Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 19 nëntor 2023

  • Published in Kanada

Montréal

 

-British Columbia, gjobë 450,000 dollarë për një zjarrvënës në rajonin Cariboo

-Alberta, bashkia Edmonton konsulton me banorët vizionin e projektit “qytet 15 minuta”

-Saskatchewan, arrestohet dhe akuzohet një deputet për marrje shërbimesh seksuale me pagesë

New Brunswick, qendrat për të pastrehët në Moncton dhe Fredericton do hapen më 1 dhjetor

-Nova Scotia, qeveria federale akordon 125 milionë dollarë për prodhimin e hidrogjenit të gjelbër

-Québec, manifestim për një financim më të mirë të transportit publik në Montréal

 

British Columbia - Clarke Mathiesen, një person që me veprimet e tij shkaktoi në prill 2019 një zjarr pyjor në rajonin Cariboo të British Columbia, do duhet të paguajë një gjobë afro 450,000 dollarë. Një komision apeli e refuzoi kërkesën e tij, që pretendonte se zjarri ishte i qëllimshëm dhe ishte ndezur nga nipi i fqinjëve të tij. Ekspertët e Komisionit të Apelit Pyjor të provincës argumentuan se pretendimi i tij ishte edhe i paprovuar, edhe i pabesueshëm. Sipas James Carwana, kryesues i komisionit, provat mbështesin plotësisht përfundimin e hetuesve se një zjarr i fjetur, me origjinë nga djegia e një sipërfaqeje 224 m2 e shuar keq, ishte shkaku i zjarrit në pyll. “Djegia e një grumbulli të madh mbeturinash, siç është rasti në fjalë, është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe mund të shkaktojë zjarre të tjerë. Është përgjegjësi e atyre që angazhohen në një veprimtari të tillë djegieje të sigurohen se kanë përmbushur kërkesat e ligjit”, thuhet në vendimin e datës 9 nëntor 2023. Zjarri në pyll që u shkaktua pas këtij veprimi të pakujdesshëm nisi në një zonë të largët rreth 150 km në perëndim të Quesnel. Sipas vendimit të komisionit të apelit, zjarrfikësve iu deshën dy javë për ta shuar. Clarke Matthiesen është urdhëruar të paguajë 179,344 dollarë për dëmet ndaj pronave pyjore të Kurorës, 260,369 dollarë për kostot e shkaktuara për shuarjen e zjarrit, 7,546 dollarë për ripyllëzimin dhe 2,350 dollarë për kostot administrative. Gjithnjë sipas asaj që shkruhet në vendim, “Clarke Matthiesen ndezi një zjarr në shkurt 2019 për të eliminuar mbeturinat e lëna në pronën e tij nga pronarët e mëparshëm. Ai nuk kishte eksperiencë për t’u marrë me një zjarr të këtyre përmasave dhe nuk u konsultua me autoritetet zjarrfikëse përpara se ta ndizte atë”.

 Alberta - Aktualisht bashkia Edmonton po përpunon projektin e vet “komunitete 15-minutëshe”, që synon të përmirësojë aksesin e qytetarëve ndaj shërbimeve. Objektivi i saj është që paraqitja e rekomandimeve përfundimtare para këshillit të qytetit të bëhet vitin e ardhshëm. Parimi i këtij projekti është t'u ofrojë banorëve mundësinë për të shkuar në dyqane lokale, shkolla apo kopshte në një distancë kohore rreth pesëmbëdhjetë minuta në këmbë ose me biçikletë. “Në njëfarë mënyrë, është një lloj paraqitje e re, e një ideje të vjetër, sepse njerëzit preferojnë të jetojnë afër asaj që kanë nevojë”, është shprehur për CBC/Radio-Canada Sean Bohle, kryeurbanisti i kryeqytetit të provincës Alberta. Prej disa vitesh bashkia po punon për konceptimin e një politike të unifikuar e cila do të shërbejë si bazë për riorganizimin e qytetit në 15 mini-bashki, politikë që sipas tij, nuk do të aplikohet për të gjitha ato, pasi do të merren parasysh edhe veçoritë e tyre përkatëse për të ruajtur origjinalitetin. Secila mini-bashki do të ketë një plan që do të përcaktojë në veçanti vendndodhjen e ndërtesave. Për shembull, ku duhet të ndërtohen ndërtesat më të larta, ku mund të vendosen bizneset dhe apartamentet, ku do të kalojnë linjat e transportit dhe ku do të ndodhen parqet. Sean Bohle thekson se “përfitimi i bashkisë-qendër është përmirësimi i punës për planifikimin urbanistik të qytetit, sepse Edmonton tashmë është një qytet i madh, me më shumë se 300 lagje dhe është e pamundur të hartohet një plan për secilën prej tyre”. Duke patur parasysh kompleksitetin dhe shkallën e ndikimit të tij, bashkia ka organizuar sesione të shumta informuese për ta prezantuar këtë projekt para qytetarëve, sesione që janë të hapura për të gjithë, pavarësisht nivelit të njohurive të atyre që marrin pjesë.

Saskatchewan - Kryeministri i Saskatchewan Scott Moe përjashtoi nga grupi parlamentar deputetin Ryan Domotor, pasi ai u arrestua dhe u akuzua për kërkim të shërbimeve seksuale me pagesë. Deputeti i zonës Cut Knife-Turtleford, që ndodhet në pjesën perëndimore të provincës, u shkarkua gjithashtu nga të gjitha funksionet që mbante brenda mazhorancës qeveritare. Ryan Domotor akuzohet bazuar në nenin 286.1 të Kodit Penal Kanadez. Kjo dispozitë përfshin “këdo, që merr kundrejt shpërblimit, shërbime seksuale nga një person ose komunikon me këdo me qëllim që të përfitojë, me shpërblim, shërbime të tilla”. “Ata që përfaqësojnë shërbimin publik duhet të punojnë për t’i mbështetur gratë vulnerabël, jo t’i shfrytëzojnë ato”, deklaroi kryeministri Scott Moe, i cili sapo mori dijeni për akuzat ndaj Ryan Domotor mori masa të menjëhershme ndëshkuese. Ndërkohë, sipas Radio-Canada, mësohet se nga data 14 deri më 16 nëntor, Shërbimi Policor i Regina kreu një operacion që synonte të luftojë shfrytëzimin seksual dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan 16 persona, mes tyre edhe Ryan Domotor. Gjatë arrestimit, ky i fundit ndodhej në një hotel në pjesën lindore të kryeqytetit të provincës. Domotor do të paraqitet para gjykatës në Regina më 4 janar 2024. Ai përfaqëson zgjedhësit e zonës elektorale Cut Knife-Turtleford që nga viti 2020 dhe i pat fituar zgjedhjet me 76% të votave.

Ryan Domotor

New Brunswick - Ndryshe nga premtimi i qeverisë së New Brunswick për hapjen më shpejt këtë vit të tre strehimoreve për të pastrehët, kjo nuk ndodhi, ndërkohë që vjet, në Moncton, streha e financuar nga provinca u hap vetëm gjashtë ditë para Krishtlindjeve. Sipas nje deklarate shtatorin e kaluar të ministres së Zhvillimit Social Jill Green, qendrat e reja të pritjes do të hapeshin në tetor në Moncton, Saint John dhe Fredericton, por sipas njoftimit të publikuar të premten (17.11.) qendrat në Moncton dhe Fredericton do të hapen më në fund më 1 dhjetor. “Ato do të jenë plotësisht funksionale që nga dita e parë”, deklaroi zëdhënësja Rebecca Howland, ndërkohë që nuk ka dhënë një datë hapjeje për atë në Saint-Jean. Këto qendra pritjeje do t’u mundësojnë individëve të pastrehë të mbrohen nga i ftohti dhe të kenë akses në dushe dhe një dhomë lavanderi. Ata gjithashtu do të jenë në gjendje të marrin mbështetje në terren për të patur akses në shërbimet sociale si ndihma për strehim, kujdesi për shëndetin mendor dhe trajtimi për varësitë. “Ekziston një nevojë e madhe për një qendër të tillë në Fredericton”, u shpreh gjatë një intervistë me Radio-Canada, Warren Maddox, drejtor ekzekutiv i Fredericton Homeless Shelters, një organizatë bamirëse që operon tre strehimore që strehojnë më shumë se 300 persona në vit. Strehimorja e re në Fredericton do të quhet Ironwood Resources dhe do të vendoset në Qendrën Shëndetësore Victoria në 65 Brunswick Street. Ajo do të jetë e hapur 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë.

Nova Scotia - Kompania me bazë në Nova Scotia, EverWind Fuels, planifikon të prodhojë hidrogjen të gjelbër duke përdorur energjinë e erës dhe diellit, një projekt që mund të marrë jetë falë mbështetjes së qeverisë federale prej 125 milionë dollarësh. Ottawa njoftoi të premten (17.11.) se i ka dhënë financim kompanisë, e cila planifikon ta zhvillojë projektin në Pointe Tupper (Cape Breton). EverWind ka investuar tashmë 200 milionë dollarë për projektin e saj dhe financimi federal do të përdoret për të finalizuar projektimin e uzinës. Deputeti federal i zonës Central Nova, Sean Fraser, e dha njoftimin para rreth pesëdhjetë këshilltarëve bashkiakë dhe përfaqësuesve të biznesit nga rajoni, të pranishëm në Civic Centre Port Hawkesbury. “Hidrogjeni i prodhuar nga EverWind mund të eksportohet jashtë vendit, veçanërisht në Gjermani, e cila tashmë ka lidhur marrëveshje me Kanadanë për këtë qëllim”, shpjegoi ai. Diskutime po zhvillohen gjithashtu për të zhvilluar kapacitetin e magazinimit dhe shpërndarjes në Nova Scotia. Sipas CEO të EverWind Fuels, Trent Vichie, ky rrjet është planifikuar megjithatë në një fazë të dytë të projektit dhe i gjithë projekti do të krijojë mijëra vende pune në Cape Breton si dhe gjetkë në provincë. EverWind Fuels do përdorë energjinë e erës dhe diellit për të prodhuar hidrogjenin nga uji i nxjerrë prej Landrie Lake. Kompania synon të bëhet objekti i parë i gjelbër i hidrogjenit dhe amoniakut në vend. Fabrika do mund të prodhojë më shumë se 200,000 ton amoniak të gjelbër çdo vit, nga viti 2025.

Québec - Sot pasdite (19.11.) në qendër të Montréal u zhvillua një manifestim për të denoncuar financimin e pamjaftueshëm të transportit publik nga qeveria në provincë. Përdoruesit e këtij transporti në metropol janë të shqetësuar nga një reduktim drastik i mundshëm i shërbimeve për shkak të situatës financiare të Shoqërisë së Transportit të Montréal (STM). Radio-Canada bëri publike kohët e fundit shkurtimet thelbësore që STM planifikon të kryejë, nëse nuk merr më shumë financim nga qeveria për të eliminuar deficitin. Sipas informacionit të publikuar ditë më parë, pa fonde shtesë, metroja mund të mbyllet në orën 23:00 çdo ditë dhe të hapet në orën 9 të mëngjesit në fundjavë. Shërbimi i autobusëve gjithashtu mund të reduktohet dhe disa itinerare madje mund të eliminohen fare. Organizatat komunitare dhe mjedisore, sindikatat, shoqatat studentore dhe qytetarë u mblodhën para zyrës së Ministres së Transporteve, Geneviève Guilbault për të shprehur pakënaqësinë e tyre. Bashkë-zëdhënësja e Québec Solidaire, Manon Massé, ishte prezent. Sipas saj, “François Legault bëri zgjedhje politike për të mos mbështetur financiarisht nevojat e kompanive të transportit. Ajo që duhet të bëjmë është të përmirësojmë shërbimin dhe t'i bëjmë çmimet të përballueshme, sepse ka qytetarë që nuk kanë zgjidhje tjetër, është mjeti i tyre i vetëm i transportit". 10 kompanitë e transportit të Québec janë në pasiguri për shkak të një deficiti të parashikuar prej 2.5 miliardë dollarësh gjatë pesë viteve të ardhshme. Për vitin 2024, ministrja Guilbault ofroi të financojë 70% të deficitit, ndërsa oferta fillestare ishte 20%.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada