Krijimtari

Rrënimi i Alfabetit - Nga Vangjush Ziko

Më parë se të rrënohet Dheu

rrënohet Fjala,

gërmat e Alfabetit të shenjtë

humbin rendin,

gjymtohet simetri e mendimit

dhe ndjenja rënkon

si foshnjë e mbuluar

nën gërmadhat,

e pariparueshme ortografia

dhe sintaksa e jetës sonë,

kuantet e gjykimit genuin

përzihen me kuantet e çmendurisë,

lëvizin eshtrat e Naimit

nën mermerin e plasaritur,

nën rrënojat e Alfabetit të kombit

vyshket manushaqja e tij.