“Kontrata” - Fabul nga Vangjush Saro

Qendra Tregtare në qytetin e madh,
me Kaprollin bëri një kontratë:
“Fjala është të punosh për ne, vëlla.
por dhe vetë të jetosh si një pasha:
S’do të gërricesh më në shkurr’e ferra
për të ngrënë një mëngjes të mjerë,
se do kesh plot… fruta, ëmbëlsira.
Do kënaqen duke parë dhe njerëzia.”
Na e mbyllën në kafaz Kaprollin.
Pak a shumë, parashikimi doli:
Orë e çast e vizitonin kureshtarë,
dhe ai… përtypej, hiqej zvarrë.
Shkoi një javë, dy, u mërzit shumë:
Tha i shkreti:
“S’e bëj dot këtë punë!”
Kështu, e grisi kontratën me vlerë
dhe iku tej në male, ku fryn erë…