Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 5 nëntor 2023

  • Published in Kanada

Prince Edward Island

 

-British Columbia, kryeministri David Eby nuk do ta pezullojë taksën e karbonit

-Alberta, numër rekord delegatësh në kongresin e Partisë së Bashkuar Konservatore

-Saskatchewan, kryeministri Scott Moe votëbesohet me 87% nga anëtarët e Saskatchewan Party

-Manitoba, manifestim pro Palestinës para Konsullatës amerikane në Winnipeg

-New Brunswick, taksa e karbonit mund të përplasë qeverinë provinciale me Ottawa

-Nova Scotia, kriza e strehimit detyron mbajtjen hapur të një kampingu gjatë dimrit në Halifax

-Prince Edward Island, një senator bën thirrje që Trudeau të largohet nga drejtimi i Partisë Liberale

-Newfoundland, kryeministri Furey kërkon falje për shkollat rezidenciale autoktone në Labrador

-Québec, arrestohen 17 vetë si pjesë e një rrjeti mashtrimi imobiliar në Montréal

-Ontario, çmimi i terreneve bujqësore po thyen rekorde në rang Kanadaje

 

British Columbia - Pas vendimit të kryeministrit federal Trudeau për pezullimin e taksës së karbonit në provincat atlantike, edhe pse NDP në Alberta, Saskatchewan dhe Manitoba po shkojnë kundër rrymës, kryeministri neodemokrat i British Columbia, David Eby, nuk ka ndryshuar qëndrim dhe nuk do ta pezullojë apo anulojë programin provincial, megjithëse duket si i vënë me shpatulla pas murit. Ndryshe nga Alberta, Saskatchewan dhe Manitoba, British Columbia nuk i nënshtrohet taksës federale të karbonit, sepse ka sistemin e vet të tarifikimit provincial. Megjithatë, provinca ka marrë një garanci nga Jonathan Wilkinson, ministri federal i Energjisë, sipas të cilit sapo të arrihet një marrëveshje, British Columbia do të përfitojë gjithashtu nga projekti pilot si në rastin e provincave atlantike, që u lejon familjeve të blejnë dhe instalojnë një termopompë falas. Nga ana e tij shefi i opozitës zyrtare, kreu i BC United, Kevin Falcon, deklaroi të marten e kaluar (31.10.) se nëse zgjidhej kryeministër, do ta anulojë taksën mbi karburantet si dhe do ndalë gjithashtu rritjen e taksës së karbonit, e cila duhet të arrijë në 170 dollarë për ton deri në vitin 2030.

Alberta - Dje (04.11.) në Calgary është zhvilluar kongresi i Partisë së Bashkuar Konservatore të kryeministres Danielle Smith. Pesë muaj pas fitores në zgjedhjet e fundit, rreth 3,800 anëtarë të kësaj partie u mblodhën në Calgary, tubimi më i madh i këtij lloji në gjithë historinë politike të provincës Alberta. Përpara pjesëmarrësve, kryeministrja Danielle Smith rikujtoi disa pjesë të rëndësishme të programit të saj politik për mandatin që mori në fund të majit të kaluar. Ajo përmendi disa tema tradicionalisht të dashura për konservatorët e Alberta-s, si opozita ndaj Ottawa, veçanërisht për çështjet mjedisore, përgjegjësia fiskale dhe ekonomia. Këto tema ishin gjithashtu pjesë e fjalimit vjetor të paraqitur prej saj në fillim të kësaj jave para Asamblesë Legjislative provinciale. Kryeministrja Smith u prit veçanërisht me ovacione nga salla kur trajtoi çështjen e të drejtave prindërore. Të drejtat prindërore dhe çështjet e identitetit brenda sistemit shkollor ishin në qendër të diskutimeve politike të kongresit të djeshëm, gjatë të cilit u miratua pothuajse njëzëri një rezolutë, që i kërkon qeverisë të detyrojë shkollat ​​të njoftojnë prindërit e një fëmije nën 16 vjeç, i cili dëshiron të ndryshojë emrin në klasë.

Saskatchewan - Këtë fundjavë u zhvillua kongresi i Saskatchewan Party, partia në pushtet në provincën Saskatchewan, e drejtuar nga kryeministri Scott Moe. Në kongres, ku tema kryesore ishte taksa federale e karbonit, i pranishëm ishte edhe shefi i opozitës zyrtare federale, kryetari i Partisë Konservatore të Kanadasë, Pierre Poilievre. “Ne do ta suprimojme taksën e karbonit”, u shpreh lideri konservator. Kjo deklaratë bëri efektin e vet para delegatëve të Saskatchewan Party, veçanërisht pas vendimit të kryeministrit Trudeau për pezullimin tre-vjeçar të taksës së karbonit për sistemet e ngrohjes me mazut në provincat atlantike, ku mazuti është një nga burimet kryesore të ngrohjes. Ndërkohë, në Saskatchewan, shumica e banorëve ngrohen me gaz natyror. Nga ana e tij, kryeministri Scott Moe i informoi anëtarët e partisë së vet se ka vendosur të ndërpresë mbledhjen e taksës së karbonit për qeverinë federale deri më 1 janar 2024, nëse Justin Trudeau nuk e aplikon përjashtimin e taksimit për të gjitha format e ngrohjes. “Qeveria Trudeau duhet t’i trajtojë njëlloj të gjithë kanadezët”, u shpreh ai. Scott Moe u votëbesua me 87% të votave nga delegatët, të cilët votuan edhe disa rezoluta. Ndër të tjera, njërën për zgjedhjet e ardhshme provinciale, që janë planifikuar për në vitin 2024 dhe dy të tjera për armët e zjarrit. Scott Moe dëshiron të miratojë një përkufizim të termit “armë sulmi” dhe synon kontrollin provincial të legjislacionit mbi pronësinë e armëve.

Manitoba - Qindra protestues pro Palestinës u mblodhën dje (04.11.) para Konsullatës amerikane në Winnipeg për të kërkuar armëpushim mes palëve në konfliktin izraelito-palestinez. Protestuesit kundërshtuan ndërhyrjen e qeverisë izraelite në Rripin e Gazës, si dhe mbështetjen që qeveria amerikane i jep Izraelit. Demonstrata u zhvillua para godinës në adresën 201 Portage Avenue, ku në katin e 8-të ndodhen zyrat e Konsullatës amerikane. “Ne jemi këtu sepse këtu është qeveria amerikane. Ne duam t'i bëjmë të ditur asaj se ajo është po aq fajtore sa qeveria izraelite, për vrasjen e palestinezëve në Gaza”, i deklaroi Radio-Canada Ramsey Zeid, president i Shoqatës Palestineze-Kanadeze, dega Manitoba. Demonstrata u mbikëqyr nga forcat e policisë që bllokuan hyrjen e automjeteve në Main Street dhe Portage Avenue. Organizatorët njoftuan se do të kthehen sërish në protestë javën e ardhshme.

New Brunswick - Në një komunikim mediatik, kryeministri Progresist-Konservator i New Brunswick nuk e përjashtoi idenë e sfidimit të qeverisë federale për çështjen e taksës së karbonit. Blaine Higgs ka pohuar se por reflekton për të ndjekur të njëjtën rrugë si kryeministri i Saskatchewan, Scott Moe lidhur me këtë çështje. Moe deklaroi këtë javë se kompania provinciale e energjisë SaskEnergy mund të ndalojë përkohësisht mbledhjen e taksës federale të karbonit si dhe pagesën për Ottawa deri më 1 janar 2024. Ideja e Scott Moe duket se i ka pëlqyer kryeministrit të New Brunswick. “Unë kam kërkuar një opinion ligjor për këtë çështje”, konfirmoi ai gjatë intervistës së djeshme (04.11.) në emisionin e Rosemary Barton “The House”, në CBC.

Nova Scotia - Terreni i kampingut Shubie Campground në Halifax do qëndrojë i hapur këtë dimër. Nisma synon t'u mundësojë njerëzve që jetojnë në autokabina të kenë një vend për të qëndruar gjatë ditëve të ftohta. Ky vendim është marrë nga bashkia Halifax, sepse qyteti rezulton me rritjen më të shpejtë të çmimeve të qirave dhe me norma nga më të ulëtat të banesave të lira në rang Kanadaje. Kryeqyteti i Nova Scotia ka më shumë se 1000 vetë të pastrehë. Kjo pa llogaritur ata që flenë në makinën e tyre ose ata që flenë në divanin e sallonit të ndonjë personi të afërm, për shkak të krizës së strehimit. Qeveria e Tim Houston ka akorduar 180,000 dollarë për këtë projekt që është pjesë e përpjekjeve të saj kundër krizës së strehimit. Ata që do parkohen në kamping, do paguajnë një qira mujore prej 250 dollarësh. Bashkia Halifax do të ofrojë shërbimin për pastrimin e borës, mbledhjen e mbeturinave dhe kanalizimet, ndërsa furnizimi me ujë dhe propan do të jetë përgjegjësi e personave që do jetojnë atje.

Prince Edward Island - Senatori Percy Downe, ka deklaruar se është koha që Partia Liberale e Kanadasë të mendojë për zëvendësimin e Justin Trudeau. Në një letër të botuar të mërkurën e kaluar (01.11.) në National Newswatch, senatori i Prince Edward Island shkruante se për të fituar zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, Liberalët federalë do kenë nevojë për një udhëheqës tjetër. Percy Downe argumenton se partia ka humbur mbështetjen nga liberalët e qendrës, të cilët preferojnë më shumë përgjegjësi fiskale. Në të njëjtën kohë, ai paralajmëron Liberalët se lideri aktual i Partisë Konservatore është kundër politikave që ata mbrojnë dhe vetëm Partia Liberale ka një shans realist për të parandaluar një qeveri të udhëhequr nga Pierre Poilievre. Percy Downe ish-shef i Kabinetit të ish-kryeministrit liberal Jean Chrétien, i cili e emëroi atë në Senat në vitin 2003, pas largimit nga Grupi liberal, që nga viti 2019 është pjesë e grupit senatorial të quajtur Grupi i Senatorëve Kanadezë. Ai sugjeron si kandidatë të mundshëm në një garë për të pasuar Justin Trudeau, Anita Anand, François-Philippe Champagne, Jonathan Wilkinson, Mélanie Joly dhe Sean Fraser. “Nëse lideri i ri liberal do jetë në gjendje ta kthejë partinë në qendër të spektrit politik, Liberalët kanë një shans për t’u rizgjedhur”, përfundon letra e senatorit nga Prince Edward Island. Sipas sondazheve të fundit, nëse zgjedhjet e përgjithshme do të mbaheshin në këtë periudhë, liberalët e Justin Trudeau do humbnin thellë. Agregatori i sondazheve 338 Canada llogariti më 29 tetor se Partia Konservatore e Pierre Poilievre e kalonte Partinë Liberale me 14 pikë në preferencat e votimit në të gjithë vendin.

Newfoundland - Kryeministri i Newfoundland dhe Labrador Andrew Furey zhvilloi një turne disa ditor në Labrador për t'u kërkuar në emër të qeverisë së tij falje të mbijetuarve të shkollave të dikurshme rezidenciale për autoktonët. Ndalesa e tij e parë u bë në Rigolet të mërkurën paradite (01.11.). Të pranishëm ishin rreth dyzet persona. “Si kryeministër dhe në emër të të gjithë qytetarëve të Newfoundland dhe Labrador, u kërkoj ndjesë ish-nxënësve për ato që perjetuan në shkollat ​​rezidenciale, si dhe familjeve të tyre dhe gjithë Inuitëve të Labradorit. Na vjen sinqerisht keq”, u shpreh Furey. Pas fjalimit, AngajukKak i Rigolet, Charlotte Wolfrey, u shpreh se kishte pritur vite për të dëgjuar faljen e qeverisë provinciale. Ajo pohoi se e pranon atë. “Ne e pranojmë faljen sepse duam që dhimbja dhe lëndimi të largohen, duke na lejuar të përpiqemi të vazhdojmë të ecim përpara”. Pasdite, kryeministri shkoi në Postville, ku e prisnin dhjetëra banorë të tjerë, ndër të cilët fëmijë të moshës shkollore. Turneu i faljes së Andrew Furey vazhdoi të enjten (02.11.), me ndalesa në Makkovik dhe Hopedale, si dhe të premten (03.11.), në Nain dhe Happy Valley-Goose Bay. Fillimisht në shtator Andrew Furey u kërkoi falje të mbijetuarve të shkollave rezidenciale, një premtim i bërë gjashtë vjet më parë nga paraardhësi i tij liberal. Megjithatë, ai iu drejtua vetëm NunatuKavut, një vendim i cili u prit keq nga Innu dhe Inuit e Nunatsiavut. Turneu i kësaj jave në Rigolet, Postville, Makkovik, Hopedale, Nain dhe Happy Valley-Goose Bay synoi t'u kërkojë falje komuniteteve Nunatsiavut.

Québec - 17 të arrestuar u paraqiten të mërkurën (01.11.) në gjykatën e Montréalit. Ata dyshohet se kanë marrë pjesë në mashtrim me pasuri të paluajtshme, vlera e të cilave shkon mbi 5 milionë dollarë. 17 të dyshuarit si mashtrues, shtatë gra dhe dhjetë burra të moshës 22 deri në 60 vjeç, u përballën me disa akuza, në varësi të shkallës së përfshirjes së tyre në skemën e supozuar: mashtrim, pastrim i produkteve të krimit, vjedhje dhe komplot. Seksioni i Krimeve Ekonomike i Shërbimit Policor të Bashkisë Montréal (SPVM) raportoi për Radio-Canada se hetimi i kryer zbuloi se rrjeti kishte shënjestruar pesë prona të shtrenjta pa hipoteka, në bashkitë Westmount dhe Beaconsfield, të cilat ishin me qira, si dhe tre terrene të lira, në minibashkinë Verdun, në Montréal. Sipas SPVM, duke përdorur dokumente të rreme identiteti, mashtruesit arritën ta paraqesin veten si pronarë dhe paraqiteshin virtualisht para një noteri fillimisht për të nënshkruar një prokurë që i jepte të drejtën e plotë të administrimit të pronës njerit prej pjestarëve të rrjetit kriminal. Në të njëjtën kohë, mashtruesit hapnin një llogari në emër të pronarëve të vërtetë në një institucion financiar. Sipas hetimeve, i mandatuari më pas merrte financim nga një huadhënës privat dhe nënshkruante një akt hipotekor me një noter tjetër. Sapo paratë e huazuara depozitoheshin në llogarinë e hapur me mashtrim, të dyshuarit i tërhiqnin ato menjëherë. SPVM raportoi se në mesin e të dyshuarve të arrestuar, disa mund të përballen me dënime me burg deri në 14 vjet. Policia bëri me dije gjithashtu se pasojat e këtyre mashtrimeve me pasuri të paluajtshme janë të mëdha, si për pronarët e dëmtuar, ashtu edhe për huadhënësit privatë. Pronarët e vërtetë të shtëpive dhe terreneve në fjalë rezultojnë të lidhur me kredi hipotekore prej disa qindra mijëra dollarësh. Sa për huadhënësit privatë, ata kanë humbur të gjitha shumat e parave që dhanë hua.

Ontario - Vlera e terreneve bujqësore në Ontario është duke u rritur si asnjëherë më parë. Deri në vitin 2024, ato mund të arrijnë një çmim mesatar dy herë më të lartë se rreth dhjetë vjet të shkuara. Analistët e argumentojnë këtë situatë me mungesën e tokës në dispozicion, çmimin e lartë të lëndëve të para bujqësore, të nxitur nga paqëndrueshmëria globale dhe normat historikisht të ulëta të interesit. E konsideruar tashmë më e shtrenjta në Kanada, toka bujqësore në Ontario vazhdon të rritet në vlerë. Ryan Parker, specialist në Departamentin bujqësor të firmës së vlerësimit të tokës Valco Consultants në London, kryen një analizë vjetore të çmimeve të vendosura të tokës nga pronarët, në 11 kantone nga pjesa jugore e Georgian Bay deri në jugperëndim të provincës. Sipas Justin Shepherd, ekonomist i lartë në Farm Credit Canada, kjo prirje në rritje nuk është unikale vetëm për Ontario-n. “Në të gjitha provincat e Kanadasë është konstatuar rritje e vlerës së tokës bujqësore”, thekson ai. Ontario kryeson në të gjithë vendin, me një rritje të vlerës së tokës bujqësore në vitin 2022, me 19.4%. “Toka bujqësore më e shtrenjtë në Kanada ndodhet tani në jugperëndim të provinces”, pohon Shepherd. Fermat midis zonave Windsor dhe London, që mesatarisht kushtonin 15,000 dollarë për hektar dhjetë vjet më parë, kanë arritur një vlerë mesatare prej 28,900 dollarë për hektar më 2022.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio Canada; The Canadian Press