Discovery

Inteligjenca njohëse - Nga Shyqyri Dekavelli

Shyqyri Dekavelli

Përpjekjet njerëzore për të përcaktuar inteligjencën njohëse janë kryesisht të motivuara nga dëshira për të provuar nëse kemi më shumë e presim më shumë prej saj.

Inteligjenca mund të përkufizohet si një aftësi e përgjithshme mendore për arsyetimin, zgjidhjen e problemeve dhe të mësuarit.

Për shkak të natyrës së saj të përgjithshme, inteligjenca integron funksione njohëse si perceptimi, vëmendja, kujtesa, gjuha apo planifikimi.

Mbi bazën e këtij përkufizimi, inteligjenca mund të matet në mënyrë të besueshme nga teste të standardizuara që parashikojnë arritje të ndryshme në jetën shoqërore si ato arsimore, performancën e punës, shëndetin dhe jetëgjatësinë.

Inteligjenca njohëse, e quajtur edhe funksion njohës, aftësi njohëse ose kapacitet njohës, është aftësi e bazuar në tru e cila është e nevojshme për marrjen e njohurive, analizen e informacionit dhe arsyetimin.

Ne përdorim inteligjencen tonë njohëse çdo ditë për të asimiluar dhe përpunuar informacionin. 

Çdo ditë truri ynë thirret vazhdimisht për të përmbushur sfida të nivelit të lartë njohës. Kur shkruajmë, luajmë lojëra ose shikojmë filma në kompjuterët tanë, ngasim një makinë apo zhvillojmë një bisedë telefonike, neuronet vazhdimisht transmetojnë dhe vlerësojnë impulset elektrike që na mundësojnë të filtrojmë informacionin ndijor në hyrje, ta përpunojmë atë dhe të vendosim per përgjigjen e duhur.

Tani është pranuar që inteligjenca njohëse për të kryer detyra të rëndësishme, kërkime shkencore, etj. dhe për t'u përshtatur me kërkesat që ndryshojnë me shpejtësi po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme, veçanërisht në vendin e punës.

Pak dihet se si ndryshon inteligjenca e performanca njohëse e një individi gjatë jetës.

Kuptimi i ndryshimeve në inteligjencën njohese të lidhura me moshën është i rëndësishëm për ruajtjen e pavarësisë funksionale dhe komunikimit efektiv me të tjerët.

Ndryshimi më i rëndësishëm në inteligjencen njohëse me plakjen normale është rënia e performancës në detyrat njohëse që kërkojnë një përpunim të shpejtë të informacionit për të marrë një vendim.  Ndryshimet strukturore dhe të funksionit në tru ndërlidhen me këto ndryshime njohëse që lidhen me moshën.  Sëmundjet e lidhura me moshën përshpejtojnë shkallën e mosfunksionimit neuronal, humbjes së neuroneve dhe rënies së aftësisë njohëse e funksionale të përditshme. Ekzistojnë prova të dukshme se mënyrat e shëndetshme të jetesës ndikojnë në ruajtjen e aftësisë njohëse dhe ndihmojnë në vonimin e shfaqjes së simptomave të përkeqësimit të aftësisë njohëse nga sëmundjet e shoqëruara nga mosha.

Inteligjenca njohëse është thelbësore për pavarësinë funksionale ndërsa njerëzit plaken. Ruajtja e aftësisë njohëse është e rëndësishme për njeriun që të mund të jetojë i pavarur, të menaxhojë financat, të marrë ilaçe në mënyrë korrekte dhe të lëvizë në mënyrë të sigurt.

Përveç kësaj, inteligjenca njohëse e paprekur (kur truri funksionon normal) është jetike për njerëzit për të komunikuar në mënyrë efektive, duke përfshirë përpunimin dhe integrimin e informacionit ndijor dhe përgjigjen e duhur ndaj të tjerëve.

Aftësitë njohëse shpesh bien me kalimin e moshës. Është e rëndësishme të kuptohet se cilat lloje të ndryshimeve në inteligjencën njohëse priten në një plakje normale dhe çfarë lloj ndryshimesh mund të ndikojnë në shfaqjen e një sëmundjeje të trurit.

Është e domosdoshme të kuptohen efektet e moshës për inteligjencen njohëse sepse mbi moshën 65 vjeç prevalon rritja e demencave neurodegjenerative.

Inteligjenca Artificiale ndihmon në përmirësimin e inteligjencës dhe aftësise njohëse të njerëzve, nëpërmjet algoritmeve të programuar për të shtuar funksionet njohëse te tyre.

Këto teknologji po bëhen më të mira përmes të mësuarit makinerik dhe një reagimi të vazhdueshëm njerëzor gjatë gjithë ndërveprimeve

Në trurin tonë inteligjenca e përgjithshme njohëse ka avancuar në mënyrën e të menduarit, në planifikimin e detajuar për të ardhmen, në kuptimin e depërtimin në mendjen e të tjerëve, etj.

Inteligjenca njohëse u ka mundësuar njerëzve që të kërkojnë planete të tjera dhe të shkojnë atje e t’i studjojnë ato, të kurojnë sëmundjet, të bëjnë kërkime shkencore në fusha të ndryshme, etj, etj, dhe përgjithësisht të dominojnë në këtë planet.

©Shyqyri Dekavelli