Kanada

Saskatchewan sfidon qeverinë Trudeau dhe ndërpret mbledhjen e taksës së karbonit

  • Published in Kanada

Sipas The Canadian Press, qeveria e provincës Saskatchewan ka konfirmuar se duke filluar nga 1 janari 2024, kompania e saj e gazit natyror ka ndërprerë mbledhjen e taksës së karbonit nga klientët rezidencialë. Ky reagim ka ardhur si pasojë e vendimit të kryeministrit Justin Trudeau që përjashtoi nga pagesa e kësaj takse ata që përdorin mazut për ngrohje në shtëpi, vendim nga i cili përfituan kryesisht banorët e provincave të Atlantikut. Fillimisht qeveria e Saskatchewan kërkoi një përjashtim për të gjitha format e tjera të ngrohjes, por Ottawa e refuzoi kërkesën.

Ministri përgjegjës për SaskEnergy, Dustin Duncan, i deklaroi The Canadian Press se afati i fundit për t’i paguar taksën qeverisë federale është 29 shkurti. Nëse kompania SaskEnergy nuk e paguan këtë shumë, do shkelë ligjin federal dhe drejtuesit e saj mund të përballen me gjoba ose burgim. Megjithatë, qeveria e kryeministrit Scott Moe ka miratuar një dispozitë ligjore për të mbrojtur drejtuesit nga pasojat e drejtpërdrejta duke e marrë mbi vete përgjegjësinë.

Ministri Duncan ka pohuar gjithashtu se dhjetorin e kaluar SaskEnergy i ka kërkuar qeverisë federale që t’ia heqë statusin e shpërndarësit të regjistruar të gazit natyror dhe të caktojë provincën si të tillë. “Një reagim i shpejtë nga qeveria federale (pavarësisht nëse ajo e pranon apo jo atë që parashikon projektligji dhe pajtohet me këtë ndryshim në regjistrim) do diktojë hapat e ardhshëm që ne të marrim një vendim gjatë muajit janar për të mos shlyer taksën”, ka theksuar ai.

The Canadian Press i është drejtuar Canada Revenue Agency me pyetjen nëse e ka çregjistruar apo jo SaskEnergy, por sipas deklaratës së zyrës federale të taksave, Ligji mbi tarifat për ndotjen nga gazrat me efekt sere nuk e lejon atë të japë detaje për raste specifike, ndërsa SaskEnergy i ka refuzuar intervistimet mbi këtë çështje duke i ftuar mediat t’ia adresojnë pyetjet qeverisë provinciale.

Nga ana e tij kryeministri Trudeau ka deklaruar se pret që të gjitha provincat të zbatojnë ligjin duke theksuar se mazuti për ngrohje kushton shumë më tepër se gazi natyror, ndërsa sipas qeverisë së Saskatchewan, duke mos paguar taksën, një qytetar me të ardhura modeste mund të kursejë të paktën 400 dollarë këtë vit.

Në këtë lëvizje të qeverisë së kryeministrit Moe do të përfshihet dhe SaskPower dhe gjithashtu duke filluar nga ky muaj, Saskatchewan nuk do të mbledhë më taksën e karbonit nga ata që përdorin energjinë elektrike për të ngrohur shtëpitë e tyre. Provinca nuk parashikon pasoja ligjore për këtë pjesë sepse e administron vetë taksën e karbonit që aplikohet për kompaninë e saj të energjisë elektrike.

Dustin Duncan

Gjithnjë sipas ministrit Duncan, SaskPower do të depozitojë në një fond investimi atë që klientët kanë paguar deri tani si taksë karboni dhe ndryshimi i tanishëm do t'i kushtojë SaskPower më shumë se 3 milionë dollarë këtë vit. “Arsyeja pse vendosëm të urdhërojmë SaskPower që t’i mbajë të gjitha këto pagesa të taksës së karbonit është sepse nuk duam t’i japim argumenta qeverisë federale për ndërhyrë dhe për të na thënë ju nuk po respektoni marrëveshjen tonë dhe, për rrjedhojë, ju i merrni të gjitha fondet”, pohoi ministri.

Qeveria e Scott Moe deklaruar ndërkohë se planifikon ta përdorë fondin e investimeve për projektet e energjisë elektrike pa emetime karboni, duke përfshirë ndofta edhe një reaktor të vogël modular bërthamor. Taksat e karbonit të vendosura ndaj emetuesve të tjerë të mëdhenj do të depozitohen në një fond të veçantë teknologjik për projekte që reduktojnë apo eliminojnë emetimet.

Kujtojmë se në vitin 2021 provinca Saskatchewan e paditi në gjykatë qeverinë federale por e humbi çështjen në Gjykatën e Lartë të Kanadasë, e cila e deklaroi taksën e karbonit në përputhje me dispozitat kushtetuese.

© Flasshqip.ca me informacion nga The Canadian Press

Fotot: CBC; The Canadian Press/Justin Tang/Michael Bell