Përsiatje rreth boshit - Nga Artan Gjyzel Hasani
- Nga: Artan Gjyzel Hasani
nëse dikur ti mëson të shquash veç gjërat që mungojnë
dhe mos të të bëjë përshtypje asgjë që duket qartë
do të thotë që tashmë ti je pjekur
je rritur aq sa të dëgjosh zhurmën e diellit
kur perëndon mbi det
kumbimin e tij kur zhytet thellë
rënkimin e dritës
dhimbjen e ujit
dhe ndërsa kalon para një mimoze të pakëputur
ke turp nga vetja…
se dielli është muzikë
dhe ajo nuk është një lule
është miliona gishtërinj
që nuk u zgjatën kurrë drejt saj…
miliona sy
që nuk ia admiruan ngjyrën…
është nuhatja e miliona hundëve
që iu trembën asaj arome dalldisëse…
miliona njerëz të ngutur
që lanë pas hijet…
dhe prekja që ata dot s’e dhanë
në fillim të dhëmb butë
si fëmija kur zgjatet
të dhëmb edhe më shumë
si kocka kur kthehet në eshtër
por pastaj nuk dhëmb asgjë…
je rritur…
për të shkuar matanë
duhet të vështrosh boshin
ata që s’janë të duken gjethe
dhe tashmë të vjen turp nga era…
©artangjyzelhasani



