Po ti, kush je ti? - Tregim nga Faruk Myrtaj
Njeriu që më prezantoi vendin e punës ma la në dorë tufën e çelsave dhe unë mbeta aty, në hollin e pallatit ku do të shërbeja.
“Këtu banoni?” dëgjova të më pyeste dikush.
“Po, jam superintendenti i ri.”
“Keni grua?”
“Po, kam...”
“Bëji të fala prej meje...”
Cecilia Tilbeth, do t’ja mësoja emrin më pas- u bë e para prej banorëve të pallatit që më dha të njohur. Pastaj arritën të tjera “hello”, “congratulations”, në koridoret, në shkallët, te parkingu, kudo. I harroja, në çast. Sa herë ngjitesha apo zbrisja për diku, në katet a për nga apartamenti im në katin e parë, duhej të kaloja te holli. Aty perballesha me zonjën Tilbeth. Në karrocën me rrota, me vështrimin nga rruga, sikur priste dikë, por mua më ndjente në çast. Dhe s’vononte të pyeste.
“Edhe ju, këtu banoni?”
“Po, jam superintendenti, jua thashë, zonjë...”
“Jeni i martuar?”
“Po. Kemi edhe fëmijë.”
“Gruaja...”
“Po...ia përcolla të falat e djeshme...”
“Jeni bashkë?”
“Akoma...”, shtova, që së paku përgjigjet të mos ishin njëlloj.
“Bëji të fala prej meje...”
S’kisha shkak t’ja merrja kureshtjen për të keq, por as pse të vazhdoja bisedën, në mund të quhej e tillë. Më mirë të shikoja punën. Këtë zonjë, si tërë banorët, do ta njihja me kohë. E çfarë se vonoja përgjigjen e së njëjtës pyetje? Mbase s’dëgjonte mirë, kisha folur zë ulët, ose verifikonte njëjtësinë e përgjigjeve të mia.
Një ditë, gjithnjë te holli, e pashë në lotë. Pa ma kërkuar kush, nxitova t’i thosha se nënën time e kisha larg. Diçka më pengoi t’ja thosha aty, ia thashë ditë tjetër, se do ta kisha si nënën këtu.
“Ku është nëna juaj?”, më pyeti.
M’u desh t’i tregoj diçka. Për nënën, njerëzit në vendlindje dhe duke i ikur e kujtova sa herë të duhem, më telefono, zonja Tilbeth, okay?!
“Kush je ti? Këtu banon?” mu kthye ajo, duke mvrejtur vetullat.
“Jam superintendenti...Më pyetët dje. Edhe pardje...edhe sot...”
U ndjeva keq. Që më pyeti? U bezdisa prej mënyrës se si?
“Por ti i the se do të ishte nëne e këtushme, iu mërzite për kaq?!”
Një ditë tjetër, sërish në karriken me rrota, me sytë njomur. Njeriut i ndodh edhe të qajë, të moshuarit qajnë dendur. Dihet se lëndojnë, lotët e të vetmuarve në moshë të vonë...
“Prisni dikë?”, e pyeta.
“Taksia duhej të kishte ardhur...”
“Po dal të shoh...”
Taksisti priste jashtë. U ktheva.
“Po, ka ardhur...”, i thashë.
“Kush ka ardhur? Ku do më çojë ai...?”
E dëgjova qartë, ia pashë dridhmën e buzëve. Me siguri ajo vetë, o gruaja që i shërbente, e kishte thirrur taksinë, por mund të ishte bezdi moshe, për të mos dalë jashtë asaj dite dimri.
“Mos do shkonit në kishë?”, e pyeta. E dija se shkonte shpesh atje. Trupi i rrënuar, gjymtyrët e lodhura, të pafuqishme të zbrisnin shkallët deri në trotuarin te taksia, mund t’i mbahej fryma e ta mbyllte jetën në rrugë, pa mbërritur mirë brenda mureve të kishës. Ishte tjetër gjë, nëse rrëzimi do të ndodhte atje: i dorëzohej ndjesisë së mbrritjes në shtëpinë e Zotit.
Qante, nën zë, ngashërente. Krejt pa shkak, nëse largësia s’ishte arsye e mjaftueshme, solla ndërmend nënën. Nënën time...
Nena ime ishte në të mira, në kujdes të plotë, në mes njerëzve, së paku njeri nga vëllezërit, o njera nga motrat ishte gjithnjë me të. Por unë, unë vetë, në këtë kohë, i isha larg. Larg Nënës isha.
Mendova, në rastin më të parë, t’i lutesha gruas që e kujdeste zonjen Tilbeth, të përpiqej, sa të mundtte ta kuptonte si nënë, ta falte, sa mundtte. Se...është e moshuar, se trupi e lodh, se dje...
“E pe në lotë?! Sa herë i duhet të paguajë, i dridhet dora e buza!”
Të nesërmen, sikur nje dite me pare të mos kish ndodhur asgjë. Zonjë e madhe në karrocë, duke bërë sehir nga rruga, “lermë o Zot të rroj”. Nuk e trazon fare idea se askush prej atyre mijëra makinave që kalojnë aty pari, s’ndalon për të.
Mbase dikur do ishte momenti ta pyesja. Për familjen. Pse ishte kjo që ishte, që dukej. S’ishte e thënë qe jetët të rrjedhin njëlloj, siç të dëshiruara. Kënaqësitë tona, këndej ku kishim ardhur, s’mateshin si jetët prej nga vinim. S'do ta pyesja për martesën, në kishte pasur të tillë, cili kish qenë Ai, në ishte ende, s’mund ta pyesja pse ajo tashmë ishte vetëm, por e pyeta për fëmijët e saj. Nëse...kishte.
“Jo, jo...Mos...”
E shoqëroi me lëvizje të dorës për-anash, rreptë. Asnjë shanc bisede. Qartazi: duhej ndërprerë. Menjëherë. Le të shihja punën, një kalim nëpër katet ia vlente.
Gjenerata e re shtronte pyetje të rrepta: përse me fëmijë, kur ne s’pëlqejmë të rrijmë me prindërit? Një vetmitar tjeter ne pallat, gruaja e të cilit kishte ndërruar jetë para tri javësh, erdhi e më pyeti nëse e kisha parë atë, Të vdekurën e Tij. Prite në shtëpi, vjen vetë ajo, i thashe. Iku kokëulur, i bindur se nuk e mashtroja. Të nesërmen më pëshpëriti se ajo...nuk i kishte ardhur, ende...
Një orë më vonë, sërish te loby ajo. Zonja Tilbeth. Mbajta hapur portën e ashensorit. Nëse donte, të zhvendosej, në karrocë.
“Kush je ti? Pse më ndihmon?”
“Superi, superintendenti jam...”
S’kish lezet të pyetesha njëlloj, pa pushim. Po teprohej me kot-së-kot’jen.
Por pse jo, thashë momentin tjetër. Ajo ka të drejtë të pyesë, njëlloj si më parë, për të marrë përgjigje tjetër. Jo atë që i dhashë dje, pardje, javën e shkuar, jo atë përgjigjen rutinë që, edhe pse s’ish e pavërtetë, edhe pse ishte pothuaj e vërtetë, diçka s’arrinte të përcillte, që të bëhej e besueshme tek ajo...
Për shkak të jetëve ndryshe, njerëzit s’guxojnë t’i thonë të gjitha. Aq më pak nëse pyeten kalimthi. Apo kur marrin përgjigje sa për mirësjellje. Mbase ndonjëherë mirësjellja është distancë, nuk është ndjesi, përkundrazi...ta vret ndjenjën.
Mbase ajo kërkonte një përgjigje më të vërtetë, më të sinqertë...
S’isha i detyruar, natyrisht. S’do t’i përgjigjesha, nëse më pyeste. Ose do t’ja ktheja me pyetje. Po ti, kush je ti, zonjë? Ç’te hyn ty në llogari cili jam une?!
Ç’pate që kërceve kështu, iu ktheva sërish vetes. Pyetje, si të zonjës Tilbeth, janë në modë, s’detyrojnë doemos përgjigje, nuk kërkojnë informacion. S’presin përgjigjen që duket sikur kërkojnë. Pyetje për diçka që nuk u intereson. Njelloj siç ndjekim me sy një zog qe fluturon diku sipër nesh; mendojmë e flasim për fluturimin e tij, por jo nga vjen ai, ku shkon, kush e pret atë zog...
Pyetja “Kush je ti”, merr pa e kuptuar një si ngarkesë filozofike. Duke pyetur shkohet për te dija! Më së paku, zonja Tilbeth duke pyetur provon që është. Gjallë.
Problemi im qëndron gjetkë: tek unë.
Nëse dikush tjetër do të më pyeste: Kush je ti, s’do ta kisha të lehtë. Që t’i rrëfeja të vërtetën, duhej të thosha së pari se s’jam ai që kam qenë. As di kush jam, tashmë...
Jam i mërguar diku, për jetë tjetër, ku pa fjalë këshillohem të harroj cili kam qenë. Por kjo harresë s’qenka aq punë e lehtë. S’mund ta kalosh me përgjigje të kollajshme. Ajo që lëmë qenka për tu harruar, por mbijetoka brenda nesh, teksa provojmë të jetojmë ndryshe tjetërkund. Ku, kurrkush s’na pyet për të shkuarën. Nuk e shuajmë memorien e andejshme. Këtu, ku jemi, përpiqemi të bëhemi ç’na kërkohet. Me dhëmbë e thonjë rrekemi për nga ndryshimi, që na përshfaqet si rrethanë lehtësuese. Në ngut, në mëdyshje, në ikje prej vetes, në dëshirë - jo gjithnjë të suksesshëm, të trishtë sa pak arrijmë të përshtatemi, pershtatje që ndryshon me shpejtësi të llahtarshme, pa lënë kohë të kërkojmë ndjesë se mbetemi pas...
Lëkundshëm të paplotësuar, në rrekje iluzive, edhe në përgjigjen për pyetjen elementare “kush je ti”. S’gënjejmë, por s’e themi të vërtetën. Japim përgjigje të ndryshme, asnjera prej të cilave nuk na lehtëson shterueshëm. Në vend të rrëfejmë, ofrojmë çfarë tjetri dëshiron si përgjigje. Në ngut, humor momental, sipas statusit, o maskës së atij që na pyet...
Nëse do t’i përgjigjesha zonjës Tilbeth, nëse ajo vërtetë donte të dinte cili isha, do duhej t’i thoja se në punën e pranuar isha i përkushtuar, por dëshirën e kisha tjetër. Jam këtu, nga që s’jam atje ku kam qenë. Ngaqë këtu nuk funksionoj si ai që isha kur u vura në udhë, kam drojtje se s’kam për tu bërë dot ai që pritet prej meje, edhe pse sigurisht s’do mbetem ai që kam qenë në nisjen prej tjetërkundit. Por, kthim pas s’ka. Vendi i nisjes dhe ai për ku nxitojmë ndryshojnë, pa pushim.
Na duhet të mbetemi tek vetja...Të rritemi brenda saj. Të pyesim dhe të përgjigjemi aty.
Çfarë pres e kërkoj, s’mund t’ja them zonjës Tilbeth. Ajo s’ishte unë, as e familjes, edhe pse provoja ta shihja si nënën time. Tek e fundja, s’mund të ishte si ajo. Nënën e doja si Zotin në tokë, e nderoja pa asnjë kusht, isha gati të bëj gjithçka, të përmbushja secilën prej dëshirave të saj. E megjithatë kisha ikur prej saj. Ma uroi “udhën e mbarë” por, në thellësi dyshoj pangushëllueshëm se kurrë s’e ka urtuar dot dëshirën për të mos më pasur në sy...
Edhe sikur t’i thosha zonjës Tilbeth se, edhe unë, ndjehesha po aq i vetmuar sa ajo, se vetmuar i shihja të gjithë, kudo, përderisa kisha lënë nënën larg, pra që njeriu braktis edhe kur s’braktiset, fiton edhe duke humbur, rron edhe duke vdekur. Në këtë botë, ka njerëz që mbajnë mend gjëra që kanë dashur t’i harrojnë, të tjerë regjistrojnë gjer edhe jetët e të tjerëve, madje më hollësisht se të vetat. Por, ardhka një kohë, një ditë ardhka, kur s'mbajmë mend për ku jemi nisur, ç’donim të bënim, s’dimë ku jemi, çfarë presim dhe se si përgjigjemi kur pyetemi...
Karroca hyri në ashensor, shtypa butonin për katin e saj fill pasi ajo, zonja Tilbeth, më falenderoi thjesht si një i atyshëm, serish pa më njohur, teksa në momentin e fundit, si e dalë prej dheut, u shfaq aty gruaja që e kujdeste dhe...atëherë ashensori lëvizi.
Ndjeva nevojë të marr frymë me zor, me gulçe, u drejtova për nga apartamenti im. Pas dere u ndje macja. Ia përgjoj tashmë, gëzueshëm, gërvishtjen përkëdhelëse. Jam njera nga dy qeniet që ajo pret. Hyj dhe përkulem për të, ma nuhat dorën, ulem në një stol, marrë krehërin dhe Sky, kështu quhet macja, bëhet petë, nën krehërin që ia urtoj në lëkurë...
Mbase e lë të habitur, që ngrihem shpejtazi, si në alarm, marr ashensorin, për në katin Tilbeth, në koridor dëgjoj zërat e të dy grave. Flasin njëherësh, me të lartë. Zërin e gruas që i shërben do ta doja paksa më të urtë, më të ëmbëlt. Trokas. Hyj.
“Jam superi...”, them. Pa pritur të më pyesë zonja Tilbeth.
“Pse ke ardhur?”, pyet ajo.
“Ke premtuar të martohesh me mua...”
“Kam premtuar...unë?!”
“Kur ke qenë vajzë e re, po aq e bukur sa tani...”
“Pse, më njeh mua ti?”
“Prej vitesh, kur kaloje në rrugë, i mbanim sytë tek ti...”
Sytë e zonjës Tilbeth marrin dritë. Buzët qeshin.
“Kush je ti? Pse je këtu?”
“Për të marrë paratë që ke këtu!”
“Paratë që kam këtu?! “
“Po, një milion dollarët që i ke fshehur nën jastëk...”
“Një milion unë?! Ha ha ha! “
Lëshohet e tëra në një të qeshur që ia bën krejt-e-krejt retushin. Lotët sërish ia njomin sytë, për t’i dhënë dritë edhe atje.
“Për këtë erdha...”, i thashë.
“Përse erdhe, the?!”
“Të të shihja kështu, të qeshur, zonjë...”
Tërhoqa derën dhe dola në koridor. Më priste macja.