Krijimtari

'Harizi'-tregim nga Avdulla Kënaçi

Shtëpia e Harizit ishte ngritur mbi një bregore të vogël në anë të fshatit. Prej andej dukej fusha e gjerë, kullotat e buta në pllajë dhe pylli që niste nga thelloma e përroit të zhurmshëm. Harizi, një burrë i shkurtër dhe energjik, me sy zhbirilues, rreth të pesëdhjetave, gjithë bregoren e kishte trashëgim nga të parët e tij. Askush nuk ia kishte lakmi atë truall të egër sepse ishte një shtufishte e varfër ku mbinin vetëm badëra e driza me ata gjëmbat e mprehtë e të hidhur. Pikërisht në pikën më të lartë të saj, ishte ndërtuar një shtëpi dykatëshe me oborr të ngushtë. Ai vend kishte një të mirë të madhe: mund të mbaje kope me dhën apo dhi pa i bërë dëm askujt. Kodra lidhej direkt me kullotat në pllajë. Kur u krijua kooperativa, në kryesi u diskutua gjerë e gjatë në mund ta kolektivizonin si kullotë-musha, por u kundërshtua nga shumica mbasi ajo kodër ishte tokë shterpë që nuk vlente për asgjë. Kur ia thanë këtë Harizit, ai tundi kryet i menduar dhe pyeti vetëm se kujt i shkoi ndërmend për ta kolektivizuar.
- Pse xhanëm më bien në qafë, - i tha i qederosur të shoqes në mbrëmje vonë, - unë nuk i kam bërë keq njeriut, nuk kam vrarë me dorën time asnjë zog. Dhe borxh nuk i kam askujt.
- Eh, mor burrë, të ka dalë nami sikur ke qenë ballist. Duan të na godasin, duan të na ulin kokën, - i tha ajo duke mbushur sytë me lot.
- Ah, moj e mjera grua, unë nuk kam zënë kurrë armë me dorë. Nuk kam qenë në luftë me asnjërin krah, as me komunistët e as me ballistët.
- Namin ta ka hapur yt kushëri, Gjenerali. Sa herë vjen në qytet apo takon njeri nga fshati, pyet: “Ç’bën ai ballisti, e kam kushëri që mos e paça…”. Lëre, unë e kam dëgjuar me veshët e mi kur erdhi vizitë në Kërpaj. Edhe aty pyeti: “Ku bëhet ai ballisti, ç’i bëri shokët?”, ta kam thënë, po, po, kështu tha, u futsha në dhé e gjallë…
- Të besoj, nuk ka nevojë të bësh be. Ma ke thënë aq shumë herë sa edhe vetë dyshoj se mos kam qenë vërtet ballist. Kur Gjenerali ka përmendur “shokët”, e ka pasur fjalën për ish-komandantin e Qarkorit të Ballit, Esatin, që këta e pushkatuan pa gjyq fare.
Gjenerali ishte njeri i besuar i Partisë. Pas luftës kishte marrë titullin “Hero i Popullit” dhe kishte ndërruar disa poste të rëndësishme në qeveri. Ishin kushërinj të parë me Harizin, nënat motra. Kur u krijuan çetat partizane, batalionet e më vonë brigadat, ai e kishte lutur atë të merrte armën e të bashkohej me çetën.
- E ç’dua të vij me ju, nuk sheh nga janë kokat e mëdha, nuk sheh nga janë baballarët e Kombit, ata me shkollë? Ju jeni të lidhur me serbin e me rusin. Ta di të vdes e nuk bashkohem me ju, - iu përgjigj Harizi për herë të parë dhe të fundit. 
- Të ka helmuar propaganda e tyre, kushëri... Dije, ne do të fitojmë e ti do ngelesh me gisht në gojë. Mos thuaj që nuk të thashë. Kemi inglizin me vete, - iu përgjigj i egërsuar kushëriu që më vonë u bë gjeneral. Nuk i dha as dorën. I ktheu krahët e kur të shiheshin përsëri.
Po Harizi as me Ballin Kombëtar nuk u afrua. Edhe ata e kishin ftuar disa herë të bashkohej me ta. Aq më tepër që ai ishte mik me Komandantin e Qarkorit, Esatin. Ishin shokë fëmijërie dhe hynin e dilnin tek njëri-tjetri. Pas luftës, kur ujërat ishin qetësuar dhe komunistët kishin kapur gjithë kyçet e shtetit, t’i thoshe tjetrit “ballist”, nënkuptohej si armik i klasës, kundërshtar i Partisë. Cilësimi “ballist” nuk mund të merrej më me të qeshur apo shaka. 
Vitet rridhnin dhe radha i erdhi për shkollë të lartë Indritit, djalit të madh të Harizit, por askush nuk hapte rrugë. Në karakteristikën që përcolli këshilli i fshatit shkroi: “…i shkëlqyer në mësime, por është me origjinë shtresë e mesme dhe babain e ka pasur ballist”. Kur e mësoi këtë Harizi, u tërbua, nuk e mbante vendi. U paraqit vetë në kryesinë e këshillit të fshatit: “Ti ke shkruar se unë jam ballist?”, i tha kërcënueshëm kryetarit të këshillit, “Ti që ke qenë adjutant i Ballit dhe dole vetëm pesë ditë partizan pas berihajt e tani firmos shkresa të paqëna për djalin tim? Do ma paguash…”. Dhe i ktheu krahët duke turfulluar. Kishte marrë një vendim. Shkoi në shtëpi, thirri djalin dhe e porositi:
- Do shkoç në Tiranë, në shtëpinë e Gjeneralit, e ka afër stadiumit të futbollit. Ai nuk ka pranuar të hyjë në Bllok, aq më mirë për neve. Këtu ke një tarabuzan me pesë kile raki dhe një culë.
- Po cula pse, baba?
- Bëj si të them, mos u çkul nga porta e shtëpisë së tij pa takuar Gjeneralin. Të tjerëve do t’u thuash jam nipi i tij.
- Po sikur të mos më presin, baba?
- Aty të vdesëç, aty tek porta e Gjeneralit gjer sa të të futin brenda. Po të priti, shpëtove, ia hodhe, e more shkollën. Dhe mos harro, vish një fanellë leshi se natën bën ftohtë, - porositi të birin dhe u ngrit të bënte gati trastën e dhuratave të çuditshme. Ndërkohë, e shoqja, me zë të ulët i dha një tjetër porosi:
- Mos fli natën përjashta, shko nga apartamenti i tezes dhe ngihu herët në mëngjes, pa shkuar Gjenerali në punë.
Gjithë këshillat e prindërve shkuan dëm. Gjenerali, duke u kthyer nga puna, e vuri re djaloshin tek porta dhe nga fizionomia e kuptoi që kishte të bënte me Harizin.
- Djali i Ballistit je ti? Futu brenda. Si të quajnë? - e pyeti pa ia hedhur sytë. 
- Indrit, - iu përgjigj serbes, duke qëndruar gatitu si një ushtar garde. Gjenerali ia dorëzoi djaloshin së shoqes dhe diçka i tha me zë të ulët. Që nga ai çast, ai vetë nuk u duk më.
Krejt ndryshe e pritën pjestarët e tjerë të familjes. Dhe ata bëheshin shumë. Askush nuk e zuri në gojë Gjeneralin dhe as fjalën “ballist”. Indriti u ndje mirë, në fund të fundit ata ishin gjaku i tij. Ashtu do t’i priste edhe i ati po t’i vinin vizitë në fshat. Pastaj ata e çuan kushëririn në dush, por ai nuk dinte ta përdorte. I erdhi turp të kërkonte ndihmë, bëri ç’bëri dhe u la me ujë të ftohtë. Punë e madhe, mjafton që kishte hyrë në shtëpinë e Gjeneralit! I ndërruan teshat dhe i dhanë për të ngrënë. E pyetën për motrat e vëllezërit, për gjendjen në kooperativë, për gjithë njerëzinë, me farë e fis. Dhe ai u përgjigj fijë e për pe. Askush nuk e pyeti përse kishte ardhur. Ndoshta kjo nuk ishte detyrë e tyre. Vonë, atëherë kur nuk e priste askush, hyri në sallon adjutanti i Gjeneralit: “Indriti me mua”, tha ai dhe eci përpara gjatë një korridori. Gjenerali kishte përkulur kokën mbi ca shkresa dhe vazhdoi të punonte sikur në atë dhomë të mos ishte askush tjetër. Indriti ndjente trokun e zemrës së tij nën trikon e leshit. Nga çfarë do të thoshte ky burrë i gjatë, flokëbardhë, do të përcaktohej fati i tij, e ardhmja, shkolla. O Zot…!
- Djali i Ballistit, eja ulu këtu pranë meje, - tha Gjenerali më në fund, por pa e ngritur kokën nga letrat - çfarë i ke këto peshqeshe? Keq për këto jam unë?
- Nuk e di, është një culë dhe një pesëlitroshe raki. Babai më tha se rakia është bërë nga rrushi ynë i oborrit dhe kurrë e spërkatur me herbicide apo me gur-kali.
- Po cula?
- Për atë nuk di gjë, e kupton vetë Gjenerali, më tha babai, - u gjegj djaloshi me zë të ulët. 
Gjenerali qeshi, u bë më njerëzor, më i përzemërt. Nxori culën nga çanta. E ngriti lart, me të dy duart, e rrotulloi në ajër dhe u duk sikur do t’ia kthente, por jo. E vuri në buzë dhe filloi t’i bjerë një melodie. Dukej tjetër njeri. Indriti e njohu melodinë, ishte e njëjta që ekzekutonte edhe i ati i tij. Quhej “Kur venë dhëntë në ujë”. Dhoma u mbush me tinguj. U duk sikur kopeja me dele vraponte në lëndina, dëgjoheshin blegërima qingjash, këmborë e çokane. Heej, sa hare e bukur…Jashtë derës dhjetëra veshë ishin pllakosur mbi të dy kanatet dhe po dëgjonin. Ata hamendësonin e pyesnin: Kush të ishte vallë, kush i binte fyellit, djaloshi apo …? Askujt nuk i shkoi mendja për Gjeneralin me përjashtim të së shoqes. Pastaj u bë heshtje dhe ata që ishin pas derës ikën në majë të gishtrinjve, një nga një.
- Me babain tënd, kur ishim të rinj në fshat, pasuria më e madhe ka qenë kjo culë. E luta të ma falte mua, por ai nguli këmbë si mushka dhe nuk ma dha. I thashë ta këmbenim me dy milore, por as këtë nuk e pranoi. Tani ma dërgon mua. Hall i madh duhet ta ketë gjetur që po e nxjerr culën nga dora. Merre, rakinë po ia mbaj se nuk dua të të lodh ty, po culën ktheja. Kjo i takon babait tënd. Unë e di sa të shenjtë e ka ai këtë culë. I bie bukur, sidomos “Tanë, moj Tanë”- tha Gjenerali dhe dukej sikur fliste më shumë me vete se sa me djaloshin që kishte përpara. Pastaj papritur ndërroi ton duke iu afruar sa më shumë: 
- Ballisti ka hallin e shkollës tënde, e luta të vinte pas nesh në luftë, por nuk më dëgjoi. Tani le t’i kërkojë ndihmë Esatit. Mbase ngrihet nga varri dhe e ndihmon...
Si e mori vesh Gjenerali përse ai djalë i ri kishte marrë atë rrugë aq të gjatë dhe ishte fanepsur tek porta e vilës së tyre? Qëllimin e kësaj vizite nuk ia kishte treguar askujt. As në bisedat me pjesëtarët e familjes së tij nuk e kishte zënë në gojë. Sidoqoftë nuk po merrte një përgjigje të saktë. Babai i kishte thënë se po të futi Gjenerali në shtëpi, shkollën e ke të fituar. Po tani? Si do t’i dilte në sy të atit? Po i dridheshin gjunjët dhe sytë po i erreshin. As dëgjonte, as shikonte. E përmendi krahu i adjutantit i cili e tërhoqi lehtë drejt derës. Po dilte fishek nga kjo vizitë. Gjumi atë natë nuk e zuri. U ngrit herët dhe deshi të iki pa u përshëndetur, por adjutanti përsëri e kapi duke dalë nga porta dhe e ktheu me detyrim për të ngrënë mëngjes. Nuk kishte nga t’ia mbante. Mezi shtyu pesë- gjashtë kafshata ushqim, por gruaja e Gjeneralit, pjesën e mbetur, ia vuri në trastën me të cilën kishte sjellë peshqeshet. Aty ishte edhe cula. Ajo cula e babait të tij, dyllë e verdhë. Mos vallë kjo shenjë tregonte se Gjenerali nuk do ta ndihmonte? Ah, mor baba, pse nuk ndoqe Gjeneralin në luftë, por u bëre ballist? U pa puna, bari me dele do të mbetej në fshat. U tret si vesa e mëngjesit shkolla për të cilën aq shumë kishte ëndërruar. 
Në ato vite, të shkoje nga Tirana në Gjirokastër, duheshin fiks dymbëdhjetë orë. Rruga shkonte nga Vlora dhe pjesa më e madhe ishte e paasfaltuar. Autobuzi, gjatë rrugës, ndaloi në dy tri-vende, sidomos në Sevaster ku shërbehej kos deleje, por djaloshi nuk zbriti asnjëherë. Ishte natë kur ja tek pa për së largu dritat e shtëpisë së tij. Për habi, edhe dritat e oborrit ishin ndezur. Kur u afrua, dëgjoi këngë dhe zëra të gëzuar brenda çatisë. Çfarë kishte ndodhur? E pritën krahëhapur. Mos ishte në ëndërr? Kishte ardhur njoftimi nga komiteti ekzekutiv i rrethit se do të vazhdonte shkollën e lartë në një nga degët që do të dëshironte ai vetë. Iu kujtua Gjenerali dhe buzëqeshi. Nga çanta nxorri fyellin për t’ia kthyer të atit. Atij i shkëlqyen sytë. “E dija që nuk do ta mbante, ai ka marrë tjetër rrugë”, tha babai dhe e mori culën e tij të dashur me kujdes sikur të ishte prej qelqi. E vendosi gjithë gëzim në raftin ku kishte qenë më parë.

***
Indriti vazhdoi studimet për arkeologji, atë degë zgjodhi me dëshirën e tij. “Pse këtë zanat?” e kishte pyetur babai. “Për të çvarrosur historinë e kombit tonë” i ishte përgjigjur i biri. Të atit i fluturoi zemra nga gëzimi, por nuk e dha veten. Në katër vitet e fakultetit, Indriti shquhej, ishte më i miri i kursit. Edhe me gjuhët e huaja, duke mësuar çdo ditë pas leksioneve, kishte përparuar goxha. Flitej se mund të specializohej jashtë shtetit, në Gjermani. Gjithë familja, prindërit si dhe dy vëllezër e dy motrat më të vogla, ishin të lumtur dhe krenoheshin më të. Në fshat, ajo nofka për babanë “ballist” dëgjohej gjithnjë e më rrallë. Mirëpo, kur Indriti ishte në vit të katërt dhe gjithçka ecte mbroth, Gjenerali kishte ardhur në festën e përvjetorit të batalionit. Pas mitingut takoi edhe bashkëfshatarët e tij. Kërkoi me sy për Harizin, por nuk dukej gjëkundi. I erdhi plasje që ai nuk kishte ardhur ta priste e ta takonte. Si ishte e mundur kur ai ndërhyri për t’i akorduar të drejtë studimi birit të tij duke thënë se Indritin e kishte nip? Bukëshkali. “Mos ia pafsha sytë” kishte thënë Gjenerali. Në një bashkëbisedim tjetër e kishte kujtuar përsëri:
- Dini gjë ku është ai ballisti? - pyeti dhe hodhi dorën në gjoks sikur do të kapte diçka. Pa pritur përgjigje, vazhdoi - Do ta çkul atë damar që më përzien me të, asgjë nuk më lidh mua me ballistët.
Fjalët e Gjeneralit ranë në tokë “pjellore”. Operativi i zonës mbajti shënim: “Gjenerali e mohoi Harizin, e quajti përsëri ballist”. Sekretari i Partisë, të parën punë që bëri, hapi kasafortën dhe nxorri “fletoren sekrete”. Aty shënoi jo vetëm fjalët e Gjeneralit, por edhe të tjera: “Jemi treguar të dobët, kemi zbutur luftën e klasave”. Harizi u kishte rënë përsëri në dorë organeve kompetente lokale. Si një qingj manar, ishte kthyer përsëri tek ata, ustallarët e luftës së klasave. Sekretari i Partisë, pa ia kërkuar askush, përpiloi një letër për dekanatin e fakultetit të historisë në Tiranë ku vinte në dukje se Indriti, i biri i Harizit, kishte aq shumë cene në biografi sa nuk meritonte të diplomohej. Ndërsa magazinieri, komunisti Hajrulla, në mbledhjen e kryesisë së kooperativës propozoi të rishikoheshin edhe një herë vijat e verdha të fshatit sepse bregorja ku kishte ndërtuar shtëpinë Hariz Mëma nuk përfshihej brenda hartës kadastriale. 
- Nuk thonë kot, - i tha në mbrëmje Harizi së shoqes, - kur vijnë të këqiat hapu derën. Nuk kam hallin e shtëpisë, as të djalit në Tiranë se ai po e merr diplomën, po çfarë t’u bëj këtyre të tjerëve? Edhe këta mësojnë, moj grua, po kështu si e kanë nisur shokët e Partisë me mua, do na mbeten fëmijët tërë jetën shërbëtorë. Vetëm shkolla të shpëton sot nga kazmaja.
- Mos u mërzit o burrë! Ka zoti, ka edhe për ne, kushedi se çfarë erë e re do fryjë.
- Ta them unë, me këtë erë që fryn, mut do të bjerë, - pëshpëriti më shumë me vete sa sa iu drejtua së shoqes. Gjumi i ishte arratisur kushedi për ku. Si do të dilte nga kjo gjendje? E kishin rrethuar nga të gjitha anët. Ka një shteg për të dalë, mendoi, por cili është ai? Ec e gjeje.

***
Operativi i zonës, i cili quhej Myrto, dedektivi, siç i thonë amerikanët, përgjigjej ose më mirë mbulonte shtatë fshatrat e krahinës. Gjithnjë, ose pantallonat qillota, ose xhaketën, i mbante prej uniformës ushtarake të prodhimit rus. Vinte nga radhët e ish-luftëtarëve partizanë. Kishte mbaruar një shkollë sigurimi për dy vjet dhe ishte emëruar operativ pikërisht në krahinën e tij ku thuhej se kishte armiq të rrezikshëm të pushtetit popullor. Në listë, midis të tjerëve, ai kishte ndeshur edhe emrin e Harizit. Asnjë informacion nuk i kishte ardhur se ai fliste kundër pushtetit popullor. Çudi, pse e kishin futur në radhët e armiqve? Ishin bërë disa verifikime nëse ai kishte qenë vërtet ballist dhe dilte se shumica e informatorëve jepnin pergjigjen jo. Nga ana tjetër nuk shpjegohej ndryshe ai afrim dhe besim që kishin armiqtë e klasës ndaj tij. Ishin bërë disa përpjekje që informatorët të dëgjonin në errësirë se çfarë bisedohej në odanë e Harizit, po pa sukses. Shtëpia ishte e zbuluar nga të katër anët. Nuk kishte shkurre apo driza ku mund të fshiheshe a maskoheshe. Harizi bënte kujdes ta mbante kodrën të qëruar, si një vezë klloqkë. Madje njeri prej informatorëve desh vdiq sepse i ngeci koka në vrimën e oxhakut duke dashur të dëgjojë prej andej se çfarë flitej në odanë e burrave. Me njëmijë mundime e nxorri kokën duke i mbetur aty një goxha blanjë prej lëkurës së tij. Medet, sikur të kishin ndezur zjarrin në vatër, do ta kishte mbytur tymi! 
“Si mund të hidhej në dorë ky Harizi?”, vriste mendjen operativi Myrto dhe kujtonte çfarë u kishin mësuar çekistët rusë në shkollë. Momentalisht duhej të gjendej në një situatë të vështirë: djali nuk do të specializohej në Gjermani për shkak të letrës së sekretarit, problemi i truallit po diskutohej në kryesi dhe ai duhet ta kishte mësuar këtë. Gjenerali e kishte ksebërë kur erdhi në përvjetorin e batalionit partizan, djali i dytë ishte kandidat për shkollën e lartë... “Mos qofsha në vend të tij” mendoi operativi duke ditur këto hollësira. Ishte momenti për të negociuar me Harizin. Do të ishte sukses sikur ta rekrutonin për bashkëpunëtor sigurimi. I duhej një ndërlidhës i zgjuar dhe i besuar për Kurveleshin, një njeri që armiqtë e klasës të kishin besim dhe t’i hapeshin. Ai ishte më i përshtatshmi.
Qëkurse operativi Myrto, kur e ndeshi në klub, i tha se duhet të takohshin për një problem serioz, Harizit mendja i fluturoi tek i biri, por nuk qenkish ashtu. 
Ishte mesnatë. Fëmijët kishin rënë për gjumë. Trokiti dera e jashtme…Vetëm tri herë. Harizi nuk ishte i sigurtë, i bënë veshët apo ishte vërtetë trokitje. Priti… Trokitja u përsërit. “Kush dreqin është në këtë orë të vonë? Ndoshta u ka humbur ndonjë bagëti…”, mendoi. Hodhi xhaketën supeve dhe doli. Në errësirë njohu magazinierin. “Mos u merakos Hariz, diçka e vogël. Të kërkon operativ Myrtua për një problem. Të pret në zyrën e këshillit.”
- Prit sa të vishem dhe dola, - iu përgjigj. Kishte kohë të bluante ndërmend pse e kërkonte operativi. Iu kujtua Indriti. T’i kshte ndodhur gjë vallë? Eci si i mpirë pas gjurmëve të magazinierit. Errësirë, tek-tuk dëgjohej ndonjë e lehur qeni.
Një dritë e zbehtë, gati në të shuar shquhej vetëm në zyrën e kryetarit të këshillit. Hynë pa trokitur. Ishte vetëm operativi. Këtë radhë kishte veshur vetëm xhaketën ushtarake.
- Shoku Myrto, ç’është kjo axhele në mes të natës, për mirë apo për keq? - e pyeti sa hodhi hapin e parë brenda zyrës së këshillit.
- Për mirë shoku Hariz, - u përgjigj ai dhe nga zgavra e gojës i shkëlqeu një dhëmb floriri.
- Nejse, vdekja për burrat është, ma thuaj, - i tha Harizi me shaka dhe nxori nga xhepi kutinë e bardhë të duhanit. Qeshi nën buzë: operativi e thirri shoku Hariz.
- Ti magazinier e kreve detyrën tënde, mund të shkosh në shtëpi, - tha operativi.
- Jo, shoku Myrto, mendova mos je pa ngrënë dhe shkojmë nga shtëpia ime, aty e bëni muhabetin rehat. Ti e di, unë nuk kam as sy e as veshë, - i tha në konfidencë duke e parë me ca sy lutës si të qenit zagar. Operativi nuk iu përgjigj, por prej tij largoi vështrimin me neveri. Magazinieri priti dhe pak, ashtu me përulësi, pastaj rrëshqiti si hije. Humbi në barkun e errësirës së natës.
- Vëlla, unë jam bir i këtyre anëve dhe dua ta shpëtoj familjen tënde, - ia nisi Myrtua me një zë të ëmbël e miklus. Harizi vrejti vetullat. Ndjeu se po i ngrihej një kurth dhe ia priti:
- Unë nuk i kam kërkuar askujt ndihmë dhe nuk kam frikë nga asgjë sepse e di që nuk i kam rënë njeriut më qafë, veç ca pak të mirave që kam bërë, aty ku kam patur mundësi.
- Jo, jo, Partia të ka studiuar Hariz me muaj e vite të tërë dhe di gjithçka për ty, ne të bëjmë thirrje të vish me ne.
- Po unë me ju jam.
- Duam të na vish në ndihmë. Unë të kam propozuar pranë vetes.
- Si, të vishem polic?
- Jo, më shumë akoma, do të jesh i infiltruar në radhët e armiqve. Ata të duan e të respektojnë, kanë besim tek ti. Janë ata që kanë ardhur me qarkullim nga Tirana si dhe të internuarit. Ne kemi agjentë midis tyre, por e kemi vështirë t’i takojmë. Ata duhet të raportojnë tek ti. Kështu nuk largohen as nga shtëpia e as nga rrethi i tyre shoqëror. Nuk bien në sy, nuk zbulohen, më kupton? Shkon ti midis tyre dhe mbledh informacionin të cilin duhet të ma përcjellësh mua. Ti e ke shtëpinë të veçuar nga fshati dhe e kemi lehtë të të takojmë.
- Faleminderit për besimin. Kjo është një punë që nuk mund ta bëj. Mua, burrë me mustaqe, nuk më shkon ky zanat të ha njerëzit në të pabesë.
- Or mik, më dëgjo çfarë them. Ti nuk do të zbulohesh kurrë, ti thjesht do të jesh një ndërlidhës. Kjo është për të mirën e atdheut.
- Gjeni një tjetër, jo mua. Më thuaj t’i përmbys këto zyrat e unë për gjithë natën i kthej në gërmadha, por jo të bëj spiunllëqe, jo të ha njerëzit në të pabesë e prapa krahëve.
- Ti Hariz mendon se ai djali yt i madh që shkoi në shkollë të lartë u miratua pa na pyetur ne? Ti mendon se ne nuk e dimë që ke ngrënë darkë në shtëpinë e armikut të popullit, komandantit të qarkorit të ballit? Jo, i dimë të gjitha.
- Ju dini ato që ju leverdisin, por ju nuk dini se unë kam shkuar atë natë për të shpëtuar një partizan që kishin kapur ballistët. M’u lut im kushëri, Gjenerali, ai që mua më thotë sot ballist. Shpëtova jetën e një njeriut që të nesërmen mund të ishte pushkatuar. Dhe do ta kishte asgjësuar me siguri roja që e ruante sepse partizanët atij i kishin pushkatuar të vëllanë. Nuk jam i penduar. Po, edhe darkën e kam ngrënë, ama partizanin e shpëtova. Kurrë nuk e kam thënë këtë, por dije, më dokëndise operativ me atë fjalën ballist. Në cilën kompani, brigadë apo batalion ballistësh kam qenë dhe kë kam pasur në krah? Këto i shpikni ju që të më frikësoni, të më mbani nën presion. Nuk ua kalon njeri për djallëzira. Nuk i ha Harizi këto.
- Si mund t’i vërtetosh këto që thua?
- Atë natë aty ka qenë adjutant i Esatit, ky kryetari që i ke marrë zyrën sonte. Qysh atëherë ka qenë spiuni juaj. I shpëtuat kokën duke e tërhequr shpejt. Thirre po deshe në sytë e mi dhe pyete.
U bë heshtje, asnjeri nuk merrte guximin të fliste. Operativit i kishte dalë përpara një fakt i ri, i paparashkikuar, duhet ta verifikonte. Mendoi se Harizi ishte i pathyeshëm, me karakter të fortë. Duhej menduar diçka tjetër, ndoshta e drejta e studimit për djalin e dytë. Ishte e kotë të vazhdonin më tej duke e lutur. Duhej ndjekur strategji tjetër. I dha karar se kjo punë duhej menduar mirë.
- Dakord Hariz, mendohu, unë këtu jam, po ndërrove mendje, më lajmëro dhe kujdes, çfarë thamë këtu mos i bisedo me njeri tjetër. E kotë të të kujtoj ligjet për të tilla raste.
U ndanë pa i dhënë dorën njëri-tjetrit. Edhe ata i përpiu errësira. Ndoshta operativi e la vrapin në shtëpinë e kryetarit të këshillit.

***
Hariz Mëma, në shtëpinë e vet në kodër, hyri si një hije. Edhe kur hapi derën, edhe kur ra në shtrat, e shoqja nuk e ndjeu. U shtri, por gjumi i ishte arratisur nga sytë. Mijëra mendime i rrotulloheshin mbi krye, i përziheshin, i ngatërroheshin, i përlesheshin me njëra-tjetrën… “U armiqësova më shumë se ç’duhet me ta, nuk do të ma harrojnë, do hakmerren… Do më marrin në qafë fëmijët. Dhe kur, tani që kam për shkollë djalin e dytë. Nuk më kishte shkuar ndërmend se do të kërkonin të më bënin spiun. Po edhe midis të persekutuarve këta paskan futur agjentë. Dreq, sa të djallëzuar qenkan. Cilët të jenë ata? Me siguri edhe për mua kanë raportuar. Kushedi ku mund të më ketë shkarë goja, megjithëse unë nuk merrem me politikë. Kam sharë persona të veçantë, por emrat kanë qenë këtu poshtë, nuk jam marrë me ata të Tiranës. Do të kisha qejf t’i dija cilët janë këta qerratarë që spiunojnë shokët e miqtë e tyre? Shiko si i mbron shteti, ata nuk duhen të takohen me operativin, po me një të tretë. Nuk duhet të zbulohen, apo dekonspirohen, siç tha ai. Dhe ai i tretë, nyja, duhet të jem unë. Sikur t’ia kisha marrë përsipër sa për të njohur këta faqezinj. Por jo, kur futesh aty nuk del më kurrë… U përgjigja ashpër, nuk duhet ta armiqësoj operativin, duhet të fitoj kohë, duhet të kalojë kjo verë, në gusht dalin të drejtat e studimit… Halli i fëmijëve, si do më vejë fati i tyre? Eh, fëmija, ta fut kokën në hale...”
Nga ana tjetër, operaivi Myrto takoi kryetarin e këshillit dhe e pyeti për darkën me Komandantin e Ballit. Vërtetë e kishte shpëtuar Harizi një partizan nga Dunavati?
- Shumë e vërtetë shoku operativ, e kam dëgjuar me veshët e mi. E shpëtoi, iu lut e iu stërlut Esatit. E gënjeu, i tha se e kishte djalin e mikut. Këtë fakt ia pohova edhe unë. Emri i Gjeneralit atë natë nuk ka dalë fare në bisedë, - tha bashkëpunëtori i vjetër i sigurimit duke shtuar nga xhepi edhe atë “Këtë fakt ia pohova dhe unë”.
- Po pse nuk na ke raportuar? Ti je informator i sprovuar dhe i di këto punë. Po ta kishe treguar edhe këtë bisedë, mua nuk do më vije aq shumë në siklet sonte. Nejse…
- Nuk e vlerësova, shoku operativ.
- U morëm vesh. Në mbledhjen e kryesisë do të ngresh edhe një herë atë problemin e vijave të verdha të fshatit. U kuptuam besoj. Qartë?
- Si urdhëron, shoku operativ.
Myrtos iu desh të kontrollonte përsëri dosjet e vjetra dhe raportimet e bashkëpunëtorëve që kishin përmendur emrin e Harizit. Ja ku gjeti një: “Ne jemi fshat pa të ardhura, sikur ta shtyjmë edhe ca kolektivizimin. Sikur nuk kemi kushte tani për tani” dhe tjetra: “Marksistët kanë folur për kolektivizimin, por ata nuk i kanë ditur kushtet e fshatit tonë”. Myrtua buzëqeshi. E kuptoi ironinë e kësaj fraze, por nuk mund të kapej aty. Ajo kishte dy kuptime. Sidoqoftë, për të bërë presion ishte e vlefshme. Pas disa ditësh e thirri përsëri, po në të njëjtin vend dhe në të njëjtën orë.
- Besoj je menduar, shoku Hariz. Po të lajmëroj, në se po të na ndihmosh, jo vetëm djalin tjetër, por edhe vajzat do t’i bësh me shkollë. Sigurisht edhe Indriti do të mbetet në Tiranë. Ja, unë kam një deklaratë tënden këtu si je tallur me marksistët tek shtëpia e dajove të tu në fshatin afër. Për çudi ti në atë fshat ke shumë deklarata të tjera armiqësore.
- Gjëpura, shpifje. Bjeri drejt, unë të kuptoj, ti këtë detyrë ke. Herë përdor kulaçin e herë kërbaçin. Ama unë e di se kjo është një punë delikate, me spec. Ty të duhet një njeri i besuar, por si karakter mua nuk më shkon fare. Po me që përmende fëmijët, ja e zëmë sikur pranova, po me një kusht: Ta bëjmë me provë, po e bëra, e bëra, ndryshe tërhiqem, - iu përgjigj ai me një ton ndryshe nga i pari. Dukej sikur ishte thyer. Realisht po përpiqej të fitonte kohë. Duheshin edhe dy muaj sa të dilnin të drejtat e studimit për shkollat e larta.
- Nuk ka prova me punën tonë.
- Si nuk ka, ky zanat është si të të jepet. Ti ke bërë shkollë për këtë detyrë, po unë? Një copë fshatar jam.
- Ti Hariz je një kodosh e bir kodoshi. Ty nuk të kap njeri as me gjethe fiku. Gjenerali në festën e batalionit partizan të quajti ballist dhe unë ta hoqa këtë njollë, këtë llagap. Ku e si, do ta marrësh vesh ndonjë ditë. Nuk ma di për nder, tani më kërkon mua qiqra në hell.
- Mendoj se unë duhet të jem i bindur, i ndërgjegjshëm për çfarë do të bëj, kështu na mëson Partia. Kjo punë nuk është hajt të presim një rrënjë dardhe në fund të kopshtit, - vazhdoi Harizi në të tijën. - unë nuk e kam zakon të fshihem, të vë thesin në kokë e të hiqem ai që nuk jam. Ama dije se nuk jam armik i Partisë dhe i Pushtetit Popullor. Nuk jam aty ku duan të më futin spiunët e tu. E di, ata më duan si veten e tyre, o spiun, ose armik, por ja që ka edhe si puna ime. Çfarë faj kanë fëmijët e mi ta pësojnë nga këto lloj lodrash? Pse duhet t’i armiqësoni ata me zor? Në mësuan, hallall ta kenë shkollën.
- Dëgjo Hariz, - tha operativi duke ulur tonin e duke ndërruar taktikë - mua më pëlqen burrëria jote dhe unë kështu i dua bashkëpunëtorët e mi. Si ta justifikoj unë “provën” që do ti kur ajo është kundër rregulloreve? Ja ta zemë se do të bëj një tolerim, të të marr në provë. Jam i bindur se ke për ta kaluar. Me që nuk do të ballafaqohesh me agjentët që kemi këtu në fshat, do të caktoj një detyrë delikate, por që mua më ndreq shumë punë. Fshatrat që unë mbuloj janë të përhapura. Armiku i klasës ka shtuar veprimtarinë dhe mua më duhet informacion i shpejtë, gojor, pa letra. Ti je i zgjuar, mban mend. Ne kemi rekrutuar ajkën e njerëzve të mençur, budallenjtë na prishin punë. Ti nuk do të kesh të bësh me popullin, por posaçërisht me informatorët e rëndësishëm. Ama kjo punë bëhet vetëm natën. Do ta fillosh me fshatin e dajove të tu. Unë do të jap vendin dhe orën ku do takohesh si dhe parrullën. Rri në pritje, pas katër javësh takohemi. Asgjë nuk duhet të kesh me shkrim, gjithçka me gojë. Komunikimi vetëm me mua. Ato që dëgjove këtu, mbeten këtu. Qartë?
- E po paskam kohë të mendohem edhe për ca javë, - u përgjigj Harizi.
Ndërkohë, bëri shpejt e shpejt edhe njëherë llogaritë, duhej fituar kohë: brenda atij muaji do të studioheshin të drejtat për shkollën e lartë. Duke i mbajtur me shpresë këta të sigurimit, mendoi se djalit të dytë nuk do t’i bëheshin pengesë, por edhe Indritin, të madhin, nuk kishin për ta ngacmuar sa të mbyllej kjo mesele. Çelësi qënkej ky operativ, dora e fshehtë qënkej sigurimi, kuzhina ku gatuhej çorba e hidhur. Pastaj i shkoi mendja në fshatin e dajove të tij. Kush është ky lugat që po bën kërdinë duke futur njerëz në burgje për një fjalë, për një kalli misri? Kush është ky, si mund ta njihte? Ishte gati të paguante, vetëm ta dinte se kush ishte, të dinte si të mbrohej, si të ruhej prej tij, si të shpëtonte familjen.
Pa lajthitur asnjë ditë, u bë takimi me operativin e sigurimit. Personi që do të takohej e kishte pseudonimin “Bucjeli”. Do të takohej me të afër mëngjesit në një stan të braktisur. Operativi i mësoi parrullën:
- Më kanë humbur dy dele, mos t’i ka zënë syri gjëkundi? - do të thoshte Harizi me pseudonimin “Shtogu”.
- Dëgjova një blegërimë andej nga Koshtrat, por nuk di kanë qenë të tuat apo të dikujt tjetër, - do të përgjigjej “Bucjeli”.
Harizi qeshi me zë, por operativit nuk i pëlqeu ajo përqeshje ironike dhe e vështroi drejt e në sy, kështu u detyrua të jepte sqarime: 
- Po qesh sepse nga ballist më bëre nga më të besuarit e Partisë, o shoku operativ. Dhe më pagëzove me emër të fshehtë si në kohën e luftës. Shtogu.
- Me pseudonime, thuaj, por vërtetë ne jemi në kohë paqe, por sigurimi për ditë është në luftë. Atëherë armiku ishte përballë dhe tani ne nuk e shohim. Ai na lufton fshehtas. Duhet ta gjejmë dhe ta asgjësojmë përpara se sa të na godasë neve. Ky është misioni ynë. A kupton se çfarë detyre të madhe po të ngarkojmë?
- E kuptoj, e kuptoj…, - tha Harizi duke tundur kryet, ama mendoi ndryshe: Si zagar gjuetie duan të më përdorin.
*** 
Ishte një nga ato netët e bukura të fillim qershorit kur gjelbërimi ka pushtuar hapësirat pa kufi, kodrat, pllajat, faqet e përrenjve dhe luginat. Si njerëzit ashtu edhe kafshët janë të kënaqura me bollëkun e nënës natyrë. Jugu i Shqipërisë është një vend që e ka dheun me pakicë, por ama gurët gëlqerorë i ndesh në çdo hap. Gjatë dimrit dheu struket e mbështillet pas gurëve, por kur vjen pranvera farëzat e barit shpërthejnë nga toka e shkrifët duke maskuar gurët. Gjelbërimi ngrihet lart, i mund gurët. E kështu i gjithë mali jeshilon. 
Harizi ecte me kujdes drej stanit të braktisur. Drita e hënës i ndriçonte rrugën dhe ai bënte përpara si i dehur nga aromat e luleve të egra dhe çajit të malit. Nuk kishte vënë gjumë në sy. Cili ishte ai njeri që bënte gjëmën në fshatin e dajove? E pa vendin me kujdes. Kishte vetëm dy rrugë, njëra që vinte nga fshati dhe tjetra që zbriste në lerë ku pinin ujë kopetë e deleve. Me siguri që “Bucjeli”, informatori i regjur, do vinte nga rruga e fshatit. Harizi zuri pritë nja treqind hapa larg stanit të braktisur. Hapi vend në një shkurre, u maskua brenda një xhufke fieri të njomë dhe priti. Duheshin edhe pesëmbëdhjetë minuta të shkonte ora e takimit, kur ja, dikush po ngjitej nga rruga e fshatit. Kush të ishte vallë? Silueta u afrua dhe Harizi mbajti frymën. Kur erdhi afër tij, njeriu ndali hapat dhe shikoi rrotull. Nuhaste sikur të ishte një qen kufiri. Të ishte ky informatori? Ai eci kundruall dritës së hënës dhe tani fytyra i dukej qartë. Ishte Bejtullahu, me nofulla të dala, shpatullgjerë dhe flokët si tel bakri. Harizit kurrë nuk ia kishte prerë mendja se ai ishte spiuni. Kur vinte në dasma ai fliste pak, pinte me terezi dhe aty nga fundi i dollive, kur gjindja bëhej çakërrqejf dhe mund të shanin Partinë e Pushtetin, ai mbyllte sytë përgjysëm dhe bëhej gati i padukshëm. Thuajse as frymë nuk merrte. Nuk kishte nevojë që njerëzit t’i shihte në sy, i njihte një më një nga zëri. “Ja prej cilit duhet të kem kujdes, ja prej cilit duhet të mbroj fëmijët e mi. Ky është i rrezikshëm, nuk i shkon mendja njeriut se çfarë punon ky nën dhé, ky njeri i llagëmeve” mendoi Harizi dhe u struk edhe më shumë në gëmushë.
Informatori shkoi ngadalë tek stani i braktisur, zgjodhi një gur për t’u ulur, ndezi një cigare dhe rrotulloi kryet nga të gjithë anët duke nuhatur në ajër. Priti 20 minuta, tridhjetë, një orë, pastaj erdhi vërdallë duke shqyrtuar çdo zhurmë. U afrua edhe tek gëmusha. Po sikur ta diktote Harizin? Atëherë duhet t’i thoshte parrullën e do të zbulohej edhe ai vetë. Ishte fat që informatori e kaloi gëmushën pa dyshuar se aty mund të fshihej një njeri. Ndoshta ia bëri me hile edhe hëna që në atë çast u fsheh pas majës së kodrës. “Bucjeli” priti një orë, pastaj u largua në drejtim të fshatit, ndërsa Harizi mori drejtim të kundërt.
Ishte një natë e lodhshme. Harizi u kthye në fshat afër drekës. Në pamje dukej i mërzitur, por brenda kraharorit, ndjente gëzim. Kujtoi një thënie: “Të dish se si ta luftosh armikun, duhet ta njohësh mirë atë”. Ky hap i guximshëm që bëri kishte edhe anët e tij të errëta. Përpara e priste raportimi tek operativi.
- Hë, na thuaj si t’u duk shërbimi yt i parë? - e pyeti oficer Myrtua me një nënqeshje djallëzore.
- Lëre, humba rrugën, shkova me vonesë në takim dhe ndofta informatori ka pritur, është mërzitur e pastaj ka ikur.
- Tallesh ti apo thua të vërtetën? Saktësisht në cilën orë shkove? 
- Në katër të mëngjesit, një orë e gjysëm me vonesë.
- Do ta verifikoj, - i tha operativi i pezmatuar.
- Shoku Myrto, kjo ishte për të provuar unë veten time dhe më në fund e kuptova që nuk jam për këtë zanat edhe sikur të ma shtroni me flori. Më jepni kohë të mendohem edhe ca.
- Prova nuk ka më. Nuk del aq lehtë nga çarku im, Hariz, je ti i zgjuar, por jam edhe unë. Pse çfarë mendove ti, do merrje informata të sakta? Jo, ato ishin të gjitha të rreme. Unë e kisha porositur “Bucjelin” çfarë do të thoshte ty. Ishe në provë. Dhe unë jam me fat që ti nuk e takove informatorin, sepse do të na e kishe zbuluar. Ky quhet kompromentim, kjo qe e keqja e kësaj meseleje. Unë nuk duhet ta kisha pranuar kushtin tënd për provën. Ndryshe do kishim të tjera hesape së bashku. Po ta kishe takuar, sot do të firmosje se s’bën një deklaratë sekrete që do të ndiqte për tërë jetën. Dashur pa dashur do të regjistroheshe si bashkëpunëtor. Ndryshe duhet të pushohesha unë nga puna. Iku kjo. Po të pres edhe një muaj, ama vuri mirë gishtin kokës dhe bëji të fala Gjeneralit.

*** 
Katër javë kaluan shpejt. Akoma nuk kishin dalë të drejtat e studimit. Harizi mendoi se sigurimin duhet ta mbante akoma me shpresa. Po sikur ta shtynte edhe ca takimin me operativin? I shkoi diçka tjetër në mendje… 
Të nesërmen e shtruan urgjent në spital. Turp ta themi, por i ishin enjtur testikujt dhe mjekët nuk dinin si ta përcaktonin diagnozën. Ishte diçka e panjohur për ta. Do ta mbanin ca ditë nën kontroll. E shoqja u trondit nga çfarë i kishte ndodhur. Harizi ecte me shalë hapur. Kur ajo e pa ashtu, ia nisi vajit.
- Bejka ime e bardhë, qasu afër të të them. Kam bërë një marifet, nuk ka asnjë rrezik. Më duhen dy javë kohë sa të dalë e drejta e studimit të djalit, - i tha ai me zë të ëmbël e përkëdhelës.
- Korba unë, çfarë lidhje ka kjo gjëmë që na ka gjetur me shkollën e djalit?
- Ka, kaaa. Këtë marifet e kam mësuar nga ushtarët italianë kur nuk donin të shkonin në luftë, ato veglat i lyenin me kulpër të egër, të njomë dhe bëheshin ja kështu si unë….
- Pupuu, ç’të punon kështu mendja, mor ditëzi…
Pas dy javësh doli vetë nga spitali, me këmbë të tij, zbriti nga koriera dhe ecte ngadalë drejt bregores ku ngrihej shtëpia. Qeshte së brendëshmi me atë çfarë i kishte ndodhur. Sa më shumë që afrohej dhe aq më shumë zëra të gëzuar dëgjoheshin që larg, ashtu siç kishte ndodhur me Indritin. Djalit të dytë i kishte dalë e drejta e studimit për shkollën e lartë. Sihariqi kishte mbërritur përpara se ta mësonte ai vetë. 
Të nesërmen do të shkonte në takim me operativin. Do ta mbyllte përgjithmonë atë meselenë e propozimit për informator sigurimi. U zgjat ca si shumë kjo histori, mendoi. Operativin e mbajti varur për aq kohë sa ju desh të zgjidhte problemin e shkollës së djalit të dytë. Dhe nuk bëri keq, nuk kishte rrugë tjetër, ishte i rrethuar, i kishin ngritur çark. Ah, iu kujtua “Bucjeli”, me të do të qëronte ca hesape të vjetra, po ku t’i vinte siraja edhe atij.

Fund
Shënim: Bazuar sipas rrëfimit të mikut tim Dilaver Lazaj, Sarandë.

Tagged under Avdulla Kënaçi