Aktualitet

Java Kanadeze - Lajme shkurt 9 tetor 2022

Waterton Lakes National Park - Alberta

 

-British Columbia, rekord temperaturash të larta dhe thatësire

-Alberta, plan ambicioz për zhvillimin e Parkut Kombëtar Waterton Lakes

-Saskatchewan, kryeministri Scott Moe synon mbrojtjen e provincës nga ndërhyrjet federale

-Manitoba, problemet e zinxhirit të furnizimeve kushtëzojnë fermerët

-Nova Scotia, sërish rritet çmimi i naftës

-Prince Edward Island, pas urganit Fiona 5000 banesa ende pa energji elektrike

-Ontario, interes i ulët për zgjedhjet lokale në Toronto

 

British Columbia - Sipas Environment Canada, gjatë shtatorit në disa zona të caktuara të British Columbia u thyen rekordet e temperaturave të larta dhe thatësirës. Të premten (07.10), në Abbotsford, në një rajon në gjendje thatësire si kurrë më parë, termometri shënoi 27 gradë Celsius. Pas përmbytjeve historike nëntorin e kaluar, qyteti sapo ka provuar shtatorin më të thatë dhe më të nxehtë të regjistruar, pohoi Environment Canada. Të dhënat e para nga Stacioni Metereologjik i Abbotsford datojnë në vitin 1945 dhe kurrë më parë nuk ishin raportuar shifra të tilla. E njëjta gjë në ishullin Vancouver, në Victoria, që përjetoi shtatorin më të nxehtë që nga viti 1941. Po ashtu edhe në pjesën e brendshme të provincës, në Williams Lake, nuk ka bërë kurrë kaq nxehtë që nga viti 1961. Mungesa e shiut për disa javë i detyroi disa rajone, si Greater Vancouver, Sunshine apo edhe pjesën perëndimore të ishullit Vancouver, të deklarojnë nivelin 5 të thatësirës, ​​niveli më i lartë i klasifikimit. Kufizimet për përdorimin e ujit gjithashtu po aplikohen në Greater Vancouver. Deri në fund të tetorit, banorët lejohen të vadisin kopshtin e shtëpisë vetëm një herë në javë, në mëngjes.

 

Alberta - Plani i ri i Menaxhimit të Parkut Kombëtar Waterton Lakes 2022, i paraqitur në parlamentin provincial këtë verë, përcakton drejtimet për dekadën e ardhshme në këtë rezervat natyror. Sipas ekspertëve konsiderohet si një plan “ambicioz”. I motivuar nga zjarri i fuqishëm që shkatërroi parkun në Albertën Jugore pesë vjet më parë, plani përfshin trajtimin e ndryshimeve klimatike dhe specieve me përhapje të madhe. Ai gjithashtu parashikon dhe rrugët e thellimit të bashkëpunimit me komunitetet autoktone. Zjarri që ra në Kenow dhe u përhap më pas, dogji mbi 19,000 hektarë të parkut malor në shtator 2017, gati 39% e sipërfaqes së tij. Ai dëmtoi gjithashtu shumë zona pikniku, kampe dhe shtigje të njohura ecjeje. “Ishim shumë me fat dhe patëm dhe shumë mbështetje nga qeveria federale”, i ka deklaruar Radio-Canada, eksperti i Parks Canada, Locke Marshall. Sipas tij, një pjesë e infrastrukturës së dëmtuar tashmë po zëvendësohej para rënies së zjarrit, por zona të tjera kërkonin gjithashtu rikonstruksion të plotë.

 

Saskatchewan - Sipas zëdhënëses së tij të shtypit, Julie Leggot, kryeministri i Saskatchewan Scott Moe, me synim që të mbrojë interesat e provincës nga “ndërhyrja federale”, do publikojë një dokument politikash për këtë qëllim të martën e ardhshme, dokument që do nxjerrë në pah ndikimet negative ekonomike që politikat e vendosura nga Ottawa kanë pasur në Saskatchewan. Dokumenti në fjalë do propozojë dhe zgjidhje për të mbrojtur interesat e Saskatchewan nga ndërhyrja federale në fushat që sipas Kushtetutës janë nën juridiksionin provincial. Ky njoftim vjen menjëherë pas zgjedhjes së Danielle Smith kryetare e Partisë së Bashkuar Konservatore të Albertës, e cila të martën do betohet edhe si kryeministre. Kjo e fundit, gjatë fushatës e vuri shumë theksin te një projektligj që do inkurajojë sovranitetin e Albertës. Scott Moe e përshëndeti fitoren e Danielle Smith në rrjetet sociale të enjten në mbrëmje (06.10) dhe deklaroi se mezi priste të punonte përkrah saj për të promovuar interesat e Kanadasë Perëndimore. Në muajt e fundit, qeveria e Saskatchewan ka kundërshtuar në mënyrë të përsëritur juridiksionin federal në disa fusha të tilla si imigracioni, analizat e mostrave të ujit dhe riblerja e armëve të zjarrit.

Scott Moe

Manitoba - Aktualisht, përveçse me ndikimin e fenomeneve të natyrës, fermerët e provinces Manitoba po përballen edhe me problemin e mungesës së pasisjeve kritike për zhvillimin e aktivitetit të tyre, mungesë që shkaktohet nga vonesat e zinxhirit të furnizimit. Sipas presidentit të Keystone Agriculture Producers (KAP) Bill Campbell, që drejton një fermë në jug të Brandon në Manitobën Jugperëndimore, “në kushtet e pikut të fushatës së korrjeve, një pjesë makinerie e munguar ose e dëmtuar mund të ketë një ndikim të madh në cilësinë e të korrave”. Ky fenomen është ndjerë qysh në pranverë dhe problemet e raportuara në KAP variojnë nga pajisjet e mbjelljes tek mikroçipet, e deri dhe te gomat. Ka fermerë që kanë bërë porosi qysh dimrin e shkuar dhe që ende nuk i kanë marrë pajisjet e porositura, ndërkohë që korrja vazhdon. Disa tregtarë nuk po marrin më porosi, e të tjerë janë detyruar të anulojnë kërkesa për shkak se ka pajisje që nuk do jenë në dispozicion edhe në vitin 2023, ndërkohë që pajisjet e përdorura jo gjithmonë vlejnë si zgjidhje alternative.

 

Nova Scotia - Dje në mëngjes në Nova Scotia (08.10) çmimi i një litri naftë u rrit me gati 14 cent. Nafta u shit dje për të paktën 2.27 dollarë litri, nga 2.13 dollarë një ditë më parë. Ripërcaktimi javor i çmimit të karburantit bëhet zakonisht të premteve, por ndryshimi shtesë ndodhi dje për shkak të ndryshimit të kushteve të tregut. Ndërkohë, çmimi i naftës është rritur më shumë se 40 cent për litër në 8 ditët e fundit. Më 30 shtator, ajo shitej 1,86 dollarë për litër, 6 muaj më parë shitej për të paktën 2.03 dollarë për litër, ndërsa një vit më parë, më 8 tetor 2021, çmimi ishte 1.39 dollarë për litër. Me afrimin e fundjavës së gjatë të Thanksgiving, u rrit të enjten më 8 cent edhe çmimi i benzinës së zakonshme, përkatësisht 1.65 dollarë litri, çmim që gjithsesi nuk ndryshoi dje.

 

Prince Edward Island - Dy javë pas kalimit të urganit post-tropikal Fiona, akoma rreth 5000 banesa janë pa energji elektrike në provincën ​​Prince Edward Island. Ndërprerjet shtrihen në të gjithë territorin, por pjesa më e madhe përfshin kryeqytetin Charlottetown. Paraditen e së premtes, rreth 11 mijë konsumatorë të Maritime Electric nuk kishin energji elektrike dhe kompania përgjegjëse për shumicën e rrjetit të provinces pat deklaruar atë ditë se disa konsumatorëve mund të duhet të presin edhe një javë deri sa shërbimi të rivendoset. Riparimet kësaj radhe po zgjasin deri pesë herë më shumë sesa gjatë urganit post-tropikal Dorian në vitin 2019. Ndërkohë, qeveria provinciale ka ofruar një ndihmë financiare prej 250 dollarë për rreth 23,300 familje përmes Kryqit të Kuq Kanadez. Ky i fundit njoftoi të premten se do ofrojë çeqe ndihme në shumën prej 500 dollarë. Nga ana tij, Departamenti i Transportit dhe Infrastrukturës së provincës ka marrë deri tani më shumë se 4620 kërkesa për vlerësimin e dëmeve të pronës private.

 

Ontario - Në mes të fushatës për zgjedhjet lokale, duket se indiferenca mbretëron totalisht në Toronto dhe sipas vëzhguesve, kryetari aktual i bashkisë John Tory po shkon qetësisht drejt fitores së tretë. Vetëm dy javë para zgjedhjeve, të paktën sipas disa prej kandidatëve në garë, votuesit e metropolit kanadez thuajse nuk po dëshmojnë fare interes për fushatën aktuale zgjedhore. “Përshëndetje, emri im është Gil, dua të bëhem kryetari i ardhshëm i bashkisë!”. Sipas Radio-Canada, në këtë formë Gil Penalosa u bën thirrje kalimtarëve që takon në Toronto. Urbanistin e njohur disa media e kanë cilësuar si rivalin më serioz të kryebashkiakut në detyrë. “Është për të ardhur keq që nuk ka më interes për zgjedhjet lokale, megjithëse ato janë vendimtare”, mendon Gil Penalosa, sipas të cilit, një reformë e sistemit zgjedhor mund të bindë më shumë votues që të interesohen për këto lloj zgjedhjesh, por në një vendim të diskutueshëm, kujton ai, kryeministri Doug Ford nuk i lejoi bashkitë e provincës të miratonin votën preferenciale. Vitet e fundit, trendi i pjesmarrjes ka ardhur duke u ulur në mënyrë të konsiderueshme. Në vitin 2018, pjesëmarrja në votime ishte vetëm 41%, nga 54% katër vjet më parë. Por edhe pjesëmarrja në zgjedhjet provinciale qershorin e kaluar, kur Doug Ford u rimandatua, mezi e kaloi 43%, shkalla më e ulët kjo e regjistruar ndonjëherë në zgjedhjet provinciale në Ontario.

Gil Penalosa

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada, CBC, The Canadian Press