Krijimtari

Përqeshja e gjetheve - Nga Vangjush Ziko

Vjeshta

rrëzon kurorët e pemëve.

Ec

dhe shkel

diamantët e gjetheve

si Leka i madh

në tokën e persëve

kurorët e arta të mbretërve.

Bien përdhe

fuqia,

lavdia.

As bukuria

nuk është e përjetshme.

Rënkojnë gjethet

nën këmbët e mia

me gjuhën e tyre

të zverdhur,

të vdekshme.

Dhe unë i vdekshmi

aspak i përjetshmi

e ndiej se si gjethet nga pas

më përqeshin.