Aktualitet

Java Kanadeze - Lajme shkurt 30 Janar 2022

(Edmonton-Alberta 29 Janar 2022)

Manifestime në përkrahje të “Freedom Convoy” në provincat perëndimore dhe prerive

Saskatchewan, kryeministri Scott Moe kritikon qeverinë federale dhe mbështet kamionistët

Québec, përkujtohen pas 5 vitesh viktimat e masakrës në xhaminë e qytetit

Provincat e Atlantikut përfshihen sërish nga stuhia e dëborës

Ontario, në 2021 popullsia e rajonit Hamilton tejkaloi shifrën 812 000 banorë

 

Manifestime në përkrahje të “Freedom Convoy” në provincat perëndimore dhe prerive

Në British Columbia (Vancouver dhe Victoria) dje rreth mesditës, disa qindra automjete kanë manifestuar, me pankarta mbi to e me rënie burie në mbështetje të protestës së zhvilluar në Ottawa, të nisur nga kamionistët nën emërtimin “Freedom Convoy” e të ndjekur më pas nga shumë qytetarë që kundërshtojnë masat shëndëtësore për shkak të pandemisë dhe vaksinimin e detyruar. Në Edmonton të Alberta-s, ka patur manifestime të ngjashme, përpara godinës së Parlamentit provincial, në qendër të qytetit dhe autostradën nr. 4. Protesta janë zhvilluar po dje (29.01.2022) edhe në qytetet kryesore të provincave Saskatchewan (Regina) e Manitoba (Winnipeg).

 

Saskatchewan, kryeministri Scott Moe kritikon qeverinë federale dhe mbështet kamionistët

Kryeministri i Saskatchewan Scott Moe e ka kritikuar detyrimin e vendosur për kamionistët që udhëtojnë drejt SHBA për t'u vaksinuar kundër COVID-19. “Politika aktuale federale në lidhje me kamionistët ndërkufitarë nuk ka kuptim”, tha Scott Moe në një deklaratë të publikuar dje në rrjetet sociale (29.01.2022). Sipas Moe, vaksinimi nuk parandalon marrjen e COVID-19, por parandalon që shumica e njerëzve të sëmuren rëndë. Një shofer kamioni i pavaksinuar nuk paraqet më shumë rrezik transmetimi sesa një shofer kamioni i vaksinuar, ka vazhduar deklarata e tij, duke theksuar se politika aktuale federale, jo vetëm rrit koston e jetesës, por krijon edhe vështirësi të konsiderueshme për ekonominë e Kanadasë dhe për zinxhirin e furnizimit të komuniteteve në Saskatchewan. Ndërsa ka shprehur mbështetjen e tij për lëvizjen e kamionistëve, ai i ka inkurajuar sërish banorët e provincës që të vaksinohen për të shmangur infektimin nga virusi.

 

Québec, përkujtohen pas 5 vitesh viktimat e masakrës në xhaminë e qytetit

Dje në kryeqendrën e provincës frankofone, u zhvillua ceremonia e homazhit në përkujtim të pesëvjetorit të masakrës në Xhaminë e Madhe të Québec, ku humbën jetë gjashtë vetë (mes të cilëve edhe profesori i Universitetit Laval, Khaled Belkacemi) dhe u plagosën tetë të tjerë. Anëtarët e komunitetit mysliman shfrytëzuan rastin për të kërkuar veprime konkrete për të çrrënjosur islamofobinë dhe të gjitha format e tjera të diskriminimit. Nusaiba Al-Azem, përfaqësuesja e xhamisë së London, Ontario, ishte më e ashpra në fjalën e saj. “Ne jetojmë çdo ditë me pasojat e islamofobisë. Ne trëmbemi kur kalon një kamion, nuk ndihemi të sigurt në oborret tona”, deklaroi ajo duke kritikuar më pas edhe Ligjin për Laicitetin e Shtetit. “Në lojën e diferencës, ne të gjithë humbasim. Dallimi nuk na dëmton, por na pasuron”, është shprehur nga ana e tij Kryebashkiaku Bruno Marchand. Ndërsa Kryeministri François Legaul, i cili gjithashtu ishte prezent në ceremoni, e përshkroi Quebéc-un si “një komb koheziv, krenar për identitetin e tij, një komb mikpritës, të hapur dhe me respekt për kulturat e tjera”. Kujtojmë që autori i maskrës se para pesë viteve ishte 27-vjeçari Alexandre Bissonette, i cili më 2019 u dënua me burgim të përjetshëm.

 

Provincat e Atlantikut përfshihen sërish nga stuhia e dëborës

Provincat e Atlantikut, New Brunswick, Nova Scotia, Prince Edward Island dhe Newfoundland, janë përfshirë sërish këtë fundjavë nga një stuhi e madhe dëbore dhe shiu të ngrirë, si dhe erëra të forta me shpejtësi në disa raste mbi 100 km në orë, situatë kjo që ka shkaktuar jo pak probleme sidomos me trafikun rrugor. Në Moncton, New Brunswick trashësia e dëborës së rënë arriti deri në 40cm, ndërsa në disa zona pati edhe ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike. Deri në 35cm dëborë ka rënë në disa zona në Nova Scotia dhe deri në 40 cm në Prince Edward Island. Më e prekura prej stuhisë nga provincat mbetet Newfoundland, ku maksimumi i reshjeve të shiut në jug të St-Johns arriti dje (29.01.2022) 78mm ndërsa erërat në Wreckhouse 148 km në orë. Në disa pjesë të Newfoundland deri nesër priten të bjerë deri 35cm dëborë.

 

Ontario, në 2021 popullsia e rajonit Hamilton tejkaloi shifrën 812 000 banorë

Sipas të dhënave më të fundit nga Statistics Canada, Hamilton vazhdon të jetë një qytet i preferuar për të sapoardhurit në Kanada, si dhe kanadezët që largohen nga qytetet më të mëdha si Toronto. Në fillim të këtij muaji, institucioni federal i statistikave publikoi shifrat e reja vjetore të popullsisë, me të dhëna reference deri në Korrik 2021. Sipas këtyre të dhënave të reja, popullsia e këtij rajoni ka arritur në 812,528 banorë. Njëri nga faktorët është imigrimi ndërkombëtar, që do të thotë ardhja në Hamilton e njerëzve nga jashtë Kanadasë (njihet fakti që Hamilton ka qenë prej kohësh një vend relativisht i rëndësishëm për vendosjen e emigrantëve) ndërsa elementi tjetër është migrimi i brendshëm, sidomos gjatë pandemisë, pra zhvendosja e njerëzve që largohen nga qytetet e mëdha si Toronto (kryesisht për shkak të çmimeve të tregut të banesave dhe nivelit të qirave) në qytete më të vogla si Hamilton. Afërsia e Hamilton me Toronton dhe aksesi përmes autostradave midis dy qyteteve është gjithashtu një faktor nxitës.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada