Kanada

Saskatchewan, arrestohet Myles Sanderson, i dyshuari për masakrën në James Smith Cree Nation

  • Published in Kanada

Policia Federale Kanadeze (RCMP) konfirmoi sot pasdite (07.09) arrestimin e Myles Sanderson, një nga dy të dyshuarit si autor i serisë së vrasjeve dhe plagosjeve me thikë, që ndodhën në Saskatchewan të dielën e fundit. Arrestimi i shumëpritur u krye në afërsi të fshatit Rosthern, 66 km në verilindje të Saskatoon, rreth orës 15:30, me orën e Perëndimit kanadez. RCMP njoftoi që më shumë detaje do të publikohen gjatë orëve në vijim duke shtuar se nuk ka më rrezik për sigurinë publike lidhur me ngjarjen në fjalë.

Në rrjetet sociale, kryeministri i Saskatchewan Scott Moe falenderoi policinë "që punoi ditë e natë për arrestimin e një krimineli të rrezikshëm". Në të njëjtën linjë u deklarua dhe Këshilli Fisnor Autokton i Saskatoon. Kreu i tij, Marc Arcand, u shpreh "jemi të lehtësuar që Myles Sanderson është arrestuar dhe që "gjuetia" në ndjekje të tij ka përfunduar. Tani njerëzit mund të fillojnë të ndjehen përsëri të sigurt". Ndërkohë, mësohet se Marc Arcand ka humbur motrën dhe nipin e tij në këtë tragjedi.

Myles Sanderson, ndjekja ndaj të cilit zgjati 4 ditë, do përballet me akuzat për vrasje të shkallës së parë, tentativë vrasjeje dhe hyrje me dhunë në banesë. Vëllai i tij, Damien Sanderson, 31 vjeç, u shpall në kërkim dhe u akuzua njëlloj si ai, por më pas u gjend i vdekur të hënën, një ditë pas masakrës në territorin e James Smith Cree Nation, ku humbën jetën 10 persona dhe 18 të tjerë u plagosën.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: CBC/Chanss Lagaden