Gjermania ndjek shembullin e Kanadasë për "modernizimin" e sistemit të imigracionit
- Published in Kanada
- Nga: Rania Massoud, Radio-Canada
Rania Massoud, Radio-Canada
Me më shumë se dy milionë vende pune për të plotësuar dhe një popullsi gjithnjë e më të plakur, Gjermania po punon shumë për të tërhequr qindra mijëra punëtorë të kualifikuar nga e gjithë bota. Një “revolucion” i vogël, i frymëzuar drejtpërdrejt nga Kanadaja, po ndodh në sistemin e imigracionit të ekonomisë më të fuqishme evropiane.
Më 23 qershor 2023, deputetët gjermanë miratuan një reformë të ligjit të imigracionit për të futur një sistem pikësh të frymëzuar drejtpërdrejt nga modeli kanadez, me synimin e deklaruar për të thjeshtuar dhe përshpejtuar ardhjen e punëtorëve të kualifikuar nga vendet e huaja, jo-evropianë.
Berlini e quan atë ligjin më “modern” të imigracionit në Evropë dhe ndërsa çështja e imigracionit është shumë e politizuar dhe polarizuese në pjesën tjetër të Kontinentit të Vjetër, Gjermania e sheh atë si një mjet për mbijetesën e vet ekonomike.
Ashtu si shumica e vendeve perëndimore, Gjermania po përballet me një mungesë të madhe të fuqisë punëtore, shoqëruar me një popullsi në plakje. “Një fenomen që rrezikon të bëhet një frenues i vërtetë për rritjen ekonomike”, deklaroi së fundmi ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil.
Sipas statistikave më të fundit, në Gjermani gati dy milionë vende pune janë të lira. Përveç kësaj, brezi i “baby-boomer” po del gradualisht dhe masivisht në pension, duke zgjeruar më tej hendekun demografik në tregun e punës dhe sipas një studimi të Institutit për Kërkime në Sektorin e Tregut të Punës (IAB), nëse nuk bëhet asgjë konkrete, ky treg pritet të humbasë shtatë milionë vetë deri në vitin 2035,
“Agjencia Federale e Punësimit vlerëson se 400,000 punëtorë të huaj të kualifikuar nevojiten çdo vit për t'i mundësuar Gjermanisë të ruajë nivelin aktual të prosperitetit dhe pasurisë”, pohon Jeanette Süẞ, eksperte e marrëdhënieve franko-gjermane pranë Institutin Francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare (IFRI), ndërsa sipas këshilltares ekonomike të qeverisë gjermane, Monika Schnitzer, RFGJ i duhen 1.5 milionë imigrantë në vit, nëse dëshiron të ketë 400 mijë qytetarë të rinj çdo vit dhe kështu të ruajë numrin e krahut të punës, të nevojshëm për ekonominë e vet.

Disa masa të frymëzuara nga Kanadaja
Në kuadër të reformës së sistemit të imigracionit, qeveria gjermane ka miratuar masa të reja për të reduktuar pengesat për ardhjen e punëtorëve të kualifikuar nga vendet jo-evropiane dhe sipas ekspertes Süẞ, ka tri ngjashmëri me modelin kanadez.
Së pari, është ngritja e një sistemi të ri pikësh, që është risia më e madhe e ligjit. Për t'u pranuar në tregun gjerman të punës, një kandidat për imigrim duhet të marrë një sasi prej 6 pikësh në raport me 12 kriteret që lidhen veçanërisht me njohuritë e gjuhës, përvojën profesionale, aftësitë dhe moshën.
Ky është një pyetësor më pak i sofistikuar se ai që ekziston në Kanada - i quajtur zyrtarisht Sistemi Gjithëpërfshirës i Renditjes (CRS) - ku kandidatët e imigracionit mund të grumbullojnë deri në 1200 pikë. Për sa i përket atraktivitetit, sigurisht që Gjermania ka disa pika të forta, por për shkak të pengesës gjuhësore, qeveria nuk ka dashur ta bënte sistemin shumë të komplikuar, ndaj dhe ka vendosur një prag pranimi prej 6 pikash nga 12, çka e bën formulën më të thjeshtë se sistemi kanadez.
Një ndryshim i vërtetë paradigme
Risia tjetër e rëndësishme, është shfuqizimi i detyrimit për njohjen e diplomave të huaja.
Profilet e punëtorëve të kërkuar nga Gjermania nuk janë domosdoshmërisht ata me kualifikimet më akademike, por kryesisht ato me njohuri të avancuara teknike në fushën e ndërtimit ose inxhinierisë. “Me kalimin e kohës u kuptua se nuk mund të kërkohet që shtetasit e vendeve të treta të kenë diploma të njohura sipas standardeve gjermane”, shpjegon sërish Jeanette Süẞ e Institutin Francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare
Për një vend kultura e të cilit tradicionalisht i referohet në një sistemi të bazuar në formimin profesional, i cili është unik në llojin e tij, ky shfuqizimi përbën një ndryshim të vërtetë paradigme.
Përveç kësaj, me sistemin e ri të pikëve, punëtorët joevropianë do mund të shkojnë në Gjermani pa kontratë pune dhe ky ndryshim ka ndjekur drejtpërdrejt modelin kanadez. Kësisoj, kandidatët e suksesshëm do jenë në gjendje të kërkojnë një punë sapo të mbërrijnë në tokën gjermane.

Refugjatët si punëtorë të kualifikuar
Risia e tretë është mundësia që refugjatët e pranishëm në Gjermani të marrin leje pune dhe ky duket se është një lëshim i qeverisë së koalicionit tripartiak në dobi të të Gjelbërve, të cilët ia dolën ta impononin këtë klauzolë.
Nga ana e saj, në vitin 2018, Kanadaja pat nisur Projektin Pilot të Lëvizshmërisë Ekonomike për të mirëpritur refugjatët e aftë në tregun e punës. Më pas, në dhjetor 2021, ministria kanadeze e Imigracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë u angazhua gjithashtu të pranonte 2000 refugjatë të kualifikuar për të plotësuar mungesat e fuqisë punëtore në sektorë me kërkesa të larta si kujdesi shëndetësor dhe ndërtimi.
Së fundi, një projektligj tjetër, i cili është ende në fazën e hartimit në Gjermani, do t’u lejojë punëtorëve të huaj të kenë shtetësinë gjermane pas tre ose pesë vjetësh, në vend të tetë që parashikohet aktualisht.
Vende të tjera evropiane gjithashtu duken të interesuar për modelin kanadez, veçanërisht Franca, Spanja, Mbretëria e Bashkuar, por edhe Australia. Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia kanë tashmë një sistem pikësh, por rregullat e tyre janë shumë më kufizuese se në Kanada.

Çfarë është sistemi i pikëve të imigrimit?
Kanadaja është vendi i parë në botë që ka miratuar, në vitin 1967, sistemin e pikëve të imigracionit, të quajtur Sistemi Gjithëpërfshirës i Renditjes. Ky sistem ka pësuar disa ndryshime që nga fillimi. Qysh nga viti 2015, ai është bërë gurthemeli i sistemit të menaxhimit të aplikimeve për qëndrim të përhershëm, Express Entry, i krijuar për punëtorë me aftësi të larta.
Për t'u pranuar në grupin Express Entry, kandidatët për një nga tre kategoritë federale të imigracionit ekonomik, përkatësisht Programi i Punëtorëve të kualifikuar, Programi i punëtorëve të profesioneve të specializuara dhe kategoria e Eksperiencës Kanadeze, duhet së pari të marrin një rezultat në Sistemin Gjithëpërfshirës të Renditjes. Këta aplikantë më pas do të renditen në raport me njëri-tjetrit sipas pikëve të tyre dhe ata me pikët më të larta do të ftohen të aplikojnë për qëndrim të përhershëm.
Sipas raportit të fundit të ministrisë federale të Imigracionit, në vitin 2021 në sistemin Express Entry u dorëzuan 443,004 aplikime, një rritje prej 23% krahasuar me vitin 2020 (360,998) dhe 33% krahasuar me 2019 (332,331). Në total, ministria organizoi 42 raunde ftese në 2021 dhe akordoi 114,431 ftesa, një rritje prej 6% nga 107,350 ftesa të akorduara në 2020.

Edhe pse vlerësohet pozitivisht jashtë Kanadasë, megjithatë sipas disa specialistëve, sistemi kanadez i imigracionit ka kufizimet e veta, veçanërisht për shkak të ngadalësisë së burokracisë federale dhe për më tepër, 56 vjet pas krijimit të tij, ky sistem ende nuk ka arritur të zbusë mungesën e fuqisë punëtore në vend.
“Procesi për të marrë një leje pune në Kanada është ende i komplikuar”, shpjegon Patrice Brunet, avokat i specializuar në fushën e imigracionit në ndihmë të ndërmarrjeve dhe ish-president i Shoqatës së Avokatëve të Imigracionit në Québec (AQAADI). Sipas tij, ai ka klientë të cilëve u mungojnë makinistë apo mekanikë të pajisjeve të rënda. Po kështu ai sjell shembullin e punëtorëve sezonalë nga Amerika e Jugut që vijnë në Kanada për të punuar për disa muaj në sektorin bujqësor ose industrial. Thënë më konkretisht, “sistemi i pikëve është fleksibël për të shqyrtuar aplikimet për punë të përkohshme, por paraqitet shumë më i komplikuar kur bëhet fjalë për t’i lejuar ata punëtorë të vendosen përgjithmonë në vend, sepse ata nuk dinë frëngjisht ose anglisht ose sepse nuk kanë mbaruar shkollën e mesme”.
Megjithë kritikat për sistemin kanadez, avokati Brunet beson se reforma gjermanee legjislacionit për imigracionin është një hap në drejtimin e duhur për Gjermaninë, aq më tepër që me krizën e emigrantëve të paligjshëm, imigrimi në Evropë është thuajse i pakontrollueshëm dhe nuk mund të planifikohet. “Avantazhi i këtij sistemi është se ai i lejon një vendi sovran, të kontrollojë të paktën një pjesë të imigracionit”, shton ai.
Një garë globale talentesh
I pyetur nga Radio-Canada, ministri kanadez i Imigracionit, Sean Fraser, pohon se Ottawa dëshiron të tërheqë kandidatë që jo vetëm kanë aftësitë e nevojshme për zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe aftësi që do të bënin të mundur zgjidhjen e disa çështjeve si p.sh. kriza e strehimit apo kriza në rrjetin shëndetësor. “Nëse miratojmë politika të zgjuara dhe punojmë me provincat dhe komunitetet për të ndërtuar kapacitete për të mirëpritur të ardhurit, është e mundur ta përdorim imigracionin për të ulur presionin mbi sistemin shëndetësor ose strehimin”, ka pohuar ministri. Ai gjithashtu siguron se ministria e tij po punon për të rritur mundësitë për fitimin e lejes së qëndrimit të përhershëm për mbajtësit e një vize të përkohshme në Kanada, si p.sh. studentët apo punëtorët.

Ministrja e Brendshme e RFGJ Nancy Faeser dhe Ministri i Punës Hubertus Heil gjatë vizitës në Kanada, mars 2023
Marsin e kaluar, ministri Fraser priti ministrat gjermanë të Brendshëm dhe të Punës dhe u organizoi atyre edhe një vizitë në kompaninë Giatec, e cila është e specializuar në zgjidhjet teknologjike në ndërtim dhe përdor sistemin e imigracionit për të punësuar punëtorë të rinj.
“Ishte e qartë se dy ministrat e konsideronin modelin kanadez të jashtëzakonshëm në krahasim me sistemin e vjetër gjerman”, shton z. Fraser, i cili mbetet koshient se është shumë e rëndësishme që Kanadaja të mbetet konkurruese në aspektin e imigracionit, veçanërisht për faktin se të gjitha vendet e zhvilluara po konkurrojnë në botë tani për të njëjtin grup talentesh.
India, në veçanti, është në krye të vendeve nga vijnë shumica e imigrantëve në Kanada, por edhe në Gjermani, Australi, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Zbutja e efekteve të largimit të trurit
Pyetja tjetër që lind është se si kjo garë për talente do të ndikojë në vendet më pak të zhvilluara që po vuajnë pasojat e largimit të trurit.
Sipas Jeanette Süẞ, partneritetet migratore do të jenë të nevojshme për një menaxhim më të drejtë të flukseve. Gjermania madje ka emëruar një person të ri përgjegjës për këtë çështje, ish-ministrin Joachim Stamp.

Ministri kanadez i Imigracionit Sean Fraser
Nga ana e tij, ministri Fraser siguron se Kanadaja po punon intensivisht me vendet e treta për të shmangur rëndimin e pabarazive për shkak të largimit të trurit, veçanërisht në fushat më të lakmuara. “Jordania”, thotë ai, “ka një tepricë të punëtorëve të ndërtimit. Ne kemi nevojë për këta punëtorë që nuk kanë mundësi të punojnë në vendin e tyre”.
Një shembull tjetër është ai i Filipineve, vend që ka hartuar kurrikula të posaçme në kujdesin shëndetësor me qëllim trajnimin e infermierëve dhe përmbushjen e kërkesave në rritje të vendeve të huaja.
Janarin e kaluar, qeveria e Nova Scotia njoftoi se kishte ofruar punësim për të punuar në rrjetin shëndetësor të provincës për 65 persona nga një kamp refugjatësh në Kenia.
“Ne jemi të ndjeshëm ndaj çështjes së largimit të trurit, por në fund të fundit detyra jonë është t'u shërbejmë interesave të Kanadasë. Kur bëhet fjalë për përmirësimin e cilësisë së jetës së kanadezëve, sigurisht që nuk do të rezervohemi”, deklaroi ministri i Imigracionit Sean Fraser.
Burimi dhe fotot: Radio-Canada
E shqipëroi Flasshqip.ca












