Krijimtari

Ikona e dashurisë - Nga Vangjush Ziko

Desha të ta thoja dashurinë
vetëm me një fjalë,
fjala m'u bë farë.

E mbolla farën
dhe më mbiu një shegë,
skuqën dy zemra në një degë.

Desha ta derdhja dashurinë
në një varg,
m'u bë vargu im lastar.

Mbolla lastarin dhe ishte Prill,
në çdo degë
të këndoi ty një bilbil.

E mbolla dashurinë
në timen poezi,
m'u bë ikonë
dhe shenjtorja ishe ti.