Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 26 nëntor 2023

  • Published in Kanada

 

-British Columbia, së shpejti Policia e Vancouver do jetë ndër më të paguarat në vend

-Alberta, pritet kundërshtimi i një rregulloreje federale përmes Aktit për Sovranitetin

-Saskatchewan, Metisët dhe qeveria provinciale nënshkruajnë marrëveshje për armët e zjarrit

-Nova Scotia, rritet numri incidenteve në transportin publik gjatë vitit 2023 në Halifax

-Québec, 570,000 punonjës të arsimit dhe shëndetit publik në grevë

-Ontario, 5 viktima në një aksident rrugor në autostradën 60 pranë Huntsville

 

British Columbia - Pas disa muajsh negociata, para disa ditësh u arrit një marrëveshje e re në parim mes bashkisë Vancouver dhe Vancouver Police Department (VPD). Nëse marrëveshja miratohet nga anëtarët e Sindikatës së Policisë, ajo do t’u garantojë atyre një nga pagat më të larta në Kanada në këtë profesion. Marrëveshja e vjetër pat skaduar më 31 dhjetor 2022 dhe e reja përfshin rritje retroaktive pagash për këtë vit. Kështu, paga vjetore e një oficeri policie të klasit të parë do të rritet nga pak më pak se 112,000 dollarë në 2022 në 117,000 dollarë të aplikuara në mënyrë retroaktive në 2023, e ndjekur nga një rritje tjetër në rreth 122,000 dollarë duke filluar nga viti 2024. Nga ana e autoriteteve të bashkisë së metropolit të British Columbia, marrëveshja konsiderohet si një instrument vendimtar për të rekrutuar dhe mbajtur brenda radhëve të policisë individë të talentuar dhe të motivuar, ndërkohë që ky insitucion, sipas sindikatës, po përballet me një mungesë serioze të fuqisë punëtore. Anëtarët e sindikatës do të ratifikojnë marrëveshjen midis 26 nëntorit dhe 7 dhjetorit 2023. Rezultatet pritet të publikohen në mëngjesin e 8 dhjetorit. Sipas Ralph Kaisers, president i Sindikatës së Policisë të Vancouver, marrëveshja tashmë është ratifikuar nga këshilli bashkiak dhe Bordi i Vancouver Police Department.

Alberta - Për të kundërshtuar Rregulloren federale për Energjinë Elektrike të Pastër, qeveria e Partisë së Bashkuar Konservatore në Alberta synon t’i referohet qysh nga java e ardhshme Aktit provincial të Sovranitetit. Sipas kryeministres Danielle Smith, kjo rregullore federale cenon juridiksionin provincial. Ajo e shpjegoi sot (26.11.) pozicionin e qeverisë, gjatë bisedës së saj të përjavshme në radio, duke theksuar se objektivat e vendosura nga Ottawa janë jorealiste dhe cënojnë besueshmërinë e rrjetit elektrik të provincës. “Ne u përpoqëm të bashkëpunonim me qeverinë federale, në mënyrë që qëllimet e saj të përputheshin me tonat”, tha ajo gjatë emisionit. “Ne duhet të kemi një rrjet të besueshëm. Ne duhet të kemi çmime të përballueshme dhe do të respektojmë dhe mbrojmë të drejtën tonë kushtetues për ta bërë këtë”, insistoi Smith. Burime pranë qeverisë kishin bërë të ditur se provinca po planifikonte të paraqesë një rezolutë që deklaron se masat federale për të reduktuar emetimet e gazit serrë janë jokushtetuese. Rezoluta do të theksojë gjithashtu se këto masa nuk do të zbatohen në Alberta. Danielle Smith konfirmoi nga ana e saj se rezoluta do të debatohet dhe do t’i nënshtrohet votës së deputetëve. Ndërkohë, kompanitë e energjisë elektrike u informuan për synimet e provinces të enjten e kaluar (23.11.). Qysh nga zgjedhja e saj, ky do të jetë rasti i parë që kryeministrja e Alberta-s do të përdorë Aktin e Sovranitetit. Alberta i kërkon qeverisë federale të shtyjë objektivin e karboneutralitetit elektrik deri në vitin 2050, sepse e konsideron këtë afat si një objektiv më të arritshëm.

Saskatchewan - Komuniteti Metis i Saskatchewan dhe qeveria provinciale kanë nënshkruar dy memorandume mirëkuptimi të shtunën (25.11.). Një nga dy dokumentet fokusohet në promovimin e liçensimit të armëve të zjarrit dhe rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për rëndësinë e rregullave të sigurisë së përdorimit të armëve të zjarrit. Kryeministri i Saskatchewan, Scott Moe, premtoi se qeveria e tij do t’u japë më shumë leje për armë zjarri anëtarëve të Komunitetit Metis të provincës, duke theksuar gjithashtu synimin për të promovuar edukimin dhe sigurinë rreth përdorimit të armëve të zjarrit në komunitetet autoktone. “Të dyja palët kanë mundësi të bashkëpunojnë për edukimin mbi armët e zjarrit si dhe mbajtjen e tyre duke respektuar rregulla sigurie”, tha ai. Qeveria provinciale dëshiron gjithashtu të minimizojë kriminalizimin e shkeljeve si dhe të mbrojë të drejtat dhe privilegjet e pronarëve të armëve të zjarrit. Kryeministri Moe njoftoi se memorandumi i dytë i bashkëpunimit fokusohet në përfshirjen e anëtarëve të Komunitetit Metis në qeverisje. Nga ana e tij, Shefi i Komunitetit Metis të Saskatchewan, Glen McCallum, vlerësoi rëndësinë e këtyre memorandumeve. “Këto çështje janë thelbësore për ne dhe nënshkrimi i memorandumeve krijon kushtet që qeveria jonë provinciale dhe organet e qeverisjes së Komunitetit Metis të mund të ulen së bashku dhe të shohin se si mund të forcojmë bashkëpunimin dhe të ecim përpara”, u shpreh ai. Ndërkohë, Memorandumi i Mirëkuptimit për Armët e Zjarrit do të hyjë në fuqi nga 1 janari 2024.

Scott Moe (majtas) dhe Glen McCallum

Nova Scotia - Sipas Radio-Canada, numri i incidenteve në autobusët e transportit publik në Halifax është rritur ndjeshëm që nga viti 2018, një fenomen që po e nxit Bordin e Transportit të Bashkisë të gjejë zgjidhje. Statistikat tregojnë se ka patur mesatarisht 248 incidente në muaj në autobusët e Halifax Transit në vitin 2023. Në krahasim, ky numër ishte 96 në vitin 2018. Midis majit dhe shtatorit 2023, janë raportuar 258 sulme verbale, 75 sulme fizike dhe 22 incidente që përfshijnë kërcënime me armë. Nga rastet e raportuara, 138 kanë kërkuar ndërhyrje policore. Raporti i Bashkisë rekomandon krijimin e një programi sigurie dhe punësimin e stafit shtesë, veçanërisht agjentëve të sigurisë të gatshëm për të ndërhyrë nëse është e nevojshme. Prania e këtyre agjentëve në autobusë dhe tragete do të ishte, sipas raportit, një pengesë për ata që do të donin të kryenin akte dhune. Raporti do t’i paraqitet për shqyrtim këshillit bashkiak.

Québec - Negocimi i vështirë për kontratat e reja kolektive mes qeverisë provinciale në Québec dhe sektorit publik, arriti kulmin të enjten e kaluar (23.11.). Sindikatat që përfaqësojnë rreth 570,000 punonjës zhvilluan grevë në të njëjtën kohë. E para Federata Autonome e Arsimit, e cila përfaqëson rreth 66,000 mësues në nivelet fillore dhe të mesme, nisi një grevë të përgjithshme të pacaktuar. Nëntë sindikatat e saj anëtare janë Aleanca e Mësuesve të Montrealit, Unioni i Mësuesve të Montrealit Perëndimor, Unioni i Mësimdhënësve Pointe-de-l'Ile, Sindikata e Mësuesve të Laval, Unioni i Arsimit Basses-Laurentides, Unioni i Arsimit Seigneuries, Unioni i Arsimit Outaouais, Unioni i Arsimit Haute-Yamaska dhe Sindikata e Arsimi në rajonin e Quebec. E dyta, Federata Ndërprofesionale e Shëndetit (FIQ), e cila përfaqëson 80,000 infermierë, ndihmës infermierë, terapistë të frymëmarrjes dhe perfuzionistë klinikë, zhvilloi grevë të enjten (23.11.) dhe të premten (24.11.). Në rastin e tyre u planifikuan shërbimet thelbësore, në varësi të njësive të kujdesit. Nga ana e saj, Gjykata Administrative e Punës i miratoi listat e shërbimeve që duhet të ofroheshin Gjithashtu, Fronti i Përbashkët Ndërsindikal, i cili përfaqëson 420,000 punonjës publikë përmes katër organizatave të tij anëtare - CSN, CSQ, APTS dhe FTQ - zhvilloi tre ditë radhazi grevë. Fronti i Përbashkët është i pranishëm në të gjithë sektorët: shëndetësi, shërbime sociale, CEGEP (sistemi kolegjial) dhe shkolla fillore dhe të mesme. Ai përfaqëson në veçanti shumicën e mësuesve, punonjësit e shërbimeve ndaj të moshuarve, si dhe dhjetëra mijëra punonjës mbështetës, teknikë dhe profesionistë në shërbimet shëndetësore dhe sociale. Grupeve të grevistëve iu shtua të enjten edhe një sindikatë, 700 profesionistë nga 10 kolegje, anëtarë të Unionit të Profesionistëve të Qeverisë së Quebec (SPGQ).

Ontario - Pesë persona, përfshirë katër adoleshentë, humbën jetën dje (25.11.) në një aksident rrugor në autostradën 60, midis Torontos dhe North Bay pas përplasjes frontale mes dy automjeteve. Sipas një informacioni nga Policia Provinciale e Ontarios (OPP), adoleshentët po udhëtonin drejt perëndimit me një automjet sportiv Mercedes (SUV) në autostradën 60 në Huntsville dhe përballë tyre një grua 42-vjeçare po udhëtonte drejt lindjes me një fuoristradë Ford. “Adoleshentët e moshës 15 deri në 17 vjeç humbën jetën në vendin e aksidentit, ndërsa gruaja 42-vjeçare u dërgua me urgjencë në spital ku u konstatua vdekja e saj”, thuhej në njoftimin për shtyp të OPP të publikuar sot (26.11.). Sipas asaj që shkruhej në njoftim, policia ka marrë një thirrje urgjente në orën 23:10 të së shtunës. Adoleshentët ishin banorë të North York dhe Richmond Hill, ndërsa gruaja ishte banore e Huntsville.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada