Java Kanadeze - Lajme shkurt 13 gusht 2023
- Published in Kanada
Louise lake - Banff (Alberta)
-British Columbia, propozohet krijimi i një shërbimi kombëtar për administrimin e zjarreve në pyje
-Alberta, një grup kriminal kibernetik rus shkakton rrjedhjen e të dhënave për 1,5 milionë qytetarë të provincës
-Saskatchewan, zgjedhjet e pjesshme në tre zona test për zgjedhjet e ardhshme në vitin 2024
-Nova Scotia, orët e mbylljes së shërbimit të urgjencave në 2022-2023 arrijnë shifra rekord
-Québec, bashkia Montréal rekomandon mospërdorimin e automjeteve në fundjavën e mbingarkuar me aktivitete
-Ontario, zhvillohet për herë të parë në Windsor eventi “Ford-Fest”
British Columbia - Një shkencëtar nga British Coumbia i është bashkuar propozimit të një kolegu, ekologjistit Robert Gray dhe deputetit federal neodemokrat të zonës Okanagan-Sud-Kootenay-Ouest, Richard Cannings (me profesion biolog), duke bërë thirrje për krijimin e një shërbimi kanadez për luftën kundër zjarreve në pyje. Titullari i katedrës së Inovacionit në fushën e Shërbimeve parandaluese, Menaxhimin e emergjencave dhe Shkencave të zjarrit pranë Universitetit Thompson Rivers, Mike Flannigan, beson se një forcë federale do t’i jepte një përgjigje më efikase në afatgjatë sesa sistemi aktual, situatave të zjarreve në pyje. Sipas tij, përdorimi i ushtrisë çdo vit nuk është një zgjidhje e qëndrueshme dhe në të njëjtën kohë, ndihma ndërkombëtare e kërkuar gjatë sezoneve shumë aktivë të zjarreve si ai i sivjetmi, merr shumë kohë për të mbërritur. “Nëse do të kishim një shërbim kombëtar të zjarrfikësve pyjorë të trajnuar mirë, ne mund t’i përdorim ata në mënyrë parandaluese dhe jo në mënyrë reaguese”, ka pohuar për Radio-Canada, profesor Flannigan. Megjithatë, duket se kjo ide nuk ka gjetur ende vëmendjen e duhur në Ottawa, ku qeveria federale për momentin ka premtuar fonde, trajnime, pajisje apo kërkime, por jo krijimin e një force kombëtare. “Nuk ka ende diskutim për një shërbim kombëtar, sistemi ynë i mbrojtjes nga zjarret në pyje mbështetet kryesisht në përgjegjësinë provinciale dhe territoriale”, ka shpjeguar Michael Norton, Drejtor i përgjithshëm i Qendrës së Pylltarisë për Veriun pranë Natural Resources Canada. Ndërkohë, Ottawa njoftoi të premten (11.08.) një financim për Shoqatën Ndërkombëtare të Zjarrfikësve (IAF). Financimi do të mbështesë veçanërisht një projekt pilot që do të trajnojë 25 instruktorë në Kamloops, British Columbia. Përveç kësaj, IAF do të ofrojë 15 kurse në 5 vendndodhje të ndryshme në Kanadanë Perëndimore, për të trajnuar deri në 325 zjarrfikës urbanë për situatat e zjarreve në zonat periurbane.
Alberta - Një grup kriminal kibernetik rus i quajtur “8Base” është autori i sulmit me ransomware në korrik kundër bazës së informatizuar të të dhënave të Shoqatës së Shërbimeve Dentare në Alberta. Lajmin rreth këtij piratazhi informatik që ka cënuar të dhënat personale të rreth 1.5 milionë albertanëve, e ka konfirmuar presidenti i këtij institucioni, Lyle Best. Sipas ekspertit në fushën e sigurisë kibernetike, Steve Waterhouse, piratët kanë depërtuar në sistemin kompjuterik disa muaj përpara se sistemi të bllokohej, duke arritur t’i marrin të dhënat dhe të aplikojnë ransomware. “Sulmet e tipit ransomware, të cilat konsistojnë në enkriptimin e skedarëve të një organizate ose një personi dhe më pas duke u kërkuar atyre një shumë parash për t'i lejuar ata të aksesojnë sërish të dhënat e tyre, janë gjithnjë e më të zakonshme në mbarë botën”, ka pohuar ai. Ndërkohë, po sipas disa ekspertëve të fushës, ky sulm ndaj Shoqatës së Shërbimeve Dentare në Alberta rrezikon të minojë besimin e publikut ndaj kësaj organizatë jofitimprurëse e cila administron programet e sigurimit dentar për të moshuarit dhe personat me të ardhura të ulëta. Shoqata, nga ana e saj ka deklaruar se do të kontaktojë me postë këdo që preket nga kjo rrjedhje të dhënash, veçanërisht ata të cilëve u është vjedhur informacioni bankar. Që nga e hëna e ardhshme (14.08.) për publikun do të vihet në dispozicion edhe një call center.
Saskatchewan - Sipas komenteve në media dhe mendimit të ekspertëve, rezultatet e zgjedhjeve të pjesshme provinciale të mbajtura në tre zona elektorale në Saskatchewan, janë një test për partitë politike, një vit para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm. NDP Saskatchewan ka fituar dy përballje në Regina, në zona të cilat më parë ishin fituar nga Partia Saskatchewan në qeverisje. Nga ana e tij, kryeministri Scott Moe përgëzoi të vetmin kandidat fitues për mazhorancën, Blaine McLeod, por nuk e fshehu zhgënjimin e tij, duke deklaruar se e mori mesazhin e dhënë nga qytetarët përmes këtyre rezultateve, mesazh të cilin, sipas tij, “qeveria duhet ta marrë seriozisht, sepse bëhet fjalë për të kuptuar se si, në çfarë niveli dhe me çfarë mjetesh mund t’i ndihmojmë familjet të përballojnë koston e jetesës”. Nga ana e saj, kryetarja e NDP në opozitë, Carla Beck, është shprehur e kënaqur me dy fitoret në Regina. Sipas saj, “qytetarët po kërkojnë diçka ndryshe, ata janë të lodhur nga politikat përçarëse dhe duan një arsye për të shpresuar përsëri te një qeveri që punon për të mirën e tyre”. Daniel Béland, ekspert i shkencave politike pranë Universitetin McGill, ka shpjeguar për Radio-Canada se për Partinë Saskatchewan zgjedhjet e vitit 2024 nuk do të jenë të lehta. Sipas tij, zgjedhjet e pjesëshme të zhvilluara të premten (11.08.) treguan se NDP është një kundërshtar serioz për partinë e Scott Moe.
Nova Scotia - Sipas CBC/Radio-Canada, numri i orëve të mbylljes së departamenteve të urgjencës në provincën Nova Scotia ka arritur një rekord të lartë në periudhën 2022-2023. Sipas shifrave të vitit të fundit fiskal, ata janë mbyllur për gati 80,000 orë dhe shërbimet në spitale janë duke u pakësuar. Në Windsor, dhoma e urgjencës në Spitalin komunitar Hants u mbyll të enjten e kësaj jave (10.08.). Një skenë që dukej si “déja vu”, sepse aty gjatë kësaj vere ka patur rreth njëzet ndërprerje shërbimi, situate kjo që i shqetëson qytetarët. Ndërsa ky spital e mbylli gati 60 orë urgjencën në vitin financiar 2021-2022, shifrat shpërthyen një vit më pas dhe sipas të dhënave nga Autoriteti Shëndetësor i Nova Scotia për 2022-2023 të marra nga Radio-Canada, ky shërbim u mbyll për gati 1200 orë, ose 50 ditë. Kjo tendencë nuk është unikale, sepse nga dyzet spitalet e provincës me shërbim urgjence, 20 prej tyre u është dashur ta mbyllin këtë shërbim. Këto mbyllje të përkohshme ose të planifikuara kanë ndodhur kryesisht për shkak të mungesës së mjekëve dhe stafit. Cape Breton është “kampioni” fatkeq i shifrave, me 30,321 orë gjithsej mbyllje. Zona ka 14 spitale dhe tetë kanë patur mbyllje të departamenteve të tyre të urgjencës. Që nga viti 2021, shtatë nga departamentet më të paqëndrueshëm të urgjencës janë kthyer në qendra të kujdesit urgjent. Bëhet fjalë për klinika ku duhet marrë takim, pa autoambulanca dhe që janë të hapura disa ditë në javë, gjatë ditës. Qeveria e Tim Houston ka planifikuar të krijojë më shumë qendra të kujdesit urgjent në të ardhmen dhe në buxhetin e këtij viti është parashikuar shpenzimi i 15 milionë dollarëve për të përmirësuar këtë shërbim.
Québec - Për shkak të trafikut të lartë që pritej këtë fundjavë në qytet, bashkia Montréal i ftoi qytetarët të braktisin makinat në favor të transportit publik. Tetë aktivitete të rëndësishëm ishin tashmë të programuar në kalendar, duke përfshirë dy koncerte të grupit të mirënjohur Metallica në stadiumin Olimpik, Festivalin e Krenarisë Montréal dhe Festivalin îleSoniq në Parc Jean-Drapeau. Vetëm dy shfaqjet e Metallica parashikohet të kenë rreth 60,000 spektatorë. Sipas zëdhënësit të bashkisë, Philippe Sabourin, duke llogaritur gjithashtu turneun e tenisit Omnium të Bankës Kombëtare, Festivalin Ndërkombëtar Autokton, Festivalin Otakuthon dhe Sallonin Ndërkombëtar Black Woman në Portin e Vjetër, pritet që në qytet të mbërrijnë këtë fundjavë rreth 200,000 vizitorë. Bashkia u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të planifikojnë udhëtimet e tyre, veçanërisht rreth Parkut Olimpik, ku shumë rrugë do të jenë të mbyllura për trafikun. Rreth tridhjetë policë janë ngarkuar për të supervizuar turmën në zonë. Duhen shmangur gjithashtu bulevardet Robert-Bourassa dhe René-Lévesque. “Transporti publik do të jetë mënyra më e shpejtë për të lëvizur”, ka pohuar për Radio-Canada Philippe Sabourin. Ndërkohë, frekuenca e trenave do të dyfishohet në linjën e gjelbër dhe në linjën e verdhë të metrosë si dhe do të ketë punonjës shtesë për të siguruar udhëtime sa më të qeta. Një biletë e veçantë është emetuar për ketë fundjavë. Karta Metallica Unlimited Weekend do t'u mundësojë qytetarëve udhëtimin me autobus, metro dhe në zonat A, B, C dhe D të Rrjetit Metropolitan Express (REM), nga e premtja ora 10:00 deri të hënën në orën 05:00. Bashkia i ka inkurajuar frekuentuesit e transportit publik që t’i marrin biletat e tyre paraprakisht për të shmangur radhët. Çiklistët gjithashtu do të duhet të planifikojnë udhëtimet e tyre. Duke pasur parasysh numrin e madh të njerëzve që priten në stadiumin Olimpik dhe Parc Jean-Drapeau, biçikletat ndalohen të shtunën dhe të dielën nga ora 15:30 në linjën e gjelbër dhe nga mesdita në linjën e verdhë.
Ontario - Kryeministri i Ontarios Doug Ford organizoi të premten në mbrëmje “Ford Fest”-in e tij tradicional në rajonin e Windsor, një zonë që zgjodhi dy deputetë të rinj progresistë-konservatorë në zgjedhjet e fundit. Qindra njerëz sfiduan shiun për të marrë pjesë në eventin që më parë është zhvilluar vetëm në Toronto, në kopshtin e shtëpisë së familjes Ford. 1500 vetë ishin regjistruar paraprakisht, por kushdo mund të paraqitej në klubin Ciociaro në Tecumseh, në periferi të Windsor ku pjesëmarrësit u rreshtuan atje për minuta të tëra për të marrë një pije dhe një hamburger falas. Njëri pas tjetrit, kryebashkiakët e qyteteve përreth vlerësuan Doug Ford-in dhe projektet e financuara nga qeveria e tij në rajon si zgjerimi i autostradës 3, ndërtimi i një mega-spitali dhe miliarda dollarë lehtësira fiskale për fabrikën e baterive elektrike Stellantis. “Kur ai premton se do të bëjë diçka, ai e mban fjalën”, ka deklaruar para turmës kryetari i bashkisë Windsor, Drew Dilkens. Eventi i liderit progresist-konservator në Ontario-n Jugperëndimore u zhvillua më shumë se një vit pas depërtimit të suksesshëm në këtë rajon të partisë së tij në zgjedhjet e 2022, kur qytetarët e Essex dhe Windsor-Tecumseh zgjodhën konservatorët Anthony Leardin dhe Andrew Dowie për t’i përfaqësuar ata në Queen's Park. Ndërkohë, prej vitit 1970, këto dy zona ishin përfaqësuar sistematikisht nga liberalët dhe neodemokratët.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada