Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 22 tetor 2023

  • Published in Kanada

Prince Edward Island

 

-Ontario, kryeministri Doug Ford i kërkon Bankës së Kanadasë të mos rrisë normat e interesit

-British Columbia, qeveria synon të ndihmojë bashkitë për kontrollin e qirave afatshkurtra

-Alberta, organizohet konsultimi i parë publik për sistemin provincial të pensioneve

-Saskatchevan, miratohet ligji provincial për identitetin gjinor në shkolla

-New Brunswick, manifestim propalestinez në Moncton

-Québec, policia e Montréal raporton 16 krime me motiv urrejtjen qysh nga nisja e konfliktit në Lindjen e Mesme

 

Ontario - Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, i kërkon Bankës së Kanadasë që të mos e rrisë normën bazë këtë javë. Në një letër drejtuar Guvernatorit të Bankës së Kanadasë, Tiff Macklem sot (22.10.), Ford i kërkoi atij që të merrte në konsideratë ndikimin e këtyre masave në familjet e Ontarios. “Çdo javë flas drejtpërdrejt me familjet që paguajnë qindra apo edhe mijëra dollarë më shumë në muaj për hipotekën e tyre”, thuhet në letrën e tij. Banka qendrore e mbajti normën e saj bazë në 5% muajin e kaluar, por ende e preokupuar për presionin mbi çmimet, ajo la të kuptohej se mund të kishte rritje të mëtejshme. “Edhe pse ju deklaruat se këto rritje sfilitëse ishin të nevojshme për të luftuar inflacionin, ky arsyetim është gjithnjë e më jobindës”, shprehet më tej në letër kryeministri i Ontarios. Në një letër tjetër të dërguar po sot, ai i kërkon kryeministrit Justin Trudeau të bashkëpunojë me provincat dhe territoret për të adresuar shkaqet rrënjësore të presioneve inflacioniste që e çuan Bankën e Kanadasë të ndëshkonte qytetarët e thjeshtë. Doug Ford iu bashkua në shtator homologut të tij në British Columbia, neodemokratit David Eby, për të kërkuar që banka qendrore të ndalonte rritjen e normave të interesit. Ndërkohë, eskpertët parashikojnë që Banka e Kanadasë nuk do ta rrisë normën e saj bazë të mërkurën e ardhshme (25.10.) për shkak të ngadalësimit ekonomik dhe një rënie të lehtë të inflacionit. Në shtator, indeksi i çmimeve të konsumit (CPI) ra me 0.1%. Ai ishte rritur me 0.4% muajin e kaluar.

Doug Ford

British Columbia - Në tentativën e saj për të frenuar krizën e përkeqësuar të strehimit, qeveria e British Columbia paraqiti një projekt-ligj të ri të hënën e kaluar (16.10.) që do të standardizojë rregulloret në lidhje me qiratë afatshkurtra dhe do të ndihmojë bashkitë me më shumë se 10,000 banorë për të rregulluar tregun e qirave afatshkurtra, i cili po thyen rekorde këtë vit. Ndërsa mungesa e banesave afatgjata po godet rëndë strehimin në British Columbia, numri i qirave afatshkurtra është rritur me 20% krahasuar me vitin e kaluar. Kjo përfaqëson afërsisht 28,000 qira afatshkurtra aktive çdo ditë në provincë. Objektivi i qeverisë është të ofrojë më shumë strehim për qytetarët. Rregullat e reja fokusohen në tre drejtime: lejojnë, ndër të tjera, rritjen e gjobave, konvertimin e akomodimit afatshkurtër në strehim afatgjatë dhe u kërkojnë pronarëve të akomodimit afatshkurtër të regjistrohen në një regjistër. Kryeministri i British Columbia, David Eby, deklaroi se qiratë afatshkurtra po kontribuojnë në krizën e strehimit të provincës, ndërkohë, politika e re e qeverisë së tij, tani do u lejojë bashkive të kërkojnë që platformat e qirave afatshkurtra, përfshirë Airbnb, VRBO dhe Expedia, të ndajnë të dhënat me to në mënyrë që të përmirësohet aplikimi i rregullave. Bashkia Vancouver ka miratuar tashmë një rregullore strikte, por e ka të vështirë ta zbatojë atë. Sipas provincës, më shumë se 30% e qiradhënësve afatshkurtër në Vancouver veprojnë ilegalisht. Prandaj, qeveria synon të rrisë masën e gjobave për shkeljet e rregulloreve bashkiake, nga 1000 dollarë në 3000 dollarë për shkelje, në ditë.

Alberta - Një komision ekspertësh i kryesuar nga ish-ministri i Financave i Alberta-s, Jim Dinning, zhvilloi këtë javë një konsultim të parë publik  mbi krijimin e një plani provincial pensioni. Sipas Radio-Canada, një pjesë e të kontaktuarve gjatë konsultimit me telefon, kanë shprehur pakënaqësinë apo shqetësimin e tyre për këtë projekt të iniciuar nga qeveria Konservatore e kryeministres Danielle Smith. “Nuk jam aspak dakord me këtë projekt. Plani i Pensionit të Kanadasë (CPP) ka performuar më mirë se shumica e fondeve të tjera të pensioneve në botë”, deklaroi një banor i Fort McMurray, afër moshës së pensionit pas 40 vitesh kontribute në CPP. Një banor i Grande Prairie, argumentoi se ishte e parakohshme dhe e papërshtatshme të bëheshin konsultime pa bërë publike detajet e planit të pensionit. Disa pjesëmarrës kërkuan detaje se çfarë do të ndodhte në rast të një lëvizjeje jashtë provincës, qoftë gjatë periudhës së kontributeve apo pas daljes në pension. “Nëse vendosni të transferoheni në një provincë tjetër dhe të pensionoheni atje, do të merrni një çek nga një plan pensioni. Në këtë rast, çeku do të vijë nga plani i pensioneve në Alberta”, u përgjigj ish-ministri Jim Dinning. “Ligji duhet të garantojë që përfitimet do të jenë të njëjta ose më të larta dhe se kontributet do të jenë të njëjta ose më të ulëta se ato që paguajnë njerëzit aktualisht në CPP”, pohoi një anëtar tjetër i komisionit, Moin Yahya, profesor i së Drejtës në Universitetin e Alberta-s. Formati i konsultimit me telefon u kritikua nga një pjesëmarrës i cili do të kishte preferuar konsultim të drejpërdrejtë për një temë të tillë. Nga ana e tij, Jim Dinning, shpjegoi se konsultimet e drejtpërdrejta me grupe të interesuarish do të zhvillohen në muajin dhjetor.

 Jim Dinning

Saskatchewan - Asambleja Legjislative e Saskatchewan miratoi të premten e kaluar (20.10.) projekt-ligjin për të drejtat prindërore lidhur me identitetin gjinor në shkolla. Me këtë ligj të ri, pëlqimi i prindërve bëhet i detyrueshëm që stafi i shkollës të përdorë emrin e zgjedhur nga një nxënës nën moshën 16 vjeç. 40 deputetë votuan pro ligjit, ndërsa 12 kundër. Në momentin e votimit munguan 8 deputetë, mes të cilëve 6 janë anëtarë të Partisë Saskatchewan në pushtet. Ndër ta, ministri i Arsimit të Lartë Gordon Wyant dhe ish-ministri i Drejtësisë e ish-ministri i Arsimit Don Morgan. Sipas qeverisë provinciale, Akti i të Drejtave Prindërore mori edhe sanksionimin mbretëror nga Lejtenant-Guvernatori dhe tashmë ka hyrë në fuqi. Në fund të shtatorit të kaluar, një gjykatës pat nxjerrë ​​një urdhër ndalimi të përkohshëm për zbatimin e kësaj politike, por miratimi me procedurë të përshpejtuar i mundësoi provincës të anulojë këtë vendim. Sipas kryeministrit të Saskatchewan, Scott Moe, ky ligj u lejon prindërve dhe tutorëve të përfshihen si duhet në edukimin e fëmijëve të tyre. “Ky është vetë thelbi i këtij ligji, për t'u dhënë prindërve të drejtën për të mbështetur fëmijën e tyre gjatë gjithë viteve të formimit në jetë. Kështu ata do të jenë në gjendje ta mbështesin atë kur të përballet me disa vendime shumë të rëndësishme gjatë këtyre viteve të shkollës”, deklaroi ai.

Scott Moe

New Brunswick - Të paktën 150 protestues u mblodhën të premten (20.10.) para bashkisë në Moncton, New Brunswick, në shenjë mbështetjeje për popullin palestinez. Protestuesit brohorisnin slogane si “Gaza, Gaza, mos qaj” dhe “Palestina nuk do vdesë kurrë”. “Ne jemi këtu për të mbështetur Palestinën, ne jemi këtu për njerëzimin, ne jemi kundër luftërave”, deklaroi një nga organizatorët, Lahcen Aboudrar, në mes të një numri të madh flamujsh palestinezë. Pas më shumë se dy javësh nga nisja e luftës në Lindjen e Mesme, shumë manifestues po shprehin dhimbjen, zemërimin dhe indinjatën e tyre për këtë situatë. “Më dhemb zemra, është çnjerëzore dhe nuk e kuptoj se si disa njerëz mund të mendojnë punë e madhe se ç’ndodh atje. Jam e trembur dhe them a do të përhapet kjo luftë nesër? Nuk do të ndalet me kaq? Gaza është bërë një burg i madh në qiell të hapur”, ka denoncuar para mikrofonit të Radio-Canada Ahlan Sollah. Sipas saj, të gjithë duhet të jenë në anën e duhur dhe ana e duhur është njerëzimi. Ajo gjithashtu i kërkoi qeverisë kanadeze që të dënojë më ashpër bombardimet në Gaza. Ndërkohë, organizatorët e manifestimit nuk kanë preferuar të komunikojnë me mediat.

Québec - Shërbimi Policor i Bashkisë Montréal (SPVM) ka njoftuar të premten (20.10.) se që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor, ka marrë raportim për 16 krime me motiv urrejtjen, kryesisht me objekt komunitetin hebre. SPVM specifikoi se qysh nga e mërkura e kaluar (18.10.), njëmbëdhjetë ditë pas fillimit të luftës në Lindjen e Mesme, kishte marrë informacione që raportonin 12 krime me motiv urrejtjen kundër komunitetit hebre në metropol - duke përfshirë një gjatë një manifestini - dhe katër krime të tilla kundër komuniteteve arabe apo myslimane. Sipas SPVM, gjatë të njëjtës periudhë, kanë ndodhur edhe 13 incidente me motiv urrejtjen kundër komunitetit hebre dhe shtatë kundër arabëve ose myslimanëve. Incidentet me motiv urrejtjen përshkruhen nga policia si akte që nuk janë kriminale, por që mund mund të trondisin ndjenjën e sigurisë së qytetarëve, duke përfshirë shpërndarjen e materialeve fyese, ofendimet dhe gjestet lënduese. Zëdhënësja Mélanie Bergeron komunikoi përmes një email-i se SPVM po i përgjigjet klimës aktuale të luftës në Lindjen e Mesme me më shumë prezencë rreth objekteve të kultit dhe vendeve të tjera të frekuentuara nga komunitete të ndryshme.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada