Qeveria provinciale e Saskatchewan synon më shumë autonomi nga Ottawa
- Published in Kanada
Njoftohet se Partia Saskatchewan, formacioni politik që qeveris Saskatchewan, një prej tre provincave kanadeze të prerive, ka nisur një seri takimesh për të dëgjuar mendimin e qytetarëve rreth një projekti për më shumë autonomi provinciale në raport me qeverisjen federale të Ottawa.
Ish-deputeti Allan Kerpan, është një nga personalitetet e mandatuar nga kryeministri Scott Moe (në foto) për të udhëhequr konsultimet mbi mundësinë që Saskatchewan të ketë më shumë autonomi. Kryeministri Moe prej disa kohësh ka nisur të flasë gjithnjë e më tepër mbi këtë temë.
Në një intervistë për CBC, Allan Kerpan u shpreh se qeveria provinciale beson se provinca duhet të ketë më shumë hapësirë për të vendosur mbi të ardhmen e saj.
Lidhur me temën e autonomisë, Partia Saskatchewan parashikon të diskutojë me një numër të madh qytetarësh, në biseda private ose në grup, që do zhvillohen gjatë gjithë korrikut dhe ndoshta edhe gushtit. Për momentin, bëhet e ditur se në kuadër të këtij turi janë zhvilluar tashmë dy takime. Ata banorë të provincës që dëshirojnë të japin mendimin e tyre janë ftuar të kontaktojnë deputetin e zonës nëse kanë dëshirë të marrin pjesë në konsultim.
Allan Kerpan ka argumentuar se qeveria provinciale synon të ketë më shumë autonomi për të mbrojtur më mirë interesat e provincës dhe sipas tij, më shumë autonomi do të thotë një provincë më solide në çdo aspekt.
Për të evituar krahasimin që mund t’i bëhet më indipendetistët e Québec, Kerpan ka specifikuar se nuk është “i tunduar nga pavarësia, por nga njëfarë pavarësie nga Ottawa, që do ta bënte Saskatchewan një komb brenda një kombi”. Ai beson se provinca mund të marrë më lehtë disa vendime në fushat që lidhen me ekonominë, veçanërisht për burimet natyrore dhe bujqësinë, pa kaluar domosdoshmërisht përmes qeverisë federale.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Foto: CBC












