë nëse Irani po vepron me mirëbesim apo thjesht po përpiqet të blejë kohë”, vëren Arthur Stein.

Duke mos besuar Iranin, Izraeli kundërshton negociatat dhe do të preferonte një zgjidhje ushtarake. Kryeministri izraelit Naftali Bennett u bëri thirrje negociatorëve që të mos dorëzohen para shantazhit bërthamor të Iranit, kundër të cilit ai nuk përjashtoi veprime të njëanshme.

“Ndikimi i milicive iraniane në Lindjen e Mesme gjithashtu mbetet një çështje për t’u mbajtur nën vëmendje”, pohon Arthur Stein.

Më në fund, situata duhet të monitorohet edhe në Libi, një fuçi baruti që rrezikon të shpërthejë, sipas studiuesit. Zgjedhjet e planifikuara në 24 Dhjetor, të cilat do të ndihmonin vendin të dilte nga një dekadë kaosi, përfundimisht u shtynë. Ndërkohë, tensionet mbeten të larta, pasi mosmarrëveshjet midis kampeve rivale, të mbështetura nga fuqi të ndryshme të huaja, mund ta zhysin Libinë përsëri në luftë civile.

Demokracia në rënie

Në Afrikë, përtej krizave të njohura aty-këtu, është gjendja e demokracisë në rënie që shqetëson Marie-Ève ​​Desrosiers, profesoreshë e asociuar në Shkollën e Zhvillimit Ndërkombëtar dhe Globalizimit në Universitetin e Ottawa. “Dëgjojmë shumë për prezencën në rritje të Kinës apo Rusisë, por ne anashkalojmë format që merr avancimi serioz i autoritarizmit dhe rënia e demokracisë gjetkë në botë”, vëren ajo.

Kësisoj, ndërsa pritej, në periudhën e pas Luftës së Ftohtë, një liberalizim më i madh politik, po ndodh e kundërta”, mendon Desrosier, me një konsolidim të autoritaritarizmit nga pak kudo, pavarësisht një petku në dukje demokratik të institucioneve dhe frazave klishé që përdoren në diskursin politik. Për më tepër, kjo rënie e demokracisë nuk kufizohet ekskluzivisht në aparatin politiko-shtetëror, por ka të bëjë edhe me qytetarët, të cilët para se të preokupohen për të drejtat politike, kërkojnë mbi të gjitha një qeveri funksionale që u sjell atyre siguri, stabilitet politik dhe ekonomik.

Nga Radio-Canada e shqipëroi Flasshqip.

*Në foto ushtarët bjellorusë patrullojnë kufirin me Poloninë.

Foto: Reuters/Kacper Pempel