Java Kanadeze - Lajme shkurt 20.02.2022

Vancouver, qiratë më të larta në Kanada dhe numri i banesave vakante i ulët
Alberta, riashpërsohet dimri në fundjavë
Saskatchewan, reagime për letrën e Scott Moe drejtuar guvernatorëve amerikanë
Manitoba nën pushtetin e motit të ftohtë esktrem
Montréal, rrezikon të anulohet Kampionati Botëror i garave të shpejtësisë mbi pistë akulli
Nova Scotia, brenda vitit do përgatitet një raport për krizën e tregut të banesave
Toronto, të rinjtë gjithnjë e më shumë përdorues të armëve dhe viktima të tyre
Vancouver, qiratë më të larta në Kanada dhe numri i banesave vakante i ulët

Sipas Entit Kanadez të Hipotekave dhe Banesave, aktualisht, nga gjithë metropolet kanadeze, Vancouver është territori ku qiratë janë më të lartat dhe ku numri i banesave të lira për t’u dhënë me qira më i ulëti. Arsyeja, sipas ekspertëve duket se është rikthimi deri diku në normalitet pas kufizimeve, lëvizjet migratore që janë rritur si dhe rikthimi i studentëve në auditorë. Sipas Entit, në shkallë kombëtare, gjatë viti 2021, qiratë u rritën mesatarisht me 3% për apartamentet me dy dhoma gjumi. Qendrat e banuara me mbi 1 milion banorë ku qiratë janë më të larta mbeten Vancouver, me një mesatare 1,824$ dhe Toronto 1679$. Ndër to, mesataren më të ulët e ka Montréal me 932$. Ndërkohë në Vancouver, po sipas shifrave të raportuara nga Enti Kanadez i Hipotekave dhe Banesave, pagesa mesatare e qirasë së një apartamenti me dy dhoma gjumi në një godinë condominium, arrin mesatarisht në 2,498$.
Alberta, riashpërsohet dimri në fundjavë

Sipas Environment Canada, 10 deri në 20 cm borë pritet të bjerë në Calgary dhe pjesë të tjera të Alberta-s deri sot (20.02) në mbrëmje. Reshjet kanë prekur Calgary, Kananaskis, Canmore, Okotoks, Crowsnest Pass, High Level, Hinton dhe Rocky Mountain House. Gjithashtu pritet edhe ulje e theksuar e temperaturave. Në Calgary, temperatura pritet të bjerë -20°C nesër, por që me faktorin erë mund të shkojë deri në -40°C më tej gjatë javës. Bashkia e Calgary u ka bërë thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm në ngarjen e automjeteve.
Saskatchewan, reagime për letrën e Scott Moe drejtuar guvernatorëve amerikanë

Dy ekspertë të politikës ndërkombëtare kanë deklaruar se nuk janë të befasuar që kryeministri i Saskatchewan Scott Moe iu bashkua kryeministrit të Alberta-s, Jason Kenney, dhe 16 guvernatorëve të SHBA-së në thirrjen për heqjen e detyrimit të vaksinës për kamionistët, kur ata kalojnë kufirin midis dy vendeve. Profesori i shkencave politike në kampusin Saint-Jean në Universitetin e Alberta, Frédéric Boily, e konsideron këtë bashkëpunim midis politikanëve amerikanë dhe kanadezë si një solidaritet transnacional për t'i bërë presion qeverive të tyre përkatëse, në lidhje me heqjen e masave shëndetësore. Ai i pohoi Radio-Canada, megjithatë, se ky bashkëpunim do të ketë pak efekt mbi qeverinë kanadeze dhe administratën e Joe Biden. Nga ana e tij, profesori i shkencave politike të Universitetit McGill, Daniel Béland, beson se kjo qasje e Scott Moe dhe Jason Kenney është një manovër politike për të ngjallur interesin e mbështetësve në të dy anët e kufirit.
Manitoba nën pushtetin e motit të ftohtë ekstrem

Kushtet e motit të ashpër në Manitoba rezultuan në mbylljen e shumë autostradave në të gjithë provincën dhe paralajmërimet e motit të ftohtë ekstrem vazhdojnë në pjesën më të madhe të territorit edhe gjatë ditë së sotme (20.02). Disa autostrada mbeten ende të mbyllura, ndërsa të tjera janë rihapur për trafikun, si autostrada periferike rreth kryeqytetit, Winnipeg dhe autostrada 75 që lidh provincën me kufirin amerikan. Ndërkohë Winnipeg, Selkirk dhe Gimli përjetuan reshje të tjera bore në mëngjes, ndërsa era e ftohtë mbi pellgun verior të liqenit Winnipeg i uli shumë temperaturat. Shumica e zonave të Manitoba-s veriore morën gjithashtu paralajmërim nga Environment Canada për mot të ftohtë ekstrem, duke përfshirë Churchill, Thompson, Flin Flon, Shamattawa, Island Lake dhe Norway House. Një masë ajrore arktike pritet të sjellë gjatë javës së ardhshme erëra të ftohta nga -45 deri në -55.
Montréal, rrezikon të anulohet Kampionati Botëror i garave të shpejtësisë mbi pistë akulli

Kampionati Botëror i patinazhit të shpejtësisë në distancë të shkurtër, që do të mbahet në Montréal në Arenën Maurice-Richard, nga data 18 deri më 20 mars, duket se mund të anulohet për shkak se Health Canada nuk njeh disa vaksina kundër COVID-19 të marra nga atletët e planifikuar për të garuar, përfshirë vaksinën ruse Sputnik. Ky fakt i pengon disa delegacione, si ato nga Rusia dhe Kazakistani, të udhëtojnë drejt Kanadasë. Federata Ndërkombëtare e Patinazhit, sipas rregullave të saj, nuk mund të zhvillojë një garë ndërkombëtare nëse vendet përjashtohen për arsye të tilla. Vendet, atletët dhe stafi mbështetës i të cilave kanë marrë vaksina të panjohura nga Health Canada, do duhej t'i nënshtroheshin një karantine të detyrueshme dyjavore pas mbërritjes në vend, një kusht pothuajse i pamundur për t'u respektuar, sipas burimeve të Radio-Canada. Më shumë se tridhjetë atletë do të prekeshin nga kjo masë. Ka shumë pak shanse që Montréal të vazhdojë të jetë mikpritës i eventit, sepse ndërkohë Federata Ndërkombëtare e Patinazhit ka ftuar disa shtete të tjera të bëjnë ofertën përkatëse. Sipas të njejtit burim, këto vende kanë afat deri më 23 shkurt për të shprehur interesin dhe për të propozuar kandidaturën e tyre. Edhe Kampionati Botëror i Sinkronizuar i Patinazhit Artistik, që parashikohet të mbahet nga 7-9 Prill në Hamilton, Ontario, mund të rrezikohet nga një masë e tillë.
Nova Scotia, brenda vitit do përgatitet një raport për krizën e tregut të banesave

Gjatë këtij viti, Nova Scotia pritet të marrë një analizë të detajuar mbi krizën e strehimit përmes një raporti të veçantë. Qeveria ka porositur një vlerësim gjithëpërfshirës të situates, që do të përfundojë brenda 9 muajve të ardhshëm, në territorin e 49 bashkive të provincës. Do të analizohen përqindja e banesave të pabanuara, çmimet e shtëpive, numri i të pastrehëve, të ardhurat mesatare si dhe disa variabël të tjerë. Raporti përfundimtar jo vetëm që duhet analizojë problematikat dhe efektin e tyre, por duhet të identifikojë dhe mënyrat më të mira për zgjidhjen e krizës në çdo komunitet si dhe të bëjë rekomandime për të stabilizuar situatën për të paktën një dekadë. Konkluzionet e studimit duhet t’u dorëzohen në dhjetor 2022 autoriteteve provinciale, Federatës së Bashkive si dhe Shoqatës së Administratorëve Bashkiakë të Nova Scotia.
Toronto, të rinjtë gjithnjë e më shumë përdorues të armëve dhe viktima të tyre

Katërmbëdhjetë vjeç ishte mosha e një adoleshenti të akuzuar për vrasjen e kryer në një shkollë të mesme të Torontos të hënën e kaluar (14.02). Sipas Policisë së qytetit, të rinjtë po përfshihen gjithnjë e më tepër në ngjarje ku implikohet përdorimi i armëve të zjarrit. Ky fenomen nuk është befasi për një aktivist kundër dhunës me armë dhe ish-punonjës social në Toronto. “Unë kam thënë shpesh se është më e lehtë të gjesh një armë sesa të gjesh një punë kur jeton në Toronto”, i ka deklaruar Radio-Canada Karim Grant, i cili ka punuar me të rinjtë e qytetit për më shumë se 15 vjet. Me kompaninë e tij, Make it Happen Inc, ky ish-futbollist profesionist organizon aktivitete sportive për të rinjtë. “Varfëria dhe mundësitë e pakta për një jetë të denjë në komunitetet më të varfra të qytetit”, mendon ai, “janë arsyeja pse kaq shumë të rinj tërhiqen nga krimi”. Sipas Shërbimit Policor të Torontos, një e treta e vrasjeve të kryera në vitin 2022, përfshijnë viktima ose persona të akuzuar nën moshën 20 vjeç. Adoleshentët nën moshën 15 vjeç janë përballur gjithashtu me akuza për dy raste të shtënash me armë këtë fillimviti. Policia deklaron gjithashtu se mosha mesatare e atyre që janë përfshirë në incidente të dhunës me armë ka rënë nga 25 vjeç midis 2015 dhe 2020, në 20 në 2021. “Kjo është shumë shqetësuese, diçka duhet të ndryshojë”, pohoi Zëvendës-Shefi i Shërbimit Policor të Torontos, Myron Demkiw. në një konferencë për shtyp të martën (15.02). Sipas tij, “nuk ka asnjë shpjegim racional që një 13, 14 apo 15 vjeçar të ketë akses në armë zjarri pa leje, e lëre më të ndjejë nevojën për t'i përdorur ato”. Bashkia e Torontos së fundmi ka miratuar një strategji të re 10-vjeçare në bashkëpunim me Shërbimin Policor, Shëndetin Publik, organizatat e komunitetit dhe nivele të ndryshme të qeverisjes për të reduktuar dhunën me armë. Gjithashtu kjo bashki planifikon të krijojë një shërbim të specializuar në parandalimin e kësaj lloj dhune. Në një deklaratë të dërguar me email në adresë të Radio-Canada, Bashkia Toronto shkruante se ka investuar më shumë se 5.36 milionë dollarë në vitin 2021 dhe deri tani në 2022, në programe që synojnë parandalimin e dhunës tek të rinjtë.
Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada












