Dy vizatime dimri - Nga Vangjush Ziko
Mesazhi Gri i kësaj Dite
Hiri i qiellit
pahit qytetin cep më cep,
drurët
shandanë të shuar që s'tymojnë,
ndez cigaren,
tymi shkruan në ajër
mesazhin gri të kësaj dite,
shkrepsja
një buzëqeshje
që u shua mbi dëborë.
***
Bisedë e Heshtur
Gishtat eshtakë të drurëve
më numëruan ditët dhe javët
që kur i braktisën zogjtë,
dritaret e pallateve
me vezullimet e akullta
më kumtuan hallet
që as në gjumë s'u ndahen ,
vizatova mbi xham një diell.
një karvan me pata që kthehen,
një ëndërr lumturie të harruar,
nuk e di sa më besuan.



