16 qershor 2023 - Popullsia e Kanadasë kapërcen pragun e 40 milionë banorëve
- Published in Kanada

Sipas raportimit të Statistics Canada, sot (16.06.) pak para orës 15:00, popullsia e Kanadasë e kapërceu shifrën e 40 milionë banorëve. Përllogaritjen e saj agjencia federale e statistikave e bazon tek Canada's population clock (real-time model), një software që modelon në kohë reale numrin e lindjeve, vdekjeve dhe ardhjeve të imigrantëve të rinj në vend. Pragu i mëparshëm prej 30 milionë banorësh u arrit pak më shumë se 25 vjet më parë, pikërisht në vitin 1997. Ndërkohë, ekspertët e fushës thonë se nëse rritja e popullsisë vazhdon me këtë ritëm, shifra 50 milionë mund të arrihet qysh në vitin 2050.
Sociodemografi Richard Marcoux, shef i Departamentit të Sociologjisë në Universitetin Laval, i cituar nga Radio-Canada, pohon se “kjo është një rritje e jashtëzakonshme, kryesisht në sajë të emigracionit, që luan një rol shumë më të rëndësishëm se më pare”. Për shembull, 96% e rritjes së popullsisë për vitin 2022 i dedikohet imigracionit. Më konkretisht, vetëm vitin e kaluar, në Kanada u vendosën mbi një million imigrantë të rinj dhe Statistics Canada vlëreson se kjo është rritja më e madhe demografike qysh prej vitit 1957.
Richard Marcoux
Në të njëjtën kohë, ajo që konstatohet sot në raport me 6-7 dekada më parë është shpërndarja asimetrike e popullsisë në 10 provincat dhe territoret e vendit
Sipas shifrave zyrtare, bazuar në të dhënat demografike për vitin 1950, në atë periudhë 33% e popullsisë jetonte në Ontario, 29% në Quebec, 15% në provincat perëndimore dhe 12% në provincat atlantike (Newfoundland, Prince Edward Island, Nova Scotia, New Brunswick). Aktualisht, pesha demografike e provincave të Atlantikut është 6%, ajo e Québec 22% (rreth 8.8 milionë), e Ontarios 40% (rreth 15.6 milionë) dhe e provincave perëndimore së bashku (Manitoba, Saskatchewan, Alberta dhe British Columbia) rreth 25%.
Si mund të shpjegohet ky transformim demografik dhe sidomos rritja e lartë e popullsisë në Ontario, ndërkohë që ritmi i fertilitetit është përafërsisht i njëjtë kudo në të gjithë vendin? Përcaktues sipas studimeve dhe analizave statistikore është sidomos aftësia e Ontarios për të tërhequr imigracionin, qoftë atë vendas apo atë ndërkombëtar.
Popullsia kanadeze sipas provincave dhe territoreve në 2023 (e rrumbullakosur)
- Ontario: 15,580,000
- Quebec: 8,840,000
- British Columbia: 5,456,000
- Alberta: 4,731,000
- Manitoba: 1,439,000
- Saskatchewan: 1,223,000
- Nova Scotia: 1,049,000
- New Brunswick: 834,000
- Newfoundland & Labrador: 534,000
- Prince Edward Island: 178,000
- Northwest Territories: 44,700
- Yukon: 44,500
- Nunavut: 40, 900
Burimi: Statistics Canada
Më poshtë link-u i Canada's population clock (real-time model)
https://www150.statcan.gc.ca/n1/pub/71-607-x/71-607-x2018005-eng.htm
Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada dhe Statistics Canada
Fotot: Istock/William87; Radio-Canada/Xavier Gagnon